TAGS-AT E JAVËS

Ekonomi16 Prill 2025, 13:56

"Sektori bankar shqiptar reforma të qëndrueshme financiare", FMN: Forcimi i lekut i mbështetur nga faktorë themelorë

Shkruar nga Pamfleti

"Sektori bankar shqiptar reforma të qëndrueshme financiare",

FMN ka publikuar dy raporte për Shqipërinë lidhur me zhvlerësimin e monedhave të huaja dhe ndërhyrjen në tregun valutor, si dhe për bankat, sesa të mbrojtura janë përballë goditjeve.   

Në raportin e parë, vihet në dukje se Shqipëria ka përjetuar një forcim të qëndrueshëm të monedhës vendase, dhe faktorët që kanë qenë nxitës janë kryesisht faktorë ekonomikë themelorë, si investimet e huaja. Në këtë kontekst, politika e normës së interesit shihet si instrumenti më i përshtatshëm për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve.

Megjithatë, në rrethana të veçanta ku leku  përforcohet nga faktorë jo-themelorë – si ndryshimet në perceptimin e rrezikut nga investitorët e huaj – ndërhyrjet në tregun valutor mund të jenë të dobishme si një mjet plotësues, për të zbutur pasojat negative mbi inflacionin dhe rritjen ekonomike.

FMN thekson se kursi i këmbimit duhet të vijojë të funksionojë si amortizues i goditjeve ekonomike, ndërsa ndërhyrjet duhet të rezervohen për situata të jashtëzakonshme. Megjithatë, përdorimi i FXI duhet të jetë i kujdesshëm, pasi mund të sjellë pasoja anësore, përfshirë rreziqe për bilancin e bankës qendrore, dobësim të politikës monetare dhe ngadalësim të zhvillimit të tregjeve financiare.

Rekomandimi përfundimtar është që autoritetet shqiptare të lejojnë fleksibilitet më të madh në kursin e këmbimit dhe të mbështeten kryesisht në politikën e normës së interesit për të ruajtur stabilitetin ekonomik.

Në raportin e dytë, FMN thekson se sektori bankar ka pësuar një transformim të rëndësishëm, falë performancës ekonomike dhe reforma të shëndosha financiare. Megjithatë, ka ende problematika, disa prej të cilave janë identifikuar edhe gjatë Programit të Vlerësimit të Sektorit Financiar (FSAP) të IMF-së në vitin 2014.

Sipas raportit, bankat kanë një qëndrueshmëri të gjerë ndaj goditjeve që vijnë nga kreditë e këqija dhe normat e interesit. Nga ana tjetër, janë gjetur vulnerabilitete të rëndësishme lidhur me ekspozimet ndaj huamarrësve të mëdhenj dhe borxhit sovran, të cilat mund të krijojnë rreziqe për sektorin.

FMN thotë se, në bazë të rezultateteve të studimit, kërkohet forcim i mëtejshëm i mjetit makroprudencial dhe vazhdimin e përpjekjeve për të thelluar tregjet financiare, për të përmirësuar qëndrueshmërinë e sektorit bankar në të ardhmen dhe për t’u përballur me sfidat e reja që mund të lindin.

Lini një Përgjigje