Arti dhe kultura shqiptare janë në zi pas ndarjes nga jeta të aktorit dhe humoristit të njohur Todi Llupi, i cili u shua në moshën 78-vjeçare. Një nga figurat më të dashura të Estradës së Fierit, ai la pas një kontribut të çmuar në skenën e humorit shqiptar, ku për më shumë se pesë dekada u vlerësua për talentin dhe interpretimet e tij të veçanta.
Todi Llupi iu bashkua Estradës Profesioniste të Fierit në vitin 1971, duke u bërë një prej artistëve më të spikatur të saj. Me rolet e tij plot humor, personazhet autentike dhe përdorimin mjeshtëror të dialektit myzeqar, ai fitoi zemrat e publikut dhe u kthye në një ikonë të humorit shqiptar.
Përveç angazhimit në estradë, Llupi interpretoi edhe në disa filma artistikë, duke lënë gjurmë edhe në kinematografinë shqiptare.
Në vitin 1989 ai u nderua me titullin "Artist i Merituar", në vlerësim të kontributit të tij të gjatë dhe të çmuar në art dhe kulturë.
Ndarja nga jeta e Todi Llupit përbën një humbje të madhe për qytetin e Fierit, kolegët, miqtë dhe publikun shqiptar, i cili do ta kujtojë gjithmonë për humorin, thjeshtësinë dhe rolet që lanë gjurmë në historinë e estradës shqiptare.
Lini një Përgjigje