
Pasi partnerët ndërkombëtarë i kundërshtuan planin për amnisti fiskale, Edi Rama e ka zhvendosur strategjinë drejt ndërtimeve masive të kullave si mjet pastrimi parash dhe forcimi i pushtetit personal.
Me dështimin e amnistisë fiskale, Kryeministri Rama i ka kthyer kullat e çmendura në qendër të Tiranës në një mjet të ri për pastrimin e parave të zeza, duke transformuar kryeqytetin në një kaos betoni dhe një fushë eksperimentale ku mungon çdo vizion i qëndrueshëm urban.
Tirana po kalon një transformim të shpejtë urbanistik, një nga arsyet kryesore që nxisin këtë “boom” ndërtimesh lidhet me vetë Kryeministrin Edi Rama, i cili, si Kryetar i Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT), ka shndërruar dhënien e lejeve për kullat shumëkatëshe në një çështje të pushtetit të tij personal.
Pas dështimit të amnistisë fiskale, të kundërshtuar nga partnerët ndërkombëtarë si një rrugë e hapur për pastrimin e parave të drogës, krimit dhe korrupsionit, Rama iu kthye strategjisë së re: “Nëse nuk më lini t’i pastroj me amnisti, do t’i pastroj me ndërtime të çmendura rrokaqiejsh në qendër të Tiranës.”
Kjo qasje ka shpërfillur seriozisht nevojat e qytetit dhe ka favorizuar interesat e lidhura me paratë e zeza, që gjejnë terren të përshtatshëm në industrinë e ndërtimit, që shumë arkitektë e përshkruajnë si "betonizim" agresiv. Kohët e fundit, janë dhënë dhjetëra leje ndërtimi për kulla shumëkatëshe, shpesh të vendosura në zona me densitet të lartë banorësh dhe infrastrukturë të pamjaftueshme.
Megjithëse ndërtimi është simbol i zhvillimit ekonomik në shumë qytete të botës, sfida e Tiranës është se ky zhvillim po ndodh pa një strategji të dukshme afatgjatë për mobilitetin, ruajtjen e identitetit historik, si dhe për cilësinë e jetesës urbane. Është pikërisht kjo mospërputhje mes vizionit dhe realitetit që po e bën të pajetueshme Tiranën.
Një vështrim krahasimor me qytete të tjera
1. Barcelona, Spanjë
Barcelona është shpesh e cituar si një model për urbanistikën, falë “Planit Cerdà” (1859) që krijoi blloqe të organizuara dhe hapësira të bollshme publike. Edhe pse kohët e fundit Barcelona vuan nga rritja e turizmit dhe presioni për hapësira banimi, ajo ruan me fanatizëm standardet e larta mjedisore, duke kontrolluar rreptësisht lartësinë e ndërtesave në zonën e qendrës dhe duke limituar zhvillimin e pakontrolluar me kullat shumëkatëshe.
2. Vjena, Austri
Vjena, e cilësuar shpesh si “qyteti më i jetueshëm në botë”, ka ruajtur një ekuilibër mes ndërtesave historike dhe ndërtimeve moderne. Kullat e reja më së shumti gjenden në periferi ose në zona të studiuara mirë, me infrastrukturë transiti publik në dispozicion. Bashkia e Vjenës vendos kritere të forta për ndërtimet e reja, duke përfshirë raportin me hapësirat e gjelbra, menaxhimin e trafikut dhe ndikimin në peizazhin urban.
3. Kuala Lumpur, Malajzi
Kjo kryeqytet aziatik është e famshme për ‘Petronas Twin Towers’, por qyteti u përball me sfida të mëdha pasi “etja” për kulla gjigante shkaktoi tkurrje të hapësirave publike dhe një pengesë të theksuar në qarkullim. Kohët e fundit, autoritetet malajziane kanë nisur një rishikim të rregullave, duke kushtëzuar çdo projekt të ri me investime në transport publik dhe zona të gjelbra.
4. Stambolli, Turqi
Stambolli, me mbi 15 milionë banorë, prej vitesh po përballet me valën e ndërtimit të “rezidencave” shumëkatëshe, shpesh në zona historike. Kritikët pretendojnë se kjo valë ndërtimesh shkakton trafikun kronik dhe humbjen e identitetit kulturor. Megjithatë, së fundmi, qeveria lokale ka vendosur zona të mbrojtura ku ndërtimet e reja kufizohen ose ndalohen plotësisht.
Si qëndron Tirana në këtë mozaik?
Politikat fiskale dhe kontrolli urbanistik: Shumë qytete evropiane kanë taksa të larta ose kritere të forta për të zbutur nxitjen e ‘mbi-ndërtimit’. Në Tiranë, megjithatë, kuadri ligjor shpesh anashkalohet ose ndryshohet me shpejtësi për t’iu përshtatur investitorëve, pa studime të thelluara trafiku, mjedisi apo dendësie banimi.
Infrastruktura e pamjaftueshme: Qytete si Vjena apo Barcelona investojnë në metro, tramvaje dhe rrjete autobusësh efikase përpara ose paralelisht me ndërtimin e zonave të reja. Në Tiranë, infrastruktura e transportit publik është ende e papërfillshme në krahasim me shtimin e ndërtimit.
Mbrojtja e trashëgimisë kulturore: Disa qytete vendosin rregulla të ashpra për të ruajtur të paprekur peizazhin historik. Në Tiranë, trashëgimia arkitekturore shpesh shihet si pengesë për “zhvillimin”, duke u zëvendësuar me kulla standarde prej betoni.
Hapësirat e gjelbra: Në qytete si Barcelona apo Vjena, ligjet detyrojnë zhvilluesit të rezervojnë përqindje të caktuar të sipërfaqes për hapësira publike. Në Tiranë, lejet e reja të ndërtimit rrallëherë përfshijnë detyrime të qarta për krijimin ose mirëmbajtjen e parqeve.
Çfarë mund të mësojë Tirana?
Planifikim afatgjatë: Përpara se të merren vendime për kulla të reja, duhen bërë studime të thelluara për ndikimin në trafik, infrastrukturë, ndotje dhe cilësi jete.
Regulla të rrepta urbanistike: Vendosja e një kufiri për lartësinë e ndërtesave në zonat historike dhe rezidenciale, me qëllim ruajtjen e identitetit dhe shmangien e “përbindëshave” urbanë.
Transport publik efikas: Masat si zgjerimi i linjave të autobusëve, krijimi i korsive dedikuar, apo zhvillimi i trenit urban, duhet të ecin paralelisht me ndërtimet e reja.
Angazhimi i qytetarëve: Procesi i dhënies së lejeve të ndërtimit duhet të jetë transparent, duke përfshirë konsultime publike ku qytetarët dhe ekspertët mund të shprehin mendimet e tyre.
Taksa dhe incentiva: Qeverisja vendore mund të aplikojë taksa më të larta për ndërtimet e mëdha, që të financojnë projekte mjedisore e infrastrukturore, ose të ofrojë incentiva për zhvillimet që ruajnë hapësirat e gjelbra.
Konkluzion
Qytetet në Evropë dhe në botë që kanë pësuar valë intensive ndërtimesh, tashmë po kthehen drejt modeleve më të qëndrueshme urbane. Tirana nuk ka pse t’i zbulojë këto praktika nga e para; mjafton të përshtatë e të zbatojë disa prej politikave më të mira ndërkombëtare. Përndryshe, kryeqyteti rrezikon të shndërrohet në një kaos betoni, me cilësi jete në rënie të vazhdueshme, në vend që të bëhet një metropol i denjë për shekullin XXI.
Nëse autoritetet vendimmarrëse nuk ndërmarrin masa të shpejta, betonizimi i Tiranës do të jetë vetëm fillimi i një rrjedhe pasojash që do ta përkeqësojnë njëherë e mirë situatën urbane, shëndetin publik, dhe identitetin kulturor të kryeqytetit./Pamfleti
Lini një Përgjigje