TAGS-AT E JAVËS

Editorial26 Tetor 2023, 10:08

Çfarë (anti) myslimanësh jemi ne shqiptarët?

Shkruar nga Fadil Lepaja
Çfarë (anti) myslimanësh jemi ne shqiptarët?
Falja e myslimanëve në sheshin "Skënderbej" /

Kush po dëshiron ta politizojë dhe aktualizojë fenë si të vetmen ideologji dhe mundësi politike?

E  kemi provuar! Nuk jep rezultate.

Po të ishim besimtarë të devotshëm, këto iniciativa nuk do të na shqetësonin, por...duket se nuk jemi. Po të ishim shqiptarë “të devotshëm” po ashtu, askush nuk do të shqetësohej nga diversiteti. Por, kemi kujdestarët që nuk flenë.

Nëse fillon të bjerë numri i pjesëtarëve të njërës bashkësi fetare, japin alarmin, sepse u duket se po prishet balanca e pushtetit të Zotit në tokë.

Në fakt, të shqetësuarit janë ata  të cilët e bazojnë fuqinë elektorale pikërisht te besimtarët. Nëse rrezikohet Zoti i tyre, si mund të jenë të qetë ata?

Ata nuk besojnë dhe nuk presin dot që kjo çështja e konvertimeve të rregullohet kur të shkojnë lartë në qiell, apo poshtë, kudo që të jetë ferri dhe parajsa. Duan ta zgjidhin politikisht, një çështje të cilën kushtetuta jonë demokratike thotë se nuk duhet ngatërruar me politikën.

Përse të përfshihet politika?

Ne shqiptarët, në këtë çështje jemi unik në përmasa planetare.

E patëm  provuar edhe çrrënjosjen me shtet, të religjionit.

Partia, Enveri, apo me renditje të kundërt, patën zhvilluar luftë kolektive ndaj religjionit.

Pas, Hrushovit, i cili asokohe na pat prekur në figurën e shenjtë të Stalinit, armiku numër një u shpall vet Zoti. Ai e kontestonte vetë Enverin. Aduti i krijuesit ishte koha. Enveri, jetoi sa jetoi dhe iku.  Pak vite pastaj u kthye edhe Zoti nga internimi. Në fakt, u kthyen përfaqësuesit e Zotit, me krejt koloritin  e mundshëm.

Pastaj erdhi shteti i ri demokratik, e rihapi këtë çështje, lejoi të hapen objektet fetare dhe promovoi  profilin e ri të qytetarit besimtar duke sulmuar Darvinin. 

U lejua konkurrenca edhe në këtë “biznes”. Shqiptarët si të pafe që ishin për një kohë,  filluan të krahasojnë se kush po jep më shumë para për të shtruar  rrugën e qytetarëve deri te Zoti. Disa e lëshuan dorën aq shumë sa e turpëruan edhe vetë Skënderbeun në sheshin e tij, në Tiranë. Nuk i zinte xhematin asnjë xhami. Vetëm sheshi “Skënderbej” kryente punë, por ...  pa Skënderbeun.

Kështu, ideatorët kërkuan të mbulohet përmendorja e “Skëndos” derisa ata kryenin ritet, të udhëhequr nga predikues të ardhur nga aty... prej nga erdhën edhe paratë. Demonstrimi i fuqisë dhe përhapjes drejt Evropës  u pa i mundur vetëm përmes këtyre manifestimeve publike. Kjo e ngjall edhe pyetjen problematike: çfarë myslimanësh janë shqiptarët? Është Tirana kryeqytet evropian apo ... çfarë?

Dikur, kur Perandoria Osmane e kishte arritur detin Adriatik, thuhet se jeniçerët i paskan hedhur shtizat në det, në drejtim të Romës. Shtizat nuk e kishin arritur Romën, por frika po.

Sot, ta diskutosh daljen, apo hyrjen kolektive në një fe, është politizim i fesë po aq sa edhe është islamizmi i cili predikon luftën e shenjtë dhe sheriatin. Është po aq politizim sa kur anti-islamistët godasin demokracinë dhe të drejtën e qytetarëve duke identifikuar besimtarët me lëvizjet politike që synojnë një rend që nuk ka të bëjë asgjë me qytetarinë dhe demokracinë.

Kush po dëshiron ta politizojë dhe aktualizojë fenë si të vetmen ideologji dhe mundësi politike?

Kush do ta konfrontojë vullnetin e qytetarit me vullnetin e Zotit? Kush do që besimin ta konfrontojë me demokracinë? Kush do luftë ndër fetare?

Në një vend dhe popull me një fe si janë serbët, ku identiteti fetar dhe kombëtar është një, kjo merr përmasat e një lufte ideologjike, ndërsa te popuj që kanë disa komunitete fetare kjo mund të marr formën e luftës ndër fetare dhe godet në vetë themelet e shtetit, shoqërisë dhe lirisë së qytetarëve.

Derisa perëndimi dhe Evropa e mund inkuizicionin dhe ja njohën qytetarit sundimin në tokë, organizmat e ndryshëm (gjeo)politik nën petkun e luftës për Zotin, po e luftojnë demokracinë duke e bartur sovranitetin në qiell, atje ku nuk mund të diskutohet për asgjë, atje prej nga “marrin mesazhe” vetëm ata.

Dikur krimet më të mëdha ishin kryer në emër të Zotit dhe në emër të popullit. Ata që pësonin ishin qytetarët. Në demokraci qytetari është sovrani i padiskutueshëm. Në emër të Zotit dhe popullit u shfarosën popuj dhe u shkelën të gjitha parimet e besimeve, të gjitha liritë qytetare. Mendoni se krijuesi i gjithësisë ka nevojë për përfaqësues politik apo mercenarë në tokë? Nuk keni besim në fuqinë e tij? Nuk besoni në dijen e tij universale?

 Sido që të jetë kjo iniciativë përpos se u dha rast ekstremit tjetër të marrin ca publicitet dhe të nisin një sherr publik, pyetjes se çfarë myslimanësh janë shqiptarët, ja shtron një pyetje po aq interesante: çfarë anti - myslimanësh janë shqiptarët?  Vërtetë a jemi? Çfarë jemi? Shoqëria jonë ka jetuar me shekuj me diversitetin por ka (mbi) jetuar disa dekada edhe pa Zotin...

E kuptuat, se po flisnim për iniciativën e një grupi qytetarësh nga Deçani i Kosovë,  për të braktisur islamin? Po me çfarë do mbulojmë dështimet tona pastaj? Kur dhe si do të dallojmë besimtarët nga islami politik? Si do të dallojmë të drejtën e besimit nga keqpërdorimi i lirisë .../Pamfleti

Ky artikull është ekskluziv i Pamfletit, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Pamfletin dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

çfarë myslimanësh janë shqiptarët fadil lepaja

Lini një Përgjigje