TAGS-AT E JAVËS

Editorial 9 Nëntor 2023, 09:14

Misteret e “vizitës” studimore të SPAK në SHBA

Shkruar nga Pamfleti
Misteret e “vizitës” studimore të SPAK në SHBA
10 prokurorët e SPAK në departamentin e Drejtësisë amerikane /

 Shumë shpejt do të ketë zhvillime pikërisht për atë që presin njerëzit; llogaritë e fshehta në banka të ndryshme në botë…

Ambasada amerikane e cilësoi interesante vizitën e 10 prokurorëve të SPAK në SHBA. Ishte një vizitë “studimore”, theksoi ambasada, e cila në faqen e saj ka përshkruar në mënyrë të detajuar takimet e prokurorëve special në instancat më të rëndësishme të institucioneve të SHBA.

Që nga DASH, Departamenti i Drejtësisë, FBI, DEA etj, ishin institucionet që kanë vizituar prokurorët e SPAK, për mëse një javë në një vizitë mjaft të rëndësishme edhe simbolikisht.

Kjo vizitë erdhi menjëherë pas shpalljes të pandehur të Sali Berishës, e në delegacion ishin dy prokurorët që kanë ndjekur dhe kanë çuar në gjykatë dosjen e klubit ‘Partizani’.

Simbolika tjetër është se, SPAK sot është institucioni që së paku nga aspekti protokollar është pritur më lart nga autoritetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ndërkaq, qeveria, Edi Rama dhe ministrat e tij kanë prej shumë kohësh që po përjetojnë një ‘thatësirë të vërtetë’ në kontaktet me autoritetet e larta amerikane.

Rama, edhe pse ishte në Nju Jork për mëse një javë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, nuk pati mundësi të shkonte në Uashington qoftë edhe për një vizitë normale. As në Departamentin e Shtetit, as në Kongres, pa Shtëpinë e Bardhë nuk e ka shkelur që prej kohës kur mori muxhahidinët në vitin 2014.

Ky është një sinjal mjaft i rëndësishëm, që vihet re qartë edhe në aktivitetin e ambasadorit të ri që Rama ka dërguar në Uashington, aktiviteti i të cilit arrin deri te takimet me aktivistë të mërgatës shqiptare.

Ambasadori Ervin Bushati nuk ka asnjë postim në faqen e tij apo të ambasadës shqiptare në Uashington, në lidhje me aktivitetet e takimeve të 10 prokurorëve të SPAK-ut.

Ndërkaq, në postimet periodike që ka bërë ambasada e SHBA në Tiranë për takimet e prokurorëve të SPAK, nuk duket askund ambasadori i Shqipërisë atje, i cili logjikisht duhet të shoqërojë çdo delegacion zyrtar që viziton Shtetet e Bashkuara.

Ky është një sinjal shumë i qartë që tregon situatën realisht të ngrirë mes dy kancelarive. E me anë të këtij mesazhi, duket se së shpejti do të kemi edhe të tjera lëvizje, që marrin shkas nga SPAK. I cili në vizitën “studimore” në Uashington ka shumë gjasa të ketë marrë përveç mbështetjes politike të shtetit më të fuqishëm të botës, edhe atë konkrete për dosjet e ‘peshqve të mëdhenj’.

Ardhja e letërporosisë për lobimet e LSI-së që është një nga aspektet thelbësore të dosjeve ndaj Ilir Metës, nuk duket se është materiali i parë që ka mbërritur nga Uashingtoni, i cili ka provat e duhura për korrupsionin e zyrtarëve të lartë të Shqipërisë.

Sikur thjesht DASH të këtë dorëzuar provat që ka ndaj të gjithë politikanëve që kanë shpallur Non Grata, duke nisur nga Sali Berisha, ato janë të mjaftueshme për të hapur proceset dhe për të bllokuar pasuritë.

E këtu duket se gjërat po lëvizin më shumë; shumë shpejt do të ketë zhvillime pikërisht për ata që presin njerëzit; llogaritë e fshehta në banka të ndryshme në botë. Ku janë fshehur miliarda euro./Pamfleti

 

misteret e vizitës spak amerikë

Lini një Përgjigje