TAGS-AT E JAVËS

Editorial22 Dhjetor 2025, 21:11

Zjarri, gjuha e negociatave

Shkruar nga Pamfleti
Zjarri, gjuha e negociatave
Sali Berisha /

Si po përdor Sali Berisha dhunën simbolike për t’i kërkuar Ramës Pazar?

Molotovët e hedhur në fund të mitingut të Sali Berishës, në një atmosferë pasi ai kishte paralajmëruar reagim agresiv, nuk janë gjë tjetër veçse sinjale të koduara.

Sinjale që i thonë Edi Ramës se çfarë kërkojnë realisht nga mazhoranca. Metafora më e qartë e asaj që ndodhi ishte përgjigjja e Sali Berishës ndaj pyetjes së një kroniste televizive, se a do të sulmonte shtëpinë e Edi Ramës.

Berisha u përgjigj se “ne kemi thënë në Surrel”, dhe më pas u tha njerëzve të irrituar se “nëse doni të shkoni, mund ta bëni, unë do shkoj në shtëpi”.

Me këtë, Berisha i tha Edi Ramës se edhe nëse vjen në Surrel, nuk do ta prekë atë personalisht. Kjo, natyrisht, nuk ka lidhje me shtëpinë si objekt, por është metaforë politike. Që do të thotë: mund të sulmoj këdo në qeveri, vetëm ty jo.

Pra, Sali Berisha i kërkon Edi Ramës një pazar më të lartë, një marrëveshje për veten e tij. Një marrëveshje ku nuk përfshihet vetëm fati i tij në hetimet e SPAK, por edhe e ardhmja e familjes së tij. Jo më kot, Argita Berisha sot ishte “ylli” i protestës së PD-së.

Kjo, në fakt, është një tjetër mesazh i koduar për Edi Ramën: që mazhoranca, nëse jo me doktorin, ta bëjë marrëveshjen me Argitën, e cila sipas Berishës ka edhe një fuqi më të madhe se vetë ai.

Sepse ajo njeh dhe ka negociuar gjatë gjithë këtyre viteve me prokurorë dhe gjyqtarë të SPAK-ut dhe GJKKO-së, me të cilët ka një marrëdhënie të konsoliduar dhe të kushtëzuar.

Pra, Berisha sot i ka dalë Edi Ramës në shesh për t’i thënë: do të shpëtosh? Luaje lojën, por jo domosdoshmërisht me mua, me Argitën.

Dhe këtu Berisha, edhe pse e ekzagjeron, nuk është pa logjikë. Të paktën në logjikën e tij politike, ai synon t’i tregojë rivalit se Argita është ajo që mund të sigurojë pikërisht atë që kërkon mazhoranca.

Ndryshe, Argita nuk do të dilte në skenë. Por Sali Berisha ka kërkesat e tij të qarta: së pari, heqjen e akuzave ndaj tij dhe familjes së tij.

Ndaj, molotovët e sotëm të Sali Berishës ishin mesazh për Edi Ramën, të cilit, sipas të gjitha gjasave, do t’i përgjigjet shumë shpejt.

Po si do t’i përgjigjet? Natyrisht, duke plotësuar kërkesat e mazhorancës për SPAK-un, por edhe kërkesat e Sali Berishës për SPAK-un.

Në thelb, Berisha i ka thënë Edi Ramës se është gati për marrëveshje dhe jo për luftë. Detajet? Pas Vitit të Ri./Pamfleti

zjarri gjuha e negociatave

1 Komente

  1. B
    Bravo Pamfleti

    Do merren vesh, si gjithmonë, bijtë e partisë. Ai ma i riu ja ka shtërngu të dy sendet aq fort plakut, por ky megjithse nuk ndien gjë se janë ba zhëngla, vazhdon të bëjë të përhershmen e të llomotisë pakuptim, pasi askush nga ata që ka rrotull nuk i kujton se ka dalë në pension. E duhet të rrijë në pension.

    Lini një Përgjigje

    Editorial