TAGS-AT E JAVËS

Editorial14 Nëntor 2023, 10:43

Edi Rama, ky padron "pa prona" i Shqipërisë

Shkruar nga Pamfleti
Edi Rama, ky padron "pa prona" i Shqipërisë
Edi Rama /

 Historia ka provuar se të tillë autokratë kanë fund të hidhur dhe vdekja ju vjen pikërisht nga aleancat e pandershme dhe fluide që ndërtojnë duke injoruar të vetët, por edhe sa do të zgjasë Edi Rama?

Edhe pse kanë kaluar ditë nga surpriza aspak e bukur e marrëveshjes me Italinë për çështjen e azilkërkuesve afrikanë, Edi Rama ende nuk ka dalë të japë një sqarim publik për vendimin e tij. Me shumë gjasë as nuk do të dalë ndonjëherë. Kjo, nuk do ishte as e para dhe as e fundit herë kur Kryeministri i Shqipërisë injoron, qeverinë po e po, por edhe popullin e vet.

Nuk ka informacion as si do t'i mbajë Shqipëria këta azilkërkues, as se si do t'i trajtojë, as bazë ligjore se si do të funksionojnë këto kampe ku do të rrinë njerëz që nuk kanë asnjë lidhje me asnjë kërkesë për shtetin shqiptar. Një problematikë e ngritur edhe nga mediat italiane, për Melonin, e cila gjithashtu shkel ligjet evropiane me vendimin për të trajtuar azilkërkuesit jashtë territorit të Europës, pa përmendur të drejtat e njeriut (azikërkuesve) që shkelen në këtë rast.

Por ky është hall i Melonit, prandaj le ta zgjidhë vetë ajo.

Shqetësimi shqiptar është ky "Meloni" ynë që, edhe një herë tjetër, u soll si pronar i Shqipërisë, me të drejta të plota për të vepruar mbi tokën dhe jetën shqiptare. Sepse në vendimin e Edi Ramës, ka disa probleme ulëritëse dhe shqetësuese që duhen ndaluar një orë e më parë.

E para, kur gazetarët italianë e pyetën Edi Ramën se përse kishte zero transparencë për marrëveshjen, ai me arrogancën që e karakterizon u përgjigj se "në fillim bëhet marrëveshja,  pastaj kalon në qeveri, parlament. Nëse qeveritë duhet të bien dakort me të gjithë për çdo gjë, nuk mund të bëjnë as marrëveshje,  as një vendim".

Nuk pyeti pra! Por këtë marrëveshjen kur dhe kush ta hartoi z. Rama? Se nuk ra nga qielli. Ti ose dikush afër teje e ka menduar pa ka shkuar deri tek ajo letra që firmosët!

Informacion zero!

E dyta, Meloni nga ana e vet doli e i sqaroi italianët. Fundja, duke shkelur ligje europiane a jo, Meloni po çon ujë në burimin e saj. Po ky Kryeministri ynë, kur u kthye pse nuk doli të flasë për median shqiptare? A nuk e meriton publiku shqiptar një sqarim për këto marrëveshjet e Edi Ramës? Nuk është hera e parë që ndodh kjo e me siguri nuk do të jetë as e fundit.

Rama nuk e ka marrë kurrë në konsideratë popullin e vet!

E treta, me kë u konsultua Rama? Italia, me të drejtë mund të gëzojë për marrëveshjen me Shqipërinë, por kush do të dalë të sqarojë se çfarë efektesh sociale do të ketë kjo marrëveshje për ne? Do të ndërtohet një kamp nga Italia, por si do të administrohet ai? Kujtoni që kryeministri ynë e ka moto pune nënshtrimin dhe shërbimin me sy mbyllur ndaj të huajve. Vite me parë u vetë ofrua të çmontonte armët kimike të Sirisë në Shqipëri (atëhere shqiptarët ende besonin tek protesta), ndërsa vite me vonë solli 3000 muxhahedinë që pak muaj më parë rezultoi se bënin edhe punë të pista nën rrogoz.

Pra sa e si do të ndikojë për Shqipërinë ky vendim personal i Edi Ramës?

E katërta, eksperienca thotë që këto lloj marrëveshjesh kanë rezultuar të dështuara më parë, pse beson Rama se në Shqipëri do të ketë sukses?

BE e ka provuar një marrëveshje të tillë me Tunizinë, por kjo e fundit refuzoi më pas dhe nuk pranoi të ndërtonte qendra emigrantësh në vend. Edhe Britania e Madhe muaj më parë provoi të lidhte marrëveshje me Ruandën për ti çuar atje azilkërkuesit e vet, por edhe kjo marrëveshje dështoi.

Pse ky palo Kryeministër beson se Shqipëria mund të funksionojë si vend tranzit azilkërkuesish?

E pesta: Ka një problem të madh në politikën e jashtme të Edi Ramës. Po të analizosh të gjithë 10 vjeçarin e qeverisjes së tij, nuk është e vështirë të kuptosh se Rama i përdor marrëdhëniet me politikanët amerikane dhe europianë si mjet për të forcuar pushtetin e tij. Duke injoruar të vetët, duke shitur çdo gjë që i kërkojnë, me sjellje kriminale ndaj popullit të vet ai ka fituar mbështetje fluide ndër vite nga politikanë që e kanë parë këtë sjellje të Kryeministrit të Shqipërisë për interesa të veta. Përveç kësaj kjo përmbush edhe një ego patologjikisht të sëmurë të Edi Ramës për pushtet. I trembur deri në palcë nga frika e përmbysjes, Edi Rama e ka të nevojshme këtë lloj mbështetje.

Por edhe sa do të zgjasë kjo gjë? Edhe sa kohë do ta mbulojë dështimin e qeverisjes së vet Edi Rama me këto sjellje prej padroni të Shqipërisë? Historia ka provuar se të tillë autokratë kanë fund të hidhur dhe vdekja ju vjen pikërisht nga aleancat e pandershme dhe fluide që ndërtojnë duke injoruar të vetët, por edhe sa do të zgjasë Edi Rama?/Pamfleti

edi rama padron pa prona shqipëria

Lini një Përgjigje

Editorial