TAGS-AT E JAVËS

Editorial16 Nëntor 2023, 14:16

Nuk është marrëveshje, është PAZAR!

Shkruar nga Pamfleti
Nuk është marrëveshje, është PAZAR!
Edi Rama dhe Giorgia Meloni /

Ato shëtitjet verore të Ramës me Melonin e kishin një qëllim: u bënë pazare me tokën shqiptare dhe shumë shpejt priten edhe surpriza të tjera të Kryeministrit, i cili ka gati edhe marrëveshje të tjera "falas" për fqinjët...

Edhe pse u ngatërrua me fjalët e veta dhe pikat e nxehta nuk i sqaroi dot gjithsesi, Edi Rama e tradhtoi veten dhe marrëveshjen e nënshkruar me Melonin për refugjatët afrikanë. Me të njëjtin cinizëm me të cilin përgjigjet për gjithçka, Edi Rama doli zbuluar për dy probleme të rëndësishme në intervistën e dhënë në një nga televizionet që i bën fresk nga mëngjesi në darkë.

Rama "sqaroi" se territori pranë zonës ushtarake të Gjadrit, në Lezhë do ti jepet në administrim shtetit italian. Do të jenë ata që do ta administrojnë territorin, kampin me gjithë 3000 emigrantët që pritet të vijnë aty çdo muaj. Pikërisht këtu qëndron kleçka e parë. Ne i detyrohemi Italisë, dhe kjo është e vërtetë, por a e justifikon kjo vendimin e Bablokut për të shkelur Kushtetutën duke i dhënë territor me të drejta të plota mbi të, Italisë?
Kjo marrëveshja, që Rama e mbajti sekret deri në momentin e fundit, me ligjet e shtetit shqiptar, duhej të kalonte në të tjera hallka deri në ratifikimin, dhe këto hallka, me siguri, nuk janë njerëzit e Kryeministrit.


Kleçka tjetër për të cilën Bablokut iu tha pështyma në gojë dhe nuk i dha dot drejtim, është çështja e procedurave, afateve dhe kohës që refugjatët do të kalojnë më Shqipëri. Rama tha se legjislacioni italian parashikon që vendimi për të pranuar ose jo një kërkesë për azil merret brenda 28 ditëve. Por, siç shtoi ai, eksperienca thotë se këto janë procedura që zgjasin. Pra, ne do të na vijnë 3 mijë azilkërkuesit e parë, por se sa kohë do të rrinë, këtë nuk e thotë dot, as Rama, as Meloni, as marrëveshja, fytyrën e së cilës nuk e ka parë kush akoma. Ndërkohë që, po sipas shpjegimeve të Ramës, destinacioni i azilkërkuesve dihet.

"Ata duan veriun e Evropës," tha Rama. "Po i lamë të lirë dihet se do të kërkojnë mënyra për të shkuar andej". Por cilat do të jenë kushtet e kampit dhe sa e zonja është Shqipëria ti respektojë ato. Një vend që emigracionin e paligjshëm e ka kryefjalë, kur gomonet me shqiptarë kalojnë Kanalin e la Manshit 3 herë në ditë, sa është në gjendje të ruajë afrikanët e etur, njësoj a më shumë se ne, për një jetë më të mirë?
Kësaj Rama nuk iu përgjigj dot.

As kësaj dhe as pyetjes që lind vetiu se, sa do ta stimulojë korrupsionin ndër ne, d.m.th ndër forcat policore dhe të mbikëqyrjes shqiptare, por dhe vetë trafikun e qenieve njerëzore, ky kampi me azilkërkues nga Afrika?
Kësaj Rama i bën bisht, si gjënë që di të bëjë më mirë.

Dhe përveç kësaj, edhe pse dihet se qëllimi i Ramës nuk është të shlyejë borxhet morale të Shqipërisë ndaj Italisë, por të luajë para evropianëve rolin e heroit dhe Kryeministrit eksponent në Ballkan, ka edhe një të fshehtë tjetër që Babloku nuk e pohon publikisht.

Kjo marrëveshja me Italinë nuk është edhe aq badihava. Italia do ti paguajë 100 milion euro në vit Shqipërisë për atë tokën që Rama e dha duke shkelur sovranitetin territorial të vendit. Ato shëtitjet verore të Ramës me Melonin e kishin një qëllim: u bënë pazare me tokën shqiptare dhe shumë shpejt priten edhe surpriza të tjera të Kryeministrit, i cili ka gati edhe marrëveshje të tjera "falas" për fqinjët.

Sepse të shesë Shqipërinë, Edi Rama nuk e ka për gjë. Mjafton të sigurojë disa ditë të lavdishme, sipas tij, më shumë në pushtet./Pamfleti

marrëveshje pazar rama - meloni

Lini një Përgjigje