TAGS-AT E JAVËS

Editorial19 Dhjetor 2025, 11:32

Çfarë ngjyre ka macja?

Shkruar nga Fadil Lepaja
Çfarë ngjyre ka macja?
Karikatura (IA) /

Nga idealizmi i shoqërisë civile te prova e pushtetit: a mjafton moskompromisi për të qeverisur?

Në fakt, fabula jonë politike kishte filluar me një gomar, të mbuluar me një rrobë të bardhë ku shkruante: “Votoni për mua”. Edhe pse tre aktivistë të shoqërisë civile po e tërhiqnin gati zvarrë drejt Parlamentit të Kosovës, mbeti përshtypja e përgjithshme se “kandidatin për deputet” po e çonin atje përkundër vullnetit të tij.
Ishte një akt simbolik, një përqeshje e politikës, e sidomos e përfaqësuesve të popullit të asaj kohe, por ç’kuptonte gomari. Sot, dy nga ata që e sollën gomarin para parlamentit tashmë janë kandidatë për parlament. I treti nuk ia mësyu legjislativit.

Shumë ish-aktivistë të shoqërisë civile atëherë kërkonin vota për gomarin, sot kërkojnë vota për vete. Përderisa nuk janë ende të njohura arsyet e gomarit pse nuk donte të bëhej deputet, arsyet e shoqërisë civile që u konvertua në parti janë të qarta: donin të ndryshonin botën. Edhe këngëtarë, mjekë, humanistë, piktorë dhe njerëz të kulturës ia mësynë dyerve të parlamentit. Askush nuk i tërheq me detyrim.

Por çfarë ndryshoi nga ajo kohë? Atëherë ishin shoqëri civile, të pakompromis, të mbushur me idealizëm dhe retorikë të zjarrtë. Tash janë me përvojë qeveritare, ende të pakompromis. Atëherë fajësonin pozitën, tash fajësojnë opozitën. Vetëvendosja, një organizatë e ngritur për ndryshime, nga pafuqia për ta thyer krimin, duket se u ngjyros me të kuqe: mbron fukaranë, flet për barazi, për drejtësi sociale. Por e kuqja, a e zë miun? Për macen e kuqe e kam fjalën, nëse ka ndonjë të tillë.

Është mungesa e kompromisit një forcë? Kur je opozitë, kokëfortësia, pra mungesa e kompromisit, nxit ndryshimin, korrigjon proceset negative, e bën të dukshme gjendjen jo të pëlqyeshme. Lufta e pakompromis e Vetëvendosjes dikur e mbante gjallë shpresën e qytetarëve për një shtet ligjor, për një sistem të pastër nga korrupsioni. Por kur mungesa e kompromisit bartet në pozitë, dilema merr tjetër formë. Në vend që të nxisë ndryshimin, ajo të sjell në luftë me të gjithë ata që nuk janë me ty. Politika e pakompromis, kur je në pushtet, e shndërron artin e negocimit dhe të kompromisit në një betejë për shkatërrimin e tjetrit. A mund të funksionojë një qeverisje që nuk pranon asnjë kompromis, që e sheh kundërshtarin si thes që duhet goditur? Mund të thuhet edhe ndryshe: evolucion apo revolucion? S’ka të bëjë me Darvinin…

Për çfarë bëhet fushata? Vetëm për vota, apo përpjekje për të fituar mekanizmat e pushtetit, për të realizuar premtimet? Kur ishte opozitë, Vetëvendosja dukej si zëri i pakompromis, që e shihte fushatën si betejë morale, si luftë kundër padrejtësisë. Kur është qeveri, dilema është tjetër: si të menaxhojë një sistem të trashëguar, të ngurtë, ku çdo vendim kalon nëpër filtrat e interesave të vjetra. Retorika e zjarrtë është zëvendësuar me pragmatizëm të ftohtë, me llogari të brendshme dhe me kompromis të imponuar nga realiteti.

Çfarë rëndësie ka ngjyra e Vetëvendosjes? Sa mund të ketë barazi në një shoqëri që ngec? Kinezët thoshin: “Nuk është me rëndësi se çfarë ngjyre ka macja, por a e zë apo jo miun.” A vendosi drejtësi? A hapi rrugët e zhvillimit? A i bëri ndryshimet e premtuara? Sepse qytetarët nuk gjykojnë sipas ngjyrës, retorikës apo flamurit ideologjik. Ata gjykojnë sipas jetës së tyre të përditshme. Secili e di më së miri se kur ka jetuar më mirë, cilat janë prioritetet e tij dhe sa ka ndryshuar realiteti i tij.

Në fund, gjithçka varet nga aftësia për të kuptuar mesazhin e elektoratit. Jo nga ekspertët, jo nga analistët, por nga qytetarët që e dinë se kur buka ka qenë më e lirë, kur drejtësia ka qenë më e afërt, kur shpresa ka qenë më e gjallë. Bilanci nuk është vetëm numër votash, por një pasqyrë e jetës së përditshme. Vetëvendosja nisi me një gomar, sot është një mace e kuqe. Por dilema mbetet e hapur: a po e zë miun? Dhe më tej: a mund të bëhet politika e pakompromis në një sistem demokratik, pa e shndërruar qeverisjen në luftë të vazhdueshme me të gjithë?

Padyshim që Kurti ndodhet në një udhëkryq. Nuk është se nuk u shanë mjaft me partitë e tjera. Ishte një garë në arrogancë. Siç do të thoshte populli: “Nga e shara në të bërë, ndodhet një det i tërë…!” Po aq larg, në këto rrethana, mbeten premtimet e politikës nga realizimi. Dilema e përhershme me bukën mbetet: të prodhosh më shumë apo ta ndash më drejt? Parë thjesht, kjo ishte esenca e luftës historike mes së majtës dhe së djathtës, kapitalizmit dhe socializmit. Socializmi, në kulmin e fuqisë së vet, solli diktaturën, ndërsa kapitalizmi solli demokracinë.

Mbase nuk bëhet më fjalë për ushqim, as për paga… Ushqim dhe para ka mjaft në Evropë. Do të ikim apo do ta bëjmë Evropën?/Pamfleti

çfarë ngjyre ka macja

2 Komente

  1. P
    Porto

    Macja ka ngjyrën Sali.

    1. T
      Tony Zemerplasur

      Kosova qe ne kohen e Gjergj Kastriotit qe, kurre nuk luftoi krah tij e ka vertetuar historikisht qe eshte kotele e Beogradit. Deshe mevehtesi, na merre. Ke toke buke e burime natyrore bashke me Shqiperine per te jetuar si fisnik, e po cfare mutin do!? Tirana ju mbrojti, Tirana ju krijoi, e ju maloke te shitur te dreqi e i biri i bete karshillek Tiranes. He de, beni Parlament e Shtet, apo nuk kini kohe se coni njeri tjetrin ne Hage e ndertoni ekonomi byrekesh, kafenesh e dyqanesh me produkte te Beogradit. Nuk pashe e degjova nje Kacavar te ndihmoje e mbeshtese Shqiptaret ne emigracion ndersa Shqiptaret nuk lane gure pa levizur per t'i ndihmuar. Paret bac, paret bac, dini me thene, hani paret tash. Popull qe ju vjen ndohte me thene qe jam Dardan e shume krenare qe jane Kosovar. Bile e kane eliminuar emrin Kosova por thone Kosovo, puro serbo-sllavisht.

      Lini një Përgjigje

      Editorial