Bashkia e Tiranës po trajtohet si Berlini i pas luftës, ku forcat fituese apo pushtuese të Gjermanisë e administruan qytetin duke e ndarë në zona influence...
Sot Edi Rama vendosi që të largoje të gjithë administratën e zgjedhur të bashkisë së Tiranës me votat e qytetarëve më 14 maj 2023.
Por ndryshe nga bashkitë e tjera, ku u hap një konkurs për të zëvendësuar nënkryetarët e drejtorët e larguar, në Tiranë, Rama po zbaton një strategji plaçke e grabitje.
Në këtë ndryshim që ka ndërmarrë kryeministri, duket qartë se sa është forca politike e Erion Veliajt. Rama e ka pasur të pamundur që të vendosë një person në drejtimin e Bashkisë.
Sipas konfigurimit të nënkryetarëve, duket se janë vendosur sejmenë të ministrave të qeverisë.
Gonxhe ka emëruar në postin e nënkryetarit, drejtorin e Drejtorisë së Automjeteve, Ilir Mengra, Malaj ka emëruar nënkryetare drejtoreshën e buxhetit Vasilika Vjero, Blendi Sulaj ish zyrtar i Partisë Republikane të Mediut dhe Gentian Keri, i cili ka punuar si sekretar i përgjithshëm në ministrinë e Energjitikës.
Ky operacion i Edi Ramës, duket se ka një synim të qartë për ta kthyer bashkinë e Tiranës në një terren lufte ku të çmontohet e gjithë administrata e të konsiderohet si plaçkë lufte. Në një farë mënyre, Bashkia e Tiranës po trajtohet si Berlini i pas luftës, ku forcat fituese apo pushtuese të Gjermanisë e administruan qytetin duke e ndarë në zona influence.
Synimi i Ramës duket se ka një arsye, pas një deluzioni që ka marrë në zgjedhjet e 11 majit në Tiranë, ku Partia Socialiste ka humbur më shumë se 2 mijë vota në çdo njësi bashkiake. Rama e shikon këtë si një rrezik të madh, ndaj ka futur në lojë ministrat që ata të marrin në dorë punësimet dhe menaxhimin, në mënyrë që në zgjedhjet e ardhshme ata të kenë përgjegjësinë për të rritur votat. Edi Rama, duket se po i paraprin një revolte të Erion Veliajt dhe mbështetësve të tij, të cilët nuk pranojnë të lëshojnë kryebashkiakun e Tiranës, siç ka bërë Edi Rama. I cili në një sondazh që ka kryer kohët e fundit me një institut të njohur, ka marrë një rezultat të keq për të dhe të mirë për Veliajn. Pasi, sipas sondazhit, shumica e qytetarëve vijon të ketë një perceptim pozitiv politik për Erion Veliajn.
Ndaj, Rama ka vendosur ta plugojë totalisht terrenin politik të bashkisë së Tiranës, duke hequr të gjithë personazhet aktuale dhe t’i zëvendësojë jo me një administratë publike, por me të emëruar politik.
Të cilët, duket se do të jenë baza e një loje të ardhshme politike në zgjedhjet e pjesshme nësë zhvillohen, apo zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2027.
Sipas sinjaleve që vijnë nga këto emërime, duket qartë se Rama po kërkon të lançojë Vasilika Vjeron si një personazh politik, e cila nuk është çudi nëse do të kandidohet për kryetare në zgjedhjet e ardhshme. Realisht ajo është nënkryetarja më e rëndësishme që mbulon sektorin financiar, pra të ardhurat e shpenzimet.
Edi Rama, praktikisht po i jep një provë Vjeros për të menaxhuar Tiranën në një kohë të përkohshme, deri në zgjedhje. E nëse do të ketë rezultate, ka gjasa që ajo të jetë emri i mazhorancës për të zëvendësuar Erion Veliajn. Por loja nuk ka përfunduar, pasi kryebashkiaku, jo vetëm që nuk pranon të tërhiqet, por së shpejti do të bëjë një betejë politike për të mbrojtur arritjet e tij që i dhanë tre mandate. Që hapur nuk do të jetë tjetër veçse një luftë me Edi Ramën./Pamfleti
Lini një Përgjigje