Ku je o Ilir Meta?
Në kulmin e protestave që pasuan vrasjen e Klodian Rashës nga një polic patrulle, reperi Stresi, një nga udhëheqësit e atyre protestive, ulëriti në bulevard: “Ku je Ilir Meta?!”
Një thirrje që nuk duket se vinte nga vetë këngëtari-aktivist, i cili siç dihet është i afërt me Sali Berishën. Babai i tij ka qenë një truprojë e ish-Presidentit e ish-kryeministrit.
Pra, kjo thirrje erdhi nga Sali Berisha, edhe pse jo me zërin e tij.
Ai kërkoi që Ilir Meta të ndërhynte, sadopak që të mundej që të hidhte pak benzinë zjarrit të ndezur.
Presidenti nuk e bëri…
Siç nuk e ka bërë disa herë kur është thirrur.
Ndërhyri politikisht në zgjedhjet e vitit 2021, ku më shumë sesa një manovër efikase, ajo u duk një vetëvrasje. Sjelljet e çartura të Ilir Metës, çuditën asokohe në studiot e tyre edhe njerëzit mediatikë të Sali Berishës. Megjithëse i ecën lojës së tij, pasi në fund të fundit, loja kishte filluar.
Si përfundim, Meta nuk bëri as ngujimin në presidencë, e as si Salvador Aljende. Dorëzoi presidencën dhe nisi rrugën në një parti të shkatërruar të cilën e riemërtoi. Me një qëllim të qartë. Ai kërkonte nga Sali Berisha që Partia e Lirisë të marrë një pjesë të ushtarëve të doktorit, me qëllim që të ecin dy parti opozitare së bashku, për të marrë fuqinë e Lulzim Bashës.
Por Sali Berisha, edhe pse e mbajti afër, ai kurrë nuk ju afrua aq shumë Ilir Metës, sa të arrinin një ngjizje. Edhe pse i mori hua logon e tij në tre zgjedhje që u zhvilluan: ata të 6 marsit 2021, të 14 majit të këtij viti dhe të pjesshmet e Kukësit pas skandalit Gjici, gjithsesi Berisha e Meta nuk u shkrinë. Madje as grup parlamentar i përbashkët nuk u bënë, edhe pse ishin shanset edhe vjet në shtator, edhe sivjet.
Madje, edhe takimet ndërmjet Sali Berishës dhe Ilir Metës pasi doktori mori ndërtesën e ish-SHQUP-it kanë qenë të çuditshme. Vetëm pak minuta, jo publike. Ku sipas të gjitha gjasave është konkretizuar një aksion i përbashkët.
Ndërkaq, inati i Sali Berishës këtë radhë me Ilir Metën, është edhe më i madh, e këtë, ai e tha hapur te Blendi Fevziu këtë të enjte. Ilir Meta iku nga Shqipëria, pikërisht ditën kur u arrestua Jamarbër Malltezi.
Kjo “koeçidencë” e ka futur në ankth Berishën, i cili ka kërkuar me kohë nga Ilir Meta, që ta furnizojë me inteligjencë, pra me lajme të brendshme, të cilat kreu i Partisë së Lirisë, i ka më shumë nga brenda mazhorancës.
E ky rasti i fundit e ka futur në ankth. Postimi i Ilir Metës në faqen e tij pasi Sali Berisha u shpall i pandehur ishte një deklaratë jo vetëm e ftohtë, por e pa koordinuar. Doktori ka pritur që Iliri jo vetëm ta merrte në telefon pas “të premtes së zezë”, por t’i shkonte në zyrë, të dilnin të dy bashkë para mediave, madje edhe me grupin e deputetëve të Partisë së Lirisë, të cilët e braktisën në “natën e vetmisë së madhe”. Kur Sali Berisha kishte nevojë më shumë se kurrë për njerëz që i rrijnë pranë dhe e ngushëllojnë.
Dhe siç e tha vetë doktori: Ai nuk ka arritur dot të kontaktojë me Ilir Metën. Telefonat e tij, të së shoqes, të njerëzve pranë tij nuk kanë pasur disponim.
E ky është realisht misteri i lëvizjeve të Ilir Metës. Së bashku me mjegullën që po përhapet. Ku është? Në Gjermani, apo Austri? Po kërkon strehim politik në Hungari si Gruevski? Po Ilir Meta ka deklaruar se unë nuk jam Gruevski.
Çfarë bëhet atëherë?
Një burim i rëndësishëm brenda mazhorancës i tha ‘Pamfleti’-t, se ikja e Ilir Metës që u shpërnda nga njerëz të Edi Ramës, nuk është kuturu. Flitet për një komunikim mes palësh. Madje ka edhe fjalë që prej kohësh janë zhvilluar transaksione frenetike për të shitur asetet jo publike që zotëron Ilir Meta. Këto të dhëna janë marrë vesh nga agjencitë ndërkombëtare, të cilët kanë furnizuar SPAK me të gjitha të dhënat, dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, po merret me kujdes me këto detaje, siç edhe me lëvizjet e ish-Presidentit. I cili, si ish- kreu i Shtetit për 5 vite, ka jo vetëm esportë, por edhe një status të veçantë.
Edhe pse ligjërisht një ish-President nuk ka nevojë për leje nga Kuvendi që të arrestohet, marrja e tij në masë sigurie nuk është aq e lehtë.
Pra, që ka një problem këtu ka, dhe është i madh: Ilir Meta do të duhej të ishte prezent në të gjithë javën më të vështirë për Sali Berishën. Zgjodhi të mos e bënte. E ky është zhvillimi më i rëndësishëm politik e lajmi më i madh. Jo më kot mos mëshimi i këtij lajmi nga mediat pranë Berishës tregon se atyre i djeg mjaft.
Ilir Meta, me fjalë të thjeshta, ka zgjedhur të mos jetë në krah të Sali Berishës kur ai dhe njerëzit e tij kërcënojnë me luftë civile. E kjo nuk është gjë tjetër veçse një “negociatë” e ish- Presidentit. E cila shumë shpejt do të dalë në shesh…/Pamfleti
Lini një Përgjigje