Gjatë grumbullimit të protestuesve nuk munguan thirrjet e forta kundër figurave kryesore politike në vend. Mes sloganeve të dëgjuara nga turma ishin “Edi Rama, o legen, prite burgun se po vjen”, “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Revolucion”, duke reflektuar pakënaqësinë e protestuesve jo vetëm ndaj qeverisë aktuale, por edhe ndaj klasës politike në tërësi.
Ka nisur pasditen e kësaj të diele protesta e 15-të radhazi, ku dhjetëra qytetarë janë nisur drejt Kryeministrisë për të vijuar kërkesat e tyre për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshime në qeverisjen e vendit.
Ashtu si në protestat e mëparshme, pjesëmarrësit janë shfaqur me pankarta, flamuj kombëtarë dhe mesazhe kundër qeverisë, ndërsa në zonën përpara Kryeministrisë dëgjohen thirrje që kërkojnë dorëheqjen e kreut të ekzekutivit dhe përgjegjësi më të madhe nga institucionet shtetërore.
Një prej studentëve të angazhuar në organizimin e protestës deklaroi se kërkesat e protestuesve mbeten të pandryshuara: dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe heqja e sistemit të patronazhimit. Sipas tij, pas disa fjalimeve në shesh, protestuesit do të marshojnë drejt godinës së qeverisë dhe më pas në rrugët e kryeqytetit, ndërsa itinerari i plotë do të përcaktohet gjatë zhvillimit të tubimit.
“Kërkoj dorëheqjen e Ramës dhe sistemet e patronazhimit që ai ka sjellë. Kërkoj gjithashtu që të ketë zgjedhje të lira në Shqipëri”, u shpreh studenti.
Organizatorët e kanë cilësuar protestën si pjesë të një lëvizjeje qytetare që po fiton mbështetje nga dita në ditë, duke theksuar se pakënaqësitë e qytetarëve nuk lidhen vetëm me një çështje të veçantë, por me problematika të akumuluara ndër vite.
Sipas tyre, korrupsioni, keqqeverisja, mungesa e transparencës, largimi masiv i të rinjve nga vendi dhe rënia e besimit tek institucionet janë disa nga arsyet kryesore që kanë nxitur qytetarët të dalin vazhdimisht në protestë.
Tubimi i sotëm vjen pas dy javësh protestash të pandërprera, të cilat janë zhvilluar kryesisht në mënyrë paqësore. Në secilën prej tyre, protestuesit kanë kërkuar jo vetëm largimin e qeverisë aktuale, por edhe një reformim më të gjerë të sistemit politik në vend.
Ndërkohë, forca të shumta policie janë vendosur në perimetrin e Kryeministrisë dhe në akset kryesore përreth, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të protestës. Deri në momentin e raportimit, nuk janë shënuar incidente.
Gjatë orëve në vijim pritet që përfaqësues të organizatorëve dhe qytetarë të ndryshëm të mbajnë fjalime para protestuesve, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e marshimeve në disa nga rrugët kryesore të kryeqytetit.
Protesta e 15-të konfirmon vijimësinë e kësaj lëvizjeje qytetare, e cila prej javësh po mban të fokusuar vëmendjen e opinionit publik, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar se tubimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.
Lini një Përgjigje