TAGS-AT E JAVËS

Forum29 Prill 2025, 13:00

E vërteta që s'u var dot në pemë/ Pas 7 vitesh, drejtësia triumfon për Antonio Karafilin

Shkruar nga Arben Llangozi
E vërteta që s'u var dot në pemë/ Pas 7 vitesh,
Kejsi Spahillari dhe Antonio Karafili

Sot, them se Antonio Karaifili nuk u vetëvra. Ai u vra. Dhe tani kjo është provuar. Drejtësia vonon, por nuk harron.

Pas 7 vitesh betejë të gjatë, lodhëse dhe shpeshherë të pashpresë, më në fund mund të them me zë të plotë: drejtësia u vu në vend për rastin tragjik të shtetasit Antonio Karaifili.

Një ngjarje që u përpoq të fshihej nën petkun e një "vetëvrasjeje", por që në thelb ishte një vrasje e maskuar, e mbuluar dhe e shtrembëruar nga struktura të caktuara të sistemit të drejtësisë dhe mjekësisë ligjore në Korçë dhe mjeksia qëndrore Tiranë të cilët krijuan prova të rreme.

Antonio Karaifili u gjet i varur në një pemë. Një skenar i servirur si vetëvrasje, por që nga fillimi mbante erën e manipulimit, të fabrikimit dhe të shkeljes flagrante të së vërtetës. Që në ditët e para, u kuptua se diçka nuk shkonte. Aktet e ekspertimit mjeko-ligjor nuk përputheshin me realitetin.

Për të mbuluar vrasjen janë kryer mbi 10 ekspertime të manipuluara dhe mjekësia ligjore, në vend që të shërbente si garant i shkencës dhe së vërtetës, u bë vegël në dorën e atyre që kërkonin heshtjen.

Në vend që të hetohej si një vrasje, Prokuroria e Korçës u përpoq ta mbyllte çështjen si vetëvrasje. Kërkoi tre herë pushimin e hetimeve, por drejtësia kishte ende zë. Tre herë gjyqtari Arben Lera refuzoi pushimin, duke e kthyer çështjen për hetim dhe duke kërkuar të vërtetën, jo komoditetin e një dosjeje të mbyllur.

Gjyqtari Arben Lera, me kurajo dhe integritet, u bë mburojë e së drejtës. Në një sistem që shpesh i nënshtrohet presioneve dhe interesave të errëta, ai zgjodhi të bëjë gjënë e duhur. Në fund, ai urdhëroi Prokurorinë që të vijonte hetimet për vrasje, duke dhënë një mesazh të qartë: drejtësia nuk është pazari i askujt.

Ndërkohë, brenda Prokurorisë së Korçës, për 7 vite me radhë, kjo çështje kaloi në dorën e rreth 7 prokurorëve, të cilët ose u dorëzuan, ose zgjodhën të heshtin. Por më në fund, në skenë doli një zë i ri, një zë i ndershëm, prokurorja Vasjana Postoli. E re në detyrë, por e pajisur me kurajo, profesionalizëm dhe ndershmëri, znj. Postoli mori përsipër barrën e rëndë të zbardhjes së kësaj ngjarjeje. Dhe ja doli. Ajo e çoi hetimin deri në fund, duke zbardhur të vërtetën që ishte përpjekur të fshihej me çdo kusht.

Kjo çështje është një shembull i gjallë se si korrupsioni dhe heshtja institucionale mund të pengojnë drejtësinë, por nuk munden ta ndalin përgjithmonë. Është gjithashtu një dëshmi e fuqisë së këmbënguljes dhe përkushtimit, sepse unë si avokat, nuk kam reshtur së ndjekuri këtë çështje për 7 vite me radhë. Kam luftuar çdo pengesë, kam refuzuar të dorëzohem, dhe kam qëndruar përkrah familjes së viktimës deri në fund.

Një rol vendimtar në këtë betejë ka pasur edhe emisioni investigativ STOP dhe televizioni Ora News, të cilët dhanë zërin e tyre kur shumë media heshtën. Ata shërbyen si fenerë drite në një rrugë të errët, duke e mbajtur këtë ngjarje gjallë në opinionin publik dhe duke i dhënë shpresë një familjeje të shkatërruar nga padrejtësia.
Sot, them se Antonio Karaifili nuk u vetëvra. Ai u vra. Dhe tani kjo është provuar.Drejtësia vonon, por nuk harron.

Ky është një mesazh për çdo qytetar që është përballur me padrejtësi. Mos hiqni dorë. E vërteta ka fuqi. Dhe kur bashkohen njerëz të ndershëm — gjyqtarë, prokurorë, avokatë, media dhe qytetarë — asnjë krim nuk mund të mbetet i fshehur.

Unë do të vazhdoj të jem zëri i atyre që nuk kanë zë, për sa kohë do të kem forcë.

vrasja e antonio karafilit kejsi spahillari

Lini një Përgjigje