TAGS-AT E JAVËS

Editorial 4 Nëntor 2023, 10:07

A është koha për luftë?

Shkruar nga Fadil Lepaja
A është koha për luftë?
Lufta /

 Paqja është interes vetëm i njerëzve të thjeshtë, atyre që zgjohen herët dhe flenë vonë, duke kaluar përmes një dite plot stres, për të siguruar ushqim, strehë dhe ... duke mbijetuar, me një fjalë. E kuptuat? Paqja nuk është më biznes që sjell përfitim...

“Si t’ndijshë erë lufte, ik djali jem!” Ky është titulli i një poezie i një poeteje dhe intelektualeje kosovare, e cila ka kaluar edhe vet nëpër zjarrin e luftës.

Dikur, idealiste që shkoi në luftë, sot nënë që nuk e kupton luftën, nuk gjen as edhe një arsye të vetme përse duhet me u nisë fëmijët në luftë. 

A ka arsye për luftë? A ja vlen? A është koha për luftë? Kur është koha për luftë? Shumë pyetje të mëdha të cilat nga ngrohtësia e shtëpisë tingëllojnë veç filozofike. A janë, veç të tilla?

Paqja nga një këndvështrim pak më ndryshe, është sikur biçikleta, i shërben shëndetit të individit dhe shoqërisë por nuk e lëvizë  industrinë. Lufta, po, është biznes i madh. Sa kushton një raketë hipersonike, një aeroplan lufte, një dron, një aeroplanmbajtëse, ...luftës i vjen era gjak dhe para.

Paqja është interes vetëm i njerëzve të thjeshtë, atyre që zgjohen herët dhe flenë vonë, duke kaluar përmes një dite plot stres, për të siguruar ushqim, strehë dhe ... duke mbijetuar, me një fjalë. E kuptuat? Paqja nuk është më biznes që sjell përfitim. Shëndeti nuk është biznes, sëmundja po. Njerëzit do të zgjidhnin shëndetin, por ata, i zgjedh sëmundja.

Ka vende ku njerëzit nuk kanë mundësi zgjedhjeje. Njerëzit e thjeshtë votojnë ose luftojnë për të tjerët.

Industria e paqes po dorëzohet, industria e luftës po grabitë dollarët dhe nuk po lejon të kalohet në nivelin tjetër të lojës. Lufta po bëhet industria dominuese...Por paqja nuk është as lojë or vëlla. Paqja është sikur parajsa, shëndeti, begatia, diçka që të gjithë e duan por është e paarritshme për shumicën. Gjithnjë lufton për to, sepse jeta është luftë e jo paqe.

Zhvillimi i teknologjisë, sidomos në sferën e energjisë dhe transportit, Inteligjencës Artificiale,  i shkencave organizative e shumë çka tjetër, e ka ngopur tregun dhe është rritur hovshëm numri i atyre që nuk blejnë për nevojë, por për qejf. Janë bërë legjitime pyetjet kur ka kaq bollëk përse ka kaq shumë varfëri. Dallimet në përmasa planetare janë ende shumë të mëdha, dhe ka tendencë të lëvizjes së njerëzve drejt vendeve të zhvilluara. Atje  refugjatët që ikin nga vendet e varfra bartin me veti bagazhin kulturor, traditën dhe kanë tendencë ta mbajnë edhe në ambientin e ri social e kulturor.

Lufta në Ukrainë dhe lufta globale që po formësohet mbi të njëjtat koordinata, ishte reaksion ndaj ndryshimeve që po e thyejnë industrinë tradicionale dhe rendin e vjetër shoqëror.

Kështu janë vënë në lëvizje mekanizma social që në mënyrë arbitrare përpiqen të ndalojnë gjithçka, për të ruajtur baraspeshën e prishur gjeopolitike. Disa (super)fuqive u kanë mbetur vetëm armët dhe ideologjia. Po luftojnë për të mbijetuar me çfarë kanë.

Kufijtë, janë margjinat kulturore të cilat po zhvendosen ose po hapen nën trysninë e interesave të reja dhe po i kontestojnë vlerat. Paqja është e mundur vetëm me kufij të qartë e të pranuar ...dhe të hapur.

Lufta është biznes i atyre që shkatërrojnë po aq edhe i atyre që rindërtojnë. Vetëm lufta sjell dinamikën. Përzierja e njerëzve, kulturave, interesave nëpër vendet e zhvilluara dhe ato në zhvillim, ka krijuar ekstra profitin që vjen prej krizës dhe luftës.

 Edhe pse heronjtë e njerëzve të sotëm janë militantë, askush deri më sot nuk e mori çmimin ‘Nobel’ sepse nisi një luftë. Lufta nuk ka vlerë morale.

Kryeministri izraelit betohet se tani është koha për luftë, në Ukrainë lufta po hyn në dimrin e dytë, populli që nuk ka mundur të ikë në Evropë jeton në infrastrukturë të shkatërruar dhe kushte të rënda jetese, pa kurrfarë sigurie. Populli palestinez, është kapur peng nga flakët e luftës, peng i militantëve të vet dhe i gjeopolitikës. Ashtu kanë mbetur peng serbët në veri të Kosovës, peng të krimit dhe gjeopolitikës.

Militantët i bindnin se është koha për luftë, luftë të shenjtë të nisur nga një manastir i vjetër, sikurse edhe palestinezët që nisen nga një xhami e vjetër, e rrethuar me themele kishash edhe më të vjetra. Si të mbrohesh nga militantët që në emër të popullit dhe lirisë së tij, apo në emër të zotit e mbajnë peng popullin e vet?

 “Mos ha pallavra n’emër t’dofar kauzash, idealesh, harroj msimet, predikimet, bindjet, parimet…krisja vrapit e ik!,

Kështu thotë poetja, nëna e cila nuk e kupton përse djali i saj duhet të luftojë...! Por ku të ikë ...kudo ka luftë, lufta është ende biznesi më i madh global, një hap para sëmundjes, sheqerit, kancerit...

Përse bëhen luftërat? Për paqe do të thoni ju? Për zotin? Për lirinë? Çfarë të thotë njeriu i thjeshtë përpos “Ikni nga oborri im, luftoni tjetërkund”? Dërgojini fëmijët tuaj në luftë! Ndoshta pikërisht për këtë arsye “Hamasi” hodhi raketat mbi të rinjtë që po argëtoheshin.

Në mediat globale lufta mund të jetë edhe argëtim publik, sikurse një film i mirë horror. Nejse de, aq i mirë sa mund të jetë një film horror. A nuk duket kështu derisa nuk “troket” mbi kulm... një raketë? Knock, Knock!/Pamfleti

Ky artikull është ekskluziv i Pamfletit, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Pamfletin dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

fadil lepaja a është koha për luftë

Lini një Përgjigje