TAGS-AT E JAVËS

Editorial20 Nëntor 2023, 14:29

Tymi i Berishës si aksesor i penelit të Edi Ramës

Shkruar nga Gjergj Zefi
Tymi i Berishës si aksesor i penelit të Edi Ramës
Foto Ilustruese: Parlamenti sot! /

Askush nuk ka nevojë për flakadanët, përveç Edi Ramës që është tashmë një politikan i vizatuar si mafioz, apo Sali Berishës që është një i pandehur për korrupsion...

Deputetët që përkrahin Sali Berishën kanë zgjedhur si mjet politik të tyre kaosin për zhvillimin e seancave parlamentare. Kaosi, është një mjet për të treguar se ata janë, se ata qëndrojnë përballë Edi Ramës si një grup kundërshtar politik.

Megjithatë, ky tym, përveçse tregon se ata janë në fushë te bëtejës kundër Edi Ramës, për njerëzit ky aksion nuk përbën një dalje nga tuneli i gjatë që ka ndërtuar Edi Rama me qeverisjen e tij.

Madje, flakadanët që hedhin Salianji e Nallbati, që i marrin nga çantat e kolegeve të tyre të guximshme, duken pikërisht si ndriçuese për të ecur në tunelin e errët që Edi Rama ka ndërtuar. Një tunel, tipik si ai i Rrok Gjokës në Qafën e Murrizit, ku përparohet me metra, e përveç errësirës rrezikohet që t’i bjerë mbi kokë edhe masivi i malit. Fiks siç po rrezikon kjo opozitë, e cila po duket (e thënë me delikatesë se në fakt po e bën) sikur po tërhiqet zvarrë për hallin e Sali Berishës dhe familjes së tij me aferën e privatizimit të klubit Partizani.

Një protestë e fortë ndaj kësaj mazhorance, kësaj qeverie, ndaj Edi Ramës në veçanti, mund të bëhet në disa mënyra. Qoftë edhe e fortë, madje edhe me zjarr e hekur. Por duket se mënyra që kanë zgjedhur ata, ngjan si një aksesor i penelit të gjurulldisë, me të cilin Edi Rama pikturon, për të marrë rolin e viktimës.

Një pyetje vjen natyrshëm; a e penguan deputetët miratimin e buxhetit të qeverisë?

Jo!

A mund ta ndalojnë zbatimin e buxhetit?

Padyshim që kanë të gjitha mundësitë për ta bërë. Duke e çuar në Gjykatë Kushtetuese, duke protestuar për çdo zë të tij, edhe pse jo në shesh, por në bashkëpunim me ato kategori sociale, të cilat preken nga ajo ndarje e buxhetit që opozita e konteston.

Po cilin zë të buxhetit që u miratua, kundërshton opozita? Bohh!? Nuk dihet, sepse as nuk e kanë lexuar fare, as nuk e kanë diskutuar, e jo më të mendojnë se çfarë është keq e çfarë duhet të bëhet më mirë.

Më mirë se tymi në Kuvend për shembull, që në fund të fundit nuk se është fundi i botës, ja vlente që të protestohej për vijimin e pagesave të PPP-ve; që nga inceneratorët deri tek sterilizimi. Të cilat janë aktualisht si dosje hetimore në SPAK, e që konsiderohen vepra korruptive. Opozita duhet të kishte bërë një studim të detajuar, se ku duhet të kanalizoheshin këto qindra milionë në buxhetin e shtetit. Me detaje; sa për pensionet, sa për rrogat, sa për investimet e rëndësishme në zona që janë të izoluara e vuajnë për një urë, për një rrugë, sa për fëmijët që bëjnë rrugë në këmbë për të shkuar në shkollë.

Më mirë se në Kuvend, opozita duhet të protestojë me çdo komunitet që qan hallet. Pra në një farë mënyrë, të jetë në një nivel më lart se emisionet investigative në televizione, që merren me hallet e njerëzve.

Këtë mund ta bëjnë jo duke ikur të gjithë deputetët në zonë, por të rrijë atje deputeti i zonës. E në fund të mblidhen të gjithë në Tiranë për një protestë të madhe. Ndërkaq, ligjin e buxhetit, ta kërkojnë zyrtarisht e me argumente te Presidenti që të mos e dekretojë, por ta kthejë në Kuvend, për debate e plotësime.

Njëkohësisht ta çojnë edhe në Gjykatën Kushtetuese. Nëse nuk arrijnë atë që duan, të bëjnë protesta të mëdha, ta ndezin Tiranën, dhe t’i tregojnë Edi Ramës që nuk e kalon dot pasurinë e shqiptarëve sipas tekave të tij.

Me këto veprime që bënë sot, jo vetëm që nuk arrijnë gjë, por edhe i japin Bablokut rolin e një viktime, i cili- “i shkreti” është i rrethuar nga ca ekstremistë që nuk e lënë rehat për të zgjidhur hallet e popullit.

E për flakadanë të tillë askush nuk ka nevojë, përveç Edi Ramës që është tashmë një politikan i vizatuar si mafioz, apo Sali Berishës që është një i pandehur për korrupsion. Shqiptarëve, nuk u vlen asgjë. /Pamfleti

tymi i berishës aksesor i penelit të edi ramës

Lini një Përgjigje