TAGS-AT E JAVËS

Ekonomi 4 Mars 2026, 15:13

Lufta rrit çmimet e naftës dhe benzinës, vihet në lëvizje Autoriteti i Konkurrencës

Shkruar nga Pamfleti

Lufta rrit çmimet e naftës dhe benzinës, vihet në

Zhvillimet e fundit gjeopolitike në Lindjen e Mesme kanë nisur të reflektohen edhe në tregun shqiptar të hidrokarbureve. Pasojat ekonomike po ndihen në rritjen e çmimeve të karburanteve në vend.

Këtë të mërkurë, në disa pika karburantesh në Tiranë, çmimi i naftës dhe benzinës ka arritur deri në 179 lekë për litër. Një ditë më parë, karburantet tregtoheshin nga 173 deri në 175 lekë për litër, çka tregon një rritje të menjëhershme brenda 24 orëve.

Në këtë situatë, Autoriteti i Konkurrencës ka bërë të ditur se ka nisur monitorimin e tregut të karburanteve, duke vendosur nën vëzhgim të gjitha ndërmarrjet që ushtrojnë aktivitet në tregtimin e tyre. Institucioni thekson se nuk do të tolerojë luhatje të pajustifikuara të çmimeve dhe paralajmëron masa në rast të shkeljeve.

Sipas Autoritetit, çdo rritje që nuk reflekton në mënyrë proporcionale ndryshimet e çmimeve në bursat ndërkombëtare mund të përbëjë tregues për sjellje jo konkurruese në treg.

Njoftimi i plotë: 

Autoriteti i Konkurrencës njofton se, mbështetur në ligjin nr. 9121/2003, ka nisur monitorimin e tregut të karburanteve me shumicë dhe me pakicë, me fokus të veçantë tek çmimet e benzinës dhe naftës në pikat e shitjes me pakicë.

Bëjmë me dije se, të gjitha ndërmarrjet që ushtrojnë veprimtarinë e tregtimit të karburanteve janë aktualisht nën monitorim nga Autoriteti i Konkurrencës. Në rast se vërehen luhatje të çmimeve që tejkalojnë masën e ndryshimeve të çmimeve në bursat ndërkombëtare, Autoriteti, në zbatim të ligjit nr. 9121/2003, do të ndërmarrë masat e nevojshme sipas kompetencave të tij.

Në praktikë, çmimet e karburanteve në tregjet ndërkombëtare përditësohen në mënyrë të vazhdueshme, duke reflektuar faktorë si oferta, kërkesa, kostot e përpunimit, si dhe zhvillime të tjera ekonomike apo gjeopolitike. Si rrjedhojë, sipas standardeve të konkurrencës së ndershme, pritet që luhatjet e çmimeve në tregun vendas të ndjekin të njëjtin drejtim dhe të jenë proporcionale me masën e ndryshimeve që regjistrohen në bursë. Çdo devijim i pajustifikuar, qoftë edhe rritje e pakoordinuar por më e shpejtë apo më e theksuar se ecuria e çmimeve ndërkombëtare, përbën tregues të mundshëm të sjelljeve jo konkurruese në treg.

Autoriteti i Konkurrencës thekson se nuk do të tolerojë luhatje të pajustifikuara të çmimeve, praktika që bien ndesh me logjikën e tregut ndërkombëtar, si dhe asnjë formë të mundshme koordinimi të çmimeve, abuzimi me pozitën dominuese apo praktikash të bashkërenduara mes operatorëve të tregut.

Me këtë proces monitorimi, Autoriteti synon të garantojë transparencë, funksionim të rregullt të tregut dhe mbrojtjen e konsumatorëve nga çmime të padrejta apo nga sjellje që cenojnë konkurrencën.

Sqarojmë se, në përputhje me misionin dhe kompetencat e përcaktuara për Autoritetin e Konkurrencës, të gjitha monitorimet dhe procedurat e mundshme hetimore kryhen vetëm në zbatim të ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, pa u ndërthurur me atributet që i përkasin institucioneve të tjera ligjzbatuese në vend.

nafte benzine cmime

Lini një Përgjigje