TAGS-AT E JAVËS

Editorial28 Korrik 2025, 12:31

Kostoja që sjellin lajthitjet e ‘Shaban Qoses’

Shkruar nga Pamfleti
Kostoja që sjellin lajthitjet e ‘Shaban Qoses’
Edi Rama /

Shqipëria është kthyer në një skenë monologu ku publiku duartroket edhe kur s’kupton asgjë...

Gjithë këto vite jemi qarë për Enver Hoxhën apo për Sali Berishën që flisnin për gjithçka, fusnin hundët kudo ‘që nga patatja deri te artileria e rëndë’. Por siç ka thënë një i gjatë që ndodhet midis nesh 24 orë në 7 ditë “nuk kemi parë gjë akoma”!

Nga shiu ramë në breshër, e kemi një kryeministër që jo vetëm ‘fut hundët’ kudo, por nuk i rri menderja pa u grricur, edhe kur askush nuk e thërret në kauzë.

Është bërë si një personazh që e përdorte shumë në vitet e para të politikës për të sulmuar kundërshtarët. Përkatësisht është kthyer në një Shaban Qose, një personazh mitik i Tiranës urbane të kohës së komunizmit. Flet për gjithçka, edhe pse mund të shkelë Kushtetutën, e ndërhyn edhe aty ku preket kufiri i shpërdorimit të detyrës.

Siç ndërhyri në Theth, duke kaluar të gjitha barrierat kushtetuese, që nga pushteti gjyqësor (prokuroria), pushteti vendor (bashkia), apo edhe strukturat shtetërore, që kanë përgjegjësi sipas ligjit.

Ndërhyri në çdo bashki të vendit, duke shkelur kështu në mënyrë flagrante Kushtetutën, që nga Tirana e më tej, duke larguar me një urdhër të vetin të gjithë trupën drejtuese të pushtetit vendor.

Ndërhyri edhe dje, për incidentin e rëndë me oficerin e policisë së Vlorës, duke e rënduar edhe më shumë situatën.

Kryeministri nuk është kryepolic i vendit, por as kryepolici nuk ka kompetenca që të shkarkojë apo edhe pezullojë ndonjë officer policie. Trupa e Policisë së Shtetit vepron sipas një Ligji të caktuar, dhe të gjithë shkallët e emërim shkarkimeve nuk i bën një person, por një strukturë e posaçme ligjore.

Rama tha dje se ‘oficeri duhet përjashtuar e mos kthehet më në polici’, për të dalë si burrë i mirë përballë opinionit që i ka ardhur në majë të hundës.

Por siç doli më vonë, situata ishte më e komplikuar, pasi personi që qëlloi kamarierin nuk ishte oficeri i policisë por dikush tjetër. Madje oficeri gjendet në reaminacion si pasojë e një frakture të shkaktuar nga pronari lokalit.

Që do të thotë se kemi të bëjmë me një ngjarje, për të cilën ka struktura ligjore e kompetente që duhet të veprojnë. Futja e hundëve nga Shaban Qosja- kryeministër krijon një precedent të rrezikshëm, pasi ul moralin e punonjësve të shtetit, që i lëshon sipas ‘barkut që e pret’ nga frika e reagimit popullor.

Siç ka lëshuar Saimir Tahirin, Erion Veliajn e të gjithë njerëzit e tij, për të shpëtuar të ndenjurat e veta, duke rritur koston politike dhe institucionale të shtetit shqiptar.

Pasi këtu nuk pyet për ligj e kushtetutë, por vetëm për humorin e njerëzve, të cilët janë mërzitur dhe u ka ardhur në majë të hundës me një kryeministër, që vetëm flet por nuk bën asgjë. Edhe kur bën, thjesht i dëmton njerëzit duke favorizuar një grusht kriminelësh dhe të pasurish, klientë të tij./Pamfleti

shaban qosja edi rama lajthitje

Lini një Përgjigje

Editorial