TAGS-AT E JAVËS

Editorial22 Dhjetor 2025, 10:43

Veriu i Kosovës, një destabilitet i kontrolluar

Shkruar nga Gjergj Zefi
Veriu i Kosovës, një destabilitet i kontrolluar
Iber- Lepenci /

Sabotimet në veri të Kosovës nuk janë incidente të izoluara, por pjesë e një politike të vjetër destabilizimi, që tolerohet nga heshtja ndërkombëtare...

Sulmet ndaj kanalit të Ibër-Lepencit nuk janë devijime, janë vijëmësi. Të planifikuar, të synuar dhe të pozicionuar saktësisht mbi një pikë kritike të infrastrukturës jetësore të Kosovës, këto akte tregojnë më shumë se një krim: tregojnë një doktrinë.

Serbia ka dekada që vepron me të njëjtën strategji ndaj veriut të Kosovës: tension i përhershëm, por i kontrolluar; kriza të vogla, por të përsëritura; destabilitet që nuk kapërcen në luftë, por që pengon çdo konsolidim institucional.

Në këtë model, çdo sabotim është politik, edhe kur kryhet nga “persona të panjohur”. Mohimi është pjesë e planit. Strukturat paralele, trajnimi i militantëve, ndikimi mediatik dhe siguria që ofrohet për aktorët lokalë në veri, janë prova të një destabilizimi të mundësuar nga vetë shteti serb, pa qenë nevoja të firmoset zyrtarisht asnjë urdhër.

Përgjigjja ndërkombëtare mbetet e njëjtë: dialog për dialogun, e jo për zgjidhjen. BE dhe SHBA vijojnë të kërkojnë qetësi afatshkurtër, edhe kur provokimet bëhen sistematike. Kjo qasje, që i shmanget përplasjes së drejtpërdrejtë me Beogradin, në fakt e inkurajon modelin e destabilitetit të menaxhuar.

Nëse një sulm që përdor 20 kg eksploziv mbi infrastrukturë kritike nuk trajtohet si akt strategjik, por si “incident lokal”, atëherë kemi zgjedhur të mos kuptojmë as mesazhin, as metodën.

Paqja nuk rrezikohet nga retorika, por nga veprimet konkrete të pagjykuara. Kanali u riparua, por asgjë nuk është riparuar në terren. Sepse modeli i vjetër po funksionon: krijo tension, moho përfshirjen, ftohe situatën, e përsërite sërish.

Veriu i Kosovës nuk është krizë, është një politikë në zbatim të vazhdueshëm. Dhe Perëndimi, për aq kohë sa nuk i vë emër këtij realiteti, bëhet bashkëpunëtor i një paqëndrueshmërie të përhershme./Pamfleti

 

iber lepenci veriu i kosovës destabilitet i kontrolluar gjergj zefi

Lini një Përgjigje

Editorial