TAGS-AT E JAVËS

Editorial18 Dhjetor 2025, 11:23

“Derrat” e Evropës dhe heshtja që vret

Shkruar nga Gjergj Zefi
“Derrat” e Evropës dhe heshtja që vret
Liderët e Evropës me Donald Trump /

Ndërsa Moska i quan liderët evropianë “derra” dhe kërcënon me pushtime të reja; BE heziton të ndëshkojë Rusinë me pasuritë që vetë i ka ngrirë…

Në një kohë kur raketat bien mbi Ukrainë dhe dhjetëra mijëra jetë janë shuar nga një agresion brutal, Vladimir Putini del para kamerave në Moskë dhe quan liderët e Bashkimit Evropian “derra”, një fyerje e paprecedentë që pasqyron jo vetëm arrogancën e Kremlinit, por edhe krizën morale të një Perëndimi që vazhdon të zvarritet mes deklaratave dhe frikës nga përgjigja ruse.

Bashkimi Evropian, megjithë retorikën e fortë, ndodhet në një ngërç vendimmarrës për të bërë aktin më domethënës: përdorimin e aseteve të ngrira ruse për të financuar mbrojtjen dhe rindërtimin e Ukrainës.

Nga njëra anë, Macron dhe Mertz flasin për drejtësi historike; nga ana tjetër, Belgjika, Hungaria dhe disa shtete të tjera mbajnë frenat, duke u dukur më shumë si bankierë të trembur sesa liderë të një aleance që pretendon të mbrojë demokracinë dhe paqen.

Ndërsa Evropa grindet për juridiksion dhe ligjshmëri, Kremlini e interpreton këtë si dobësi. Putini nuk ka më as maskë diplomatike; ai flet për fitore totale dhe për “çlirim” të territoreve që historikisht nuk i kanë përkitur kurrë Rusisë. Retorika e tij është brutale sepse di që përballë ka liderë që kanë frikë të përdorin instrumentet që kanë në dorë. Frika nga precedenti, nga pasojat financiare, nga një përshkallëzim hipotetik, i ka kthyer vendimet evropiane në pantomimë.

Në këtë sfond, thirrja e Zelenskyt për të përdorur asetet ruse nuk është thjesht një kërkesë për para. Është një test i vullnetit politik perëndimor për të thënë: “Mjaft.” Sepse nëse edhe kjo pasuri e ngrirë nuk vihet në funksion të mbrojtjes së viktimës dhe ndëshkimit të agresorit, atëherë çfarë mbetet nga i ashtuquajturi rend ndërkombëtar?

Në fund të ditës, cinizmi i Putinit nuk është vetëm pasqyrë e një regjimi diktatorial, por edhe një reflektim i pafuqisë morale të një Evrope që ndonjëherë duket se i ka harruar leksionet e historisë. Dhe pikërisht këtu qëndron tragjedia…/Pamfleti

 

derrat e evropës heshtja që vret

1 Komente

  1. T
    Tony

    Derr eshte emer fisnik se ushqen boten. Keta Euroqenet jane minj kanalesh, kaq.

    Lini një Përgjigje

    Editorial