
Në kulmin e sezonit turistik, mungesa e vrojtuesve të plazhit vijon të mbetet një nga shqetësimet kryesore në vijën bregdetare të Vlorës.
Si në plazhet publike, ashtu edhe në ato private, shumë prej kullave të vrojtimit rezultojnë të jenë bosh. Në vend që të përdoren nga personeli përgjegjës për sigurinë e pushuesve, ato shpesh shërbejnë si vende pushimi apo hije për frekuentuesit e plazhit.
Pushuesit, veçanërisht të moshuarit që e frekuentojnë çdo ditë bregdetin, shprehen të shqetësuar për mungesën e masave konkrete të sigurisë dhe kërkojnë që prania e vrojtuesve të mos mbetet vetëm një detyrim në letër.
"Siguria nuk duhet të mbetet vetëm në tabela paralajmëruese, por të garantohet me praninë e vrojtuesve të trajnuar", shprehen të moshuarit që frekuentojnë plazhin publik.
Sipas tyre, në një periudhë kur fluksi i turistëve është në nivelet më të larta, prania e vrojtuesve është thelbësore për të parandaluar ngjarje që mund të rrezikojnë jetën e pushuesve.
Problematika nuk është e re. Mungesa e vrojtuesve është evidentuar edhe në sezonet e mëparshme, ndërsa situata vijon të përsëritet edhe këtë verë.
Legjislacioni në fuqi parashikon që stacionet e plazhit të jenë të pajisura me vrojtues të certifikuar, të cilët kanë për detyrë të monitorojnë zonën e larjes dhe të ndërhyjnë në raste emergjente. Megjithatë, në shumë segmente të bregdetit të Vlorës, ky detyrim nuk po zbatohet.
Lini një Përgjigje