TAGS-AT E JAVËS

Editorial12 Nëntor 2023, 11:38

Mafia e sportit: të blen, të shfrytëzon e pastaj të lë të vdesësh pa pikë mëshire

Shkruar nga Pamfleti

Mafia e sportit: të blen, të shfrytëzon e pastaj të lë

Rafael Duamena e kishte zemrën e sëmurë dhe ajo i pushoi papritur, por nuk është zemra ajo që e vrau atë. Rafaelin e vrau babëzia e një tjetër mafia që lulëzon pa pikën e frikës në Shqipëri: mafia e futbollit. Janë ata barkderrët që kapardisen nëpër ekrane dhe nuk u bëhet vonë, jo për një ganez që e dinë se çfarëdo që t'i ndodhë nuk do t'i bjerë njeri mbrapa, por as për askënd që merr frymë, për të cilin kanë interes...

Rafael Duamena mund të ishte një emër i panjohur për ata që nuk ndjekin Kampionatin shqiptar të Futbollit. Lajmi për humbjen e jetës në fushë, gjithashtu mund të kishte qenë - tepër i dhimbshëm - por edhe "i zakonshëm" për aq kohë sa ngjarje të tilla mund të ndodhin dhe propabiliteti që zemra të pushojë papritur, ekziston.

Por në rastin e Duamena-s ka një problem: Dihej që ai ishte i sëmurë me zemër, dihej që kishte nevojë për një ndërhyrje që quhet ‘Pacemaker’, e megjithatë e lanë të dilte në fushë, të vraponte e të vdiste papritur, në mes të ndeshjes.

A është rasti i tij, kronikë e një vdekje të paralajmëruar?

A është rasti i tij dëshmia, se edhe në futboll, ashtu si në çdo fushë tjetër në Shqipëri, jeta është krejt e pavlerë dhe babëzia ka çmimin më të lartë të mundshëm?

Jemi aq të zënë me korrupsionin e përbindshëm që është shtrirë kudo, me krimin dhe fukarallëkun,  sa nuk kemi kohë të mendojmë mbi disa të vërteta që mund të na kushtojnë aq shtrenjtë, sa janë për t’u pasur frikë.

Duke parë deklaratat e shkuara të Rafael Duamenas, kupton që ai ishte një i ri i apasionuar pas futbollit. Ganezi besonte në Zot dhe duket që të gjitha shpresat i kishte varur tek ai. Me shumë gjasë, paga që i jepnin shkonte edhe për familjen e tij, atje në Gana dhe kjo mund të ishte edhe një arsye tjetër e pathënë pse futbollisti vraponte, punonte, luante fort dhe e shtynte për më vonë ndërhyrjen që mund ta mbante në jetë.

Duamena mund të kishte shumë arsye që e shtynte ndërhyrjen, po klubi i futbollit për të cilin luante, çfarë bëri? A kishte një mjek ai klub? A duhet t'ia ndalonte lojën ganezit deri sa të paktën të merrej një garanci nga mjekët se, nuk rrezikonte të fikej në fushë?

A duhet të përgjigjet dikush për faktin se mendimi i vetëm ishte të fitoheshin para prej talentit për të vrapuar të një djaloshi futbollist, por i sëmurë?

Rafael Duamena e kishte zemrën e sëmurë dhe ajo i pushoi papritur, por nuk është zemra ajo që e vrau atë. Rafaelin e vrau babëzia e një tjetër mafia që lulëzon pa pikën e frikës në Shqipëri: mafia e futbollit. Janë ata barkderrët që kapardisen nëpër ekrane dhe nuk u bëhet vonë, jo për një ganez që e dinë se çfarëdo që t'i ndodhë nuk do t'i bjerë njeri mbrapa, por as për askënd që merr frymë, për të cilin kanë interes. Sepse si çdo bandë tjetër kriminelësh e dinë se janë të paprekshëm. Në Shqipëri krimi është modë dhe jeta nuk vlen asnjë qindarkë. 

Prandaj Rafael Duamena vrapoi e vrapoi në fushë deri sa vdiq, duke shpresuar vetëm në Zot. Të tjerët, përfshirë edhe mjekun dhe pronarët e skuadrës, bënë sehir, duke shpresuar edhe ata në Zot, por jo si Rafaeli që lutej për jetën e tij, por duke u lutur që Duamena t'u arkëtonte sa më shumë para. Para të ndotura me gjak e shpirt të një të riu që vdiq në fushë për faj të tyre. /Pamfleti

rafael duamena mafia e sportit

Lini një Përgjigje

Editorial