TAGS-AT E JAVËS

Ekonomi 5 Prill 2026, 10:30

Nga çmimi i naftës te 1 miliardë euro të ardhura shtesë, Rama: Ekonomia po rritet, korrupsioni po ulet  

Shkruar nga Pamfleti

Nga çmimi i naftës te 1 miliardë euro të ardhura

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi masa drastike ndaj atyre që operojnë në tregun e karburanteve dhe nuk respektojnë vendimet e Bordit të Transparencës, lidhur me çmimin e naftës e benzinës.

Nga podcasti i tij që transmetohet çdo të dielë në platformat e rrjeteve sociale, Edi Rama tha se Qeveria ka marrë masat e nevojshme duke ulur akcizën me 20 % çmimi i naftës kalon 220 lekë për litër dhe çmimi i benzinës 200 lekë për litër.

“Këtë javë kemi miratuar edhe aktin e premtuar normativ për uljen e akcizës së naftës, në momentin kur nafta, si pasojë e impaktit të luftës mbi tregjet ndërkombëtare, të kalojë limitin e 220 lekëve. Pra, ulja e akcizës me 20% është një masë që hyn në fuqi menjëherë kur çmimi i naftës kalon 220 lekë për litër dhe ai i benzinës 200 lekë për litër.

Këto pragje janë paracaktuar për të garantuar një ndërhyrje të drejtë dhe të balancuar në raport me zhvillimet e tregut, të cilat janë zhvillime që ne nuk i kemi në dorë, nuk jemi shkaktarë të tyre dhe nuk kemi as fuqinë që t’i ndalojmë, përveçse kemi detyrimin që t’i trajtojmë në funksion të amortizimit të goditjes së menjëhershme mbi konsumatorët, pa cenuar, nga ana tjetër, stabilitetin e financave publike në një kohë kur pasiguria në tregjet ndërkombëtare mbetet e lartë dhe po aq edhe dinamike.

Masa do të mbetet në fuqi deri në stabilizimin e plotë të situatës ndërkombëtare, ndërsa Bordi i Transparencës, që është vënë në lëvizje, do të mbetet garant i çdo zhvillimi në tregjet globale për të reflektuar në mënyrë të drejtë dhe të verifikueshme atë çka duhet të ndodhë në tregun vendas. Ky është një reagim i duhur, i matur në kohë, që garanton vendimmarrje të shpejta, që mishëron përgjegjësi të plotë dhe që do të bëjë të mundur që qytetarët, drejtuesit e automjeteve, të mos abuzohen nga distributorët e naftës. Masat për të gjithë ata që do të shkelin çmimin e përcaktuar nga Bordi i Transparencës, në bazë të tregjeve, do të jenë drastike”, tha Rama.

Ndërkohë, Kryeministri njoftoi atë që e konsideroi si një rritje historike të të ardhurave buxhetore, duke theksuar se pritet të mblidhen 1 miliardë euro të ardhura shtesë.

Kjo sipas tij, jo nga rritja e taksave, por nga rritja e ekonomisë dhe rritja e administrimit tatimor e doganor.

Kjo javë është karakterizuar edhe nga një tjetër bilanc inkurajues: rritja e të ardhurave buxhetore në një nivel absolutisht historik. Një tregues i rëndësishëm i fazës ku ndodhet sot ekonomia shqiptare, një pasqyrë kuptimplotë e fuqizimit të saj. Në të kundërt të gjithë atyre që predikojnë rritjen e korrupsionit dhe rritjen e abuzimit, ekonomia provon se rritet pikërisht sepse ulet korrupsioni dhe ulen abuzimet, sepse këto të dyja bashkë nuk shkojnë përndryshe.

Të ardhurat që kanë arritur në nivele të reja janë pikërisht rezultat i një administrimi shumë më efikas, me shumë më pak korrupsion dhe abuzim, një karakteristikë e sëmundjes së rëndë të trashëguar nga e shkuara, të cilën e kemi luftuar dhe do të vazhdojmë ta luftojmë ditë për ditë.

Sipas projeksioneve, në periudhën që kalojmë pritet të mblidhen mbi 1 miliard euro të ardhura shtesë, dhe jo nga rritja e taksave, sepse nuk kemi bërë rritje të taksave, por nga rritja e ekonomisë dhe, patjetër, edhe nga rritja e cilësisë së administrimit tatimor dhe doganor, rritja e cilësisë së kontrollit për sa i përket transaksioneve në nivelin e biznesit, mes biznesit dhe konsumatorit dhe biznesit me biznesin, si dhe rritja e ndërgjegjësimit fiskal. Jemi në kushtet kur mund të ndajmë me ata që na kanë mbështetur dhe na kanë zgjedhur këtë moment të rëndësishëm, duke u thënë se vota e tyre vlen dhe vlerësohet çdo ditë, në çdo hap, në çdo sektor, dhe ky i rritjes së të ardhurave është një shembull shumë kuptimplotë”, tha Rama.

ekonomia rama nafta tatime

Lini një Përgjigje