Krijimi i Federatës Shqiptare në të cilën do të ruhej subjektiviteti juridik i Republikës së Kosovës, është e rëndësishme të kuptohet se, në rrethanat e reja gjeopolitike, gjithnjë e më shumë, do të shihet si faktor garantues i paqes dhe sigurisë në rajon...
Kosova deklaroi pavarësinë më 17 shkurt 2008, por pavarësia e saj nuk është njohur nga pesë shtetet anëtarë të BE-së, katër prej të cilëve njëkohësisht janë edhe anëtrë të NATO-s. Ky fakt e ka bërë procesin e integrimit të Kosovës në strukturat euroatlantike tejet të ndërlikuar. Në rast se vazhdon kjo ndarje brenda vetë BE-së dhe NATO-s, ecja drejt krijimit të Federatës Shqiptare, përveç si vullnet politik i popullit shqiptar dhe proces krejtësisht i natyrshëm, mbetet rruga e vetme e daljes nga ky qark i mbyllur.
Insistimi për ta mbajtur veriun e Kosovës si konflikt të ngrirë, pas 24 shtatorit, nuk kalon dot. Në këtë kontekst, Serbia ka intensifikuar keqpërdorimin e minoritetit serb për imponimin e tensioneve politike me qëllim që të imponojë kontroll politik në disa pjesë të Kosovës, veçanërisht ato me shumicë serbe, dhe vazhdon të aplikojë metoda që janë tipike neokoloniale. Këto tensione kanë ndikuar në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe kanë bërë që procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet tyre të jetë i vështirë.
Regjimi i Vuçiqit së fundmi po e veçon Kosovën, duke kaluar në aksion. Aplikimi i agresionit ushtarak të hapur dhe mospërfillja e plotë e integritetit territorial të Kosovës, shënon një shkallë të re të strategjisë serbe. Sidoqoftë, duke marrë parasysh realitetet aktuale gjeopolitike, tashmë ka shenja të forta se, aplikimi i këtyre metodave kundruall Kosovës, do të duhej ta dobësonte tutje ndikimin e Serbisë në Ballkan, duke imponuar rikthimin e plotë të faktorit perednimor.
Me Serbinë që hapur angazhohet për aneksimin e Republikës Serbe të Bosnjës dhe impenjimin e thellë të strukturave influencuese serbe në Malin e Zi, duke e shndërruar atë definitivisht në një Republikë Serbe të Adriatikut, kundërveprimi i ashpër i Perendimit mbetet akt i pashmangshëm.
Në fakt, duke pasur parasysh se projekti për implementim të përshpejtuar të “Botës serbe”, qoftë edhe përmes imponimit të një qeverie pro-serbe në Malin e Zi, apo të penetrimit të thellë të ndikimit të Kishës Ortodokse Serbe, ka ngritur frikën e ligjshme të fqinjëve të Serbisë që serbët etnikë të shndërrohen gjithandej në një “kolonë të pestë”, një shtrëngim i rregulloreve ligjore në kurriz të minoritetit serb, mund të përdoret si një mjet që do të inkurajonte migrimin e përshpejtuar të serbëve drejt Serbisë.
Është gjithashtu e dyshimtë që Serbia do të jetë në gjendje të mbështetet në aleatin e saj Rusinë, sidomos tani kur ajo është e zhytur keq në luftë me Ukrainën, e që do t’i shërbente si një “fuqi protektorale”, siç i kishte shërbyer në fillet e krijimit të shtetit modern serb në epokën e Luftës së Lindjes [1875–1878].
E ardhmja e Kosovës nuk duhet tutje të trajtohet si një çështje komplekse dhe e ndryshme nga shembujt historikë si bie fjala ai i Gjermanisë Federale, që pasoi me ribashkimin e saj gjatë
fundit të procesit të shkërmoçjes së BRSS-së.
Në rastin e Kosovës, pavarësia tashmë nuk është një çështje e hapur dhe subjekt i debateve ndërkombëtare. Kosova e ka shpallur pavarësinë nga Serbia më 2008 dhe është njohur nga një numër i madh i vendeve [117 sosh], me theks nga korpusi i shteteve të Perednimit- pra të demokracive liberale. Kjo mbështetje e botës perendimore nuk ishte e rastësishme. Fundja pozicioni i Kombit shqiptar, bazuar edhe në konfiguracionin shpirtëror të tij dhe përkatësinë kulturore oksidentale, duke qenë ndërkohë edhe si pjesë integrale e sferës së civilizimit perendimor, me pavarësinë e Kosoëvs ka fituar peshë specifike.
Historiani Eugen Weber në studimin e tij për bërjen e shtetit dhe shoqërisë franceze, Peasants into Frenchmen [Nga fshatar në francezë], propozonte disa “agjenci ndryshimi” – faktorë që ai mendonte se kishin qenë thelbësor në zhvillimin e shoqërisë moderne franceze. Ai fillonte me një kapitull të quajtur “Rrugë, rrugë dhe akoma më shumë rrugë”. Sipas tij, infrastruktura themelore, duke krijuar një komunitet kombëtar, mund të mobilizojë shoqërinë, të ndryshojë kërkesat e tyre dhe të transformojë agjendën politike.”
Dalja e UÇK-së në skenën politike në fund të eksperimentit që po dështonte me LDK-në në kapërcyell të shekullit që lamë pas, ishte faktori që ndryshoi në esencë agjendën politike ndër shqiptarë. Ndërkaq kompromisi që ju imponua kosovarëve përmes krijimit të Republikës së Kosovës, konform modelit austriak, ndërkohë do të filloj të cilësohet edhe nga faktori ndërkombëtar, si i përkohshëm. Merita për këtë, gjithësesi i takon Lëvizjs Vetëvendosje dhe brezit të politikanëve të dinjitetshëm që e drejtojnë atë. Fryma e krijuar tashmë rreth ideologut dhe drejtuesit të saj, në bazat e së cilës është mendimi politik më progresiv shqiptar, dominon jetën politike e shoqrore jo vetëm në Kosovë; ajo tashmë ka shtrirje gjithandej në hapësirën shqiptare. Ky mendim politik ka atë rol që kishin rrugët në Francë për shndërrimin e fshatarit në francezë. Kjo frymë politike gradualisht po e shndërron qytetarin pasiv shqiptar në qytetar aktiv dhe gjakues i bashkimit. Përqafimi gradual i konceptit mbi domosdoshmërinë e krijimit të Federatës Shqiptare, i ngritur mbi parimet e mednimit progresiv politik shqiptar dhe veprimi në përputhje të plotë me idealet e socialdemokracisë europiane, pa ra ndesh me interesat e Unionit Europian, është garntuesi real i fitores. Nëse shteti modern, por edhe BE-ja për shumëçka mund të konsiderohen edhe si produkt politik i koncepteve të Hobbsi-t mbi Leviatanin, të cilat bazohen në konkurrencën e fuqishme që ka shteti me shoqërinë, Federata Shqiptare rezulton si stadi më progresiv i këtyre koncepteve dhe garantuesi i paqes dhe progresit në rajon. Në këtë proces zhvillimesh, shih për këtë, e ardhmja e Kosovës është një çështje e rëndësishme dhe mbetet tutje interes edhe i demokracive liberale.
Krijimi i Federatës Shqiptare në të cilën do të ruhej subjektiviteti juridik i Republikës së Kosovës, është e rëndësishme të kuptohet se, në rrethanat e reja gjeopolitike, gjithnjë e më shumë, do të shihet si faktor garantues i paqes dhe sigurisë në rajon.
Ky akt sigurisht se do të marrë në konsideratë, përveç vullnetit politik të qytetarëve të të dy njësive federale, edhe proceset dhe veprimet e duhura paraprake, që gjithësesi duhet të jenë në përputhje me rregullat dhe standardet ndërkombëtare që për bazë kanë arritjen e qëllimeve të tij./ Pamfleti
Ky artikull është ekskluziv i Pamfletit, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Pamfletin dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Lini një Përgjigje