TAGS-AT E JAVËS

Editorial17 Nëntor 2023, 09:35

Fenomeni “Luci”; ligji që shkelet me carta biancha-n e Bablokut

Shkruar nga Pamfleti
Fenomeni “Luci”; ligji që shkelet me carta biancha-n e Bablokut
Luca dhe Babloku

“Mos vidh o njeri se është haram” thotë edhe Babloku, kur kthehet shpesh në trajtën e një hoxhe babaxhan. Por si ai hoxha i anektodës u thotë: bëni si them unë, e jo si bëj unë bashkë me Lucin tim!

Mediat publikuan një njoftim të policisë së Sarandës, që flitej për një rast të rëndë, ku disa punonjës së kompanisë së Gjergj Lucës, kishin marrë nga moli i portit, një anije-velierë të sekuestruar nga policia.

Për këtë ngjarje, Gjykata e Sarandës dhe prokuroria, kanë marrë masat e duhura, kanë proceduar autorët e rrëmbimit të mjetit lundrues, ndërkohë që është proceduar edhe punonjësi i policisë i ngarguar për ruajtjen e administrimin e saj.

Siç shihet qartë, kemi të bëjmë me një veprim në kundërshtim me ligjin të personave nën hetim, pasi mjeti ishte nën administrimin e organeve ligjzbatuese.

Ndërsa, Gjergj Luca, me anë të një mesazhi në video, akuzonte ata që ai i quan “media të tallavasë”, për publikimin e lajmit, pasi sipas tij, peshkatarët e “Rozafës” thjesht kanë marrë një pronë që u takon.

Ndërkaq, e quante “keqkuptim” procedimin ligjor që ka nisur gjykata e Sarandës.

Mjeti lundrues velierë, është gjetur në det në qershorin e këtij viti, e sipas informacioneve ajo do të trafikohej në Malin e Zi, për t’ju dorëzuar kompanisë së serbo-malazezit Vladan Bojiç, i cili ka firmën “Dando Fish Shëngjini Sh.p.k” dhe është ortak i Lucës.

Po informacionet theksojnë se skema dështoi pasi te radarët detarë ka akses edhe Guardia di Financa e cila u fut në aksion dhe kapën velierën e peshkarexhën “Rozafa 14” në afërsi të Semanit, prandaj Delta Forca-Vlorë dhe policia shqiptare nuk e fshehën dot grabitjen dhe u detyruan ta raportojnë.

Gjithsesi, ky informacion mund të kontestohet nga kompania dhe personi që e drejton atë, e qetësisht mund të priten procedurat ligjore për të ndjekur çështjen. Por nuk ndodhi kështu; pa ju dridhur qerpiku, njerëzit e Lucës kanë shkuar në pikën e mjeteve të sekuestruara dhe e kanë marrë atë duke kryer një vepër edhe më të madhe penale. Për këtë, vetë Luca thotë në video, se punonjësit e tij nuk kanë bërë gjë tjetër, veçse kanë marrë pronën që u takonte atyre.

Po nëse ajo ishte një pronë e tyre, përse ndodhej në pikën e grumbullimit të policisë kufitare?
Si mundet që një individ apo subjekt, të hyjë në një institucion dhe të prekë një territor që mbrohet nga ligji? Madje, drejtuesi i këtyre individëve thotë se e kanë bërë, ngaqë mjeti u takon atyre.

Normalisht, nëse një njeri i thjeshtë, apo qytetar do ta bënte këtë veprim që bëri Luca, do të konsiderohej as më pak e as më shumë po bashkëpunim në krim, apo favorizim i një vepre penale. Apo edhe pengim i organeve të shtetit.

Në rastin aktual nuk ndodh, se Luca është njeriu i afërt i Edi Ramës, është njeriu që e mbron publikisht më shumë se një ministër i qeverisë, më shumë se një drejtues i PS-së. E ka atributet e forta ku lëviz strukturat shtetërore, bashkitë ku vepron apo organet e tjera. Ngaqë është shpallur si njeri i afërt i Bablokut, i cili i ka dhënë prona shtetërore pa hesap për t’i përdorur në biznesin e vet.

Në çdo fushatë elektorale takimet me “komunitetin e peshkatarëve” ku spikat Luca bashkë me Bablokun, i kanë dhënë një carta biacha. Të cilët personi në fjalë e përdor edhe për të cilësuar “keqkuptim” një shkelje ligji, edhe për të sulmuar egërsisht mediat, edhe për të thënë në televizionin publik se narkotrafikantët që merren me hashash janë thjesht “njerëz të guximshëm”. Ndërsa sot pranoi se ka qenë hajdut, ka vjedhur, siç tha “siç kanë bërë të tërë”.

Por kjo nuk është e vërtetë, kanë vjedhur vetëm ata që janë hajdutë e i ka lënë pushteti që të vjedhin. Ndërkohë që në Kodin Penal të Republikës, vjedhja është ende një krim penal nga më të dënueshmit. Siç është sa vetë jeta në 10 urdhëresat që Zoti i dha Moisiut.

“Mos vidh o njeri se është haram” thotë edhe Babloku, kur kthehet shpesh në trajtën e një hoxhe babaxhan. Por si ai hoxha i anektodës u thotë: bëni si them unë, e jo si bëj unë bashkë me Lucin tim!/Pamfleti

gjergj luca gjykata e sarandës

Lini një Përgjigje