TAGS-AT E JAVËS

Editorial18 Nëntor 2023, 17:10

Standardi i dyfishtë bajat i SPAK: pse u la i lirë Ilir Beqja?

Shkruar nga Gjergj Zefi
Standardi i dyfishtë bajat i SPAK: pse u la i lirë Ilir Beqja?
Ilir Beqja dhe Arben Ahmetaj /

Arben Ahmetaj u hetua për procedura qeveritare që nuk i kishte firmosur fare ai, por SPAK kërkoi arrest me burg, si dhe i sekuestroi pasuritë e tij dhe të ish-bashkëshortes…

Opinioni publik, por edhe çdo jurist, në vend apo jashtë tij, duke parë akuzat, me të cilat po përballej ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja, prisnin se ai do të arrestohej. Kjo sepse ai po hetohej për akuza të rënda, si korrupsioni pasiv, pabarazia në tendera e shpërdorim detyre, që së bashku kalojnë dënime që i kapin dy shifra. Plus që personi në fjalë është një recidivist, e me precedentë ligjore, ngase në të shkuarën ka pasur probleme me ligjin.

Gjykata Kushtetuese i ka hequr mandatin e deputetit, pasi ka përfituar tenderë publike ndërsa ishte anëtar i Parlamentit. Njëkohësisht ai ishte deri më sot drejtues i një agjencie shumë të rëndësishme qeveritare në rang ministri.

Pra kishte të gjithë prerogativat për të prishur provat, për të bërë presion që të prishej hetimi, apo të përdorte çdo makinacion që hetimi ndaj tij të zhvillohej siç ai e donte.

E në realitet, edhe sot që Beqaj është larguar nga detyra e drejtuesit të Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, sërish është një person i rëndësishëm.

Kjo pasi e dinë të gjithë se Beqaj është një njeri i afërt me Edi Ramën, e nuk ka asnjë mundësi që ish-ministri të bashkëpunojë me drejtësinë për të thelluar hetimin në lidhje me PPP-të në Shëndetësi. Të cilat kanë qenë ide, projekte dhe janë shtyrë përpara nga Edi Rama që kur ka ardhur në pushtet në vitin 2013. Është po Edi Rama që i ka paguar ato edhe në periudha të vështira për buxhetin si tërmeti e pandemia, duke thelluar borxhin e jashtëm të vendit.

Ndërsa Sali Berisha u trajtua me masën e detyrim paraqitje, ngase siç u tha përfitoi nga mosha, Ilir Beqaj nuk ka asnjë cen apo incentiv që të përfitojë mëshirën e prokurorëve të SPAK, pasi akuza që rëndon mbi të është shumë e rëndë.

Mjaft ta krahasosh këtë me rastin e Arben Ahmetajt, i cili u hetua për procedura qeveritare që nuk i kishte firmosur ai fare, por megjithatë SPAK kërkoi arrest me burg, si dhe i sekuestroi pasuritë e tij dhe të ish-bashkëshortes.

Arben Ahmetaj nuk ishte në detyrë në qeveri, që prej vitit 2021, madje nuk kishte asnjë mbrojte politike nga Kryeministri, i cili publikisht deklaroi në Kongresin e PS se do të “çoj për veshi në SPAK ndonjë nga të mitë”. Ndërkohë media pranë qeverisë e kanë sulmuar Ahmetajn që ditën kur Edi Rama ishte distancuar politikisht dhe fizikisht prej tij.

Ky standard i dyfishtë kur përdoret “shpata e Demokleut” për njerëzit që nuk i honeps Babloku dhe ‘thupra me pupla’ për të besuarit e Edi Ramës, nuk bën gjë tjetër, vetëm rrit dyshimet e ul besimin ndaj drejtërisë së re.

Në rast se do të ishte ashtu siç thotë Rama: që SPAK të mos shohë as majtas e djathtas, po drejt, atëherë do të shihnim jo vetëm Ilir Beqajn, por edhe Olta Xhaçkën, apo të tjerë në masë arresti me burg.

Njerëzit nuk se janë të etur të shohin vetëm të fuqishmit që shkojnë në prag të ‘shtatë penxhereve’ siç thotë Babloku, por duan të shohin Drejtësi që ndjek të njëjtën vijë për ata që dyshohen për korrupsion.

Blloko pasuritë, kontroll, izolim dhe gjyq sa më i shpejtë e sa më publik.

Me rastin e Beqajt, duket se është krijuar premisa që njerëzit të perceptojnë, se ata që janë luajalë me Bablokun edhe mund të hetohen, por në diell, të tjerët, atje në biruca… Ky është standardi i dyfishtë, madje bajat. /Pamfleti

standarti i dyfishtë spak ilir beqja i lirë

Lini një Përgjigje