Dyfytyrësia e SPAK dhe si e shkatërroi drejtësinë Edi Rama: Për Arben Ahmetajn tha se, “po të jem gjyqtar apo prokuror, e dija unë si flisja”, duke çuar një mesazh direkt që “bjerini qafirit”, kurse në rastin e Ilir Beqajt, kërkon etikë për 2 metroshin që jeton në luks që prej kur është pjesë e qeverisë?
Perceptimi i publikut për korrupsionin e madh 30 vjeçar të politikanëve shqiptarë, ka qenë dhe është se ata janë kthyer në një makineri përfitimesh që vetëm shtohen.
Këta zyrtarë; të mëdhenj, të mesëm apo të vegjël siç po e tregojnë edhe hetimet, nuk marrin thjesht ryshfete për ndonjë favor, si kadilerët e bejlerët e dikurshëm të perandorisë osmane.
Por kanë krijuar një mekanizëm zinxhir, ku jo vetëm përfitojnë para publike, por i investojnë ato në bizneset e tyre, që vijojnë gjithashtu të rimarrin para publike, madje edhe përjashtohen nga pagesa e taksave.
Rasti i fundit i çështjes ‘Xhaçka’, ku burri i saj Artan Gaçi mori një tokë me letra të falsifikuara, përfitoi edhe statusin e investitorit strategjik, i cili i jep mundësi që të mos paguajë taksat, është emblematik.
Por nuk është i vetmi. Kështu edhe Lefter Koka, siç e tregoi edhe procesi gjyqësor, paratë e destinuara për të ndërtuar inceneratorin e Elbasanit ja dha kompanisë së tij, që shiste sheqer. E këtë kompani me letra e kishte gruaja e tij.
Po ashtu, edhe Ilir Beqja, i cili administronte fonde ndërkombëtare, ja dha këto fonde një restoranti, ku kishte qenë aksionere e shoqja, pra ai vetë. Ndërkohë që po e shoqja doli aksionere edhe në fermat e Finiqit.
Gjithashtu, Alqi Bllako, paratë që duheshin dhënë për konsulencë mjedisore, ja dha babait të vet, gjoja specialist, pra i mori vetë.
Këto janë fakte tashmë të pakundërshtuara, edhe nga personazhet kryesore që janë hetuar apo dënuar, të cilët nuk i kanë mohuar por thjesht janë munduar të justifikohen e të japin argumentet e tyre.
E megjithatë, asnjë hetim pasuror nuk po ndodh me këto pushtetarë, faktet mbi abuzimet e kalimit të parave në ‘miraditë’ e familjes, apo atë që në gjuhën juridike quhet pastrim i produkteve të pasurimit të paligjshëm.
Vendimi i Gjykatës së Lartë ndaj sekuestros së pronave të familjes Berisha, është një dispozitiv që forcon edhe më shumë këtë logjikë. Mirëpo fakt është se kemi të bëjmë me një hetim me dy standarde.
I cili, ka një perceptim të gjerë se ka një lidhje nga gjestet e trupit apo të prapaskenave të kreut të mazhorancës Edi Rama.
I cili, në mënyrë direkte thuajse në të gjitha rastet e ngjarjeve nga SPAK me njerëz të qeverisë së tij, ka dhënë sinjale të qarta.
Më shumë se një herë ka dhënë sinjale direkte tek prokurorët në mënyrë sugjestionuese. Bëhet fjalë për Ilir Beqajn, për të cilin ka thënë që mos i thoni hajdut, sepse akuzohet për shpërdorim detyre.
I fundit është rasti i intervistës tek Opinioni i Blendi Fevziut, kur ky i fundit ironizoi tashmë anektodën e rrëzuar të “hajdutit 2 metra”.
Rama ka thënë se ne nuk ndërhymë në punë të drejtësisë, apo nuk mbrojmë askënd. Secili të marrë avokat e të mbrohet vetë. Po përse atëherë, për Arben Ahmetajn, po te Fevziu tha se “po të jem gjyqtar apo prokuror, e dija unë si flisja”, duke çuar një mesazh direkt që “bjerini qafirit”, kurse në rastin e Beqajt, kërkon etikë për 2 metroshin që jeton në luks që prej kur është pjesë e qeverisë?
Duket se këtu nis e zë fill pikërisht zelli i prokurorëve për të hetuar të gjithë familjen e ish-familjen e Arben Ahmetajt, që nga ish-gruaja e partnerja, e deri tek motra, nëna apo familjarë të tjerë. Ndërkohë kur thjesht fakti që burri i një ministreje merr një benefit me vendim qeverie, është më shumë se abuzim me detyrën, e është flagrant. Sekuestrimi i pronës është gjëja e parë që duhet të ndodhë, edhe sepse kështu thotë ligji, por edhe sepse besimi i njerëzve më shumë për një burgosje masive është pikërisht gjetja dhe evidentimi i pasurive të vjedhura. Pikërisht ky standard duhet të jetë i shtrirë e i barabartë për të gjithë, pavarësisht se mërzitet Babloku. Është kosto e madhe, por më pas peshorja anon shumë, e nuk është drejtësi. Por një vendim kadiu që shikonte për nga mytesarifi./Pamfleti
Lini një Përgjigje