TAGS-AT E JAVËS

Editorial14 Dhjetor 2025, 12:07

Agonia e kastës së vjetër

Shkruar nga Gjergj Zefi

 Agonia e kastës së vjetër

Gënjeshtra, aktrim dhe falje publike për të mbuluar një pazar të ditur, të komanduar dhe të orientuar nga lart...

Reagimi masiv dhe i merituar i anëtarësisë e ka kapur në befasi kastën sunduese të Partisë Demokratike, e cila sot përpëlitet në një përpjekje të dëshpëruar për të shpëtuar fytyrën nga pazari i radhës me Edi Ramën. Jo për të korrigjuar gabimin, por për ta mbuluar. Jo për të kërkuar përgjegjësi, por për të fituar kohë.

Skenari ishte i njohur dhe u zhvillua sipas ritualit klasik të elitës politike shqiptare. Fillimisht heshtje totale. Më pas aktrim i dobët, sikur gjithçka kishte ndodhur pa dijeni. Në fund, një pranim i pjesshëm, i shoqëruar me një stuhi gënjeshtrash të reja, të servirura orë pas ore për të mjegulluar thelbin. Sali Berisha e pranoi se firmat për Endri Shabanin u dhanë në grup, por tani po mundohet ta rishkruajë historinë, duke shitur një alibi të vonuar për një pazar të kryer me vetëdije.

Justifikimi se firmat u dhanë si “mirënjohje” për mbështetjen e Florjan Binajt bie ndesh me kronologjinë faktike. Binaj shpalli kandidaturën më 4 tetor. Shabani deklaroi mbështetjen më 6 tetor. Firmat u hodhën më 2 dhjetor 2025, ndërkohë që zgjedhjet në Tiranë ishin pezulluar që më 9 tetor dhe u anuluan përfundimisht nga Gjykata Kushtetuese. Asnjë firmë nuk u tërhoq për gati një muaj. Kjo nuk është rastësi. Është skenar. Është kalkulim. Është pazar.

Dëgjesat u zhvilluan në zyrat e grupit parlamentar të PD dhe në Komisionin e Ligjeve, me përzgjedhje të vetë PD-së. Endri Shabani u fut në listë me bekimin e plotë të strukturës drejtuese. Pas zgjedhjes, vetë Shabani falënderoi deputetët e PD-së për “garancitë” që i kishin dhënë se do të zgjidhej. Ky është momenti ku bie përfundimisht teatri. Në Partinë Demokratike askush nuk firmos pa urdhër. Askush nuk garanton pa miratim. Askush nuk lëviz jashtë vijës.

Hipokrizia vazhdon sot me faljet publike të imponuara dhe me urdhrin që deputetët firmëtarë t’u kërkojnë ndjesë demokratëve, duke u justifikuar se “nuk e dinin” kush ishte Endri Shabani. Ky është një tallje e hapur me bazën. Të njëjtët deputetë e kanë sulmuar Shabanin publikisht, e kanë quajtur sorosian, vegël të Ramës, armik të PD-së, ndërsa sot shtiren si të paditur.

Kjo nuk është hera e parë. I njëjti teatër u luajt në vitin 2023, kur PD i firmosi mbështetjen Marko Dajtit për kryetar bashkie në Tiranë dhe Berisha sërish aktroi rolin e të habiturit. Skema përsëritet sepse funksionon. Sepse nuk ka kosto. Sepse elita e vjetër mbijeton duke poshtëruar bazën dhe duke bërë pazare mbi shpinën e saj.

Dhe e gjitha kjo nuk ka të bëjë me Endri Shabanin si individ. Problemi nuk është emri, por mekanizmi. Problemi është një kastë e vjetër politike që nuk lejon asnjë çarje, asnjë aktor të ri, asnjë alternativë reale. Kush tenton të dalë jashtë rrethit ose përthithet, ose neutralizohet, ose përdoret si dekor institucional.

Mesazhi që po u dërgohet qytetarëve është i rrezikshëm dhe shkatërrues: të gjithë janë njësoj, të gjithë kanë një çmim, çdo betejë për ndryshim përfundon në pazar. Ky është mesazhi i agonisë. Një elitë që nuk reformohet më, por vetëm përpiqet të mbijetojë, edhe duke djegur shpresën e atyre që e mbajtën gjallë.

Agonia e elitës politike nuk është fundi i saj. Është paralajmërimi se sistemi është gati të bëjë çdo gjë për të mbijetuar./Pamfleti

agonia e elitës politike kasta e vjetër gjergj zefi

2 Komente

  1. R
    Roku

    Eshte mese e qarte, agonia e Sales qe nuk i shkojne as njerezit e shtepise ne miting dhe kercenimet e Rames per BKH..Rendesi ka qe filloi, keta qelbesira do ikin shume shpejt..kete e kane te qarte te gjithe..

    1. F
      Feti Dema

      Se ku e kam dëgjuar, se kush e ka thënë: "Më mirë një vdekje e tmerrshme se një tmerr pa fund". "Kasta" ka zgjedhur tmerrin pa fund. Të përpëliten, nën iluzionin se populli që i ka mbajtur mbi shpinë, sot do ju kërkojë falje që ju ka lënduar 'veglat'. Gomari, kur ujku i ishte hedhur mbi shpinë, lutej që e gjitha të ishte ëndërr. 'Kasta' lutet që SHBA dh BE mos ta kenë seriozisht atë që e kanë vendos, shkatërrimin e lidhjes së Korrupsionit me Krimin e Organizuar në nivelin e "Parisë Së Tiranës". Kujt i luten? I luten vartësve ,zullumqarëve të nivele më të ulta, që mos të flasin. Ndërsa ish ministrat e sot avokat akuzojnë popullin si turma që kërkojnë gjak. Populli kërkon konfiskim të pasurisë së grabitur. Por edhe ndëshkim penal. Se burgu qoftë edhe simbolik, e zbret "Parinë e Tiranës" nga qielli i shtatë, te qelia ku me mijra shqiptar e kanë provuar, apo po e vuajnë akoma edhe për një cigare hashash, apo për dritat që nuk kishin mundësi ti paguanin.

      Lini një Përgjigje

      Editorial