Gazetari i famshëm italian Marco Travaglio ngre alarmin për lidhjet mes kryeministrit shqiptar, arkitektëve të hetuar dhe flluskës së rrezikshme të betonit që po shkatërron qytetin. Modeli Boeri, nga Milano në Tiranë, po ekspozon zhvatjen urbane si një krim të heshtur."...
Kur Shqipëria sheh Tiranën e saj të mbuluar nga betoni, Italia e shikon si një skemë që i ngjan krimeve urbanistike të viteve të errëta. Dhe këtë herë nuk e thotë një aktivist lokal, por një nga figurat më të fuqishme të gazetarisë hetimore në Itali: Marco Travaglio. Në gazetën e tij, “Il Fatto Quotidiano”, ai boton një shkrim me titullin tronditës: “Kulla bosh dhe beton: Modeli Boeri, eksporti i katastrofës urbane nga Milano në Tiranë.”
Travaglio i referohet hetimeve ndaj arkitektit italian Stefano Boeri, arkitekti zyrtar i planit të Edi Ramës për “rijetëzimin” e Tiranës. Nga Milano, ku Boeri është vënë nën hetim për abuzime me lejet e ndërtimit, e deri në Tiranë, ku ai është kthyer në ikonë të “shkëlqimit” të betonit, skema është e njëjtë: kullë pas kulle, leje pas lejeje, frymë pas fryme që i merret qytetit.
Artikulli i Travaglios nuk është një analizë urbane, është një aktakuze. Një sinjal i fortë që vjen nga Perëndimi, ku në vendet serioze si Italia, shkatërrimi i qendrave historike, manipulimi me leje ndërtimi dhe betonimi i ajrit, nuk tolerohen. Në Milano kanë nisur hetime. Në Shqipëri, Edi Rama është edhe Kryeministër edhe Kryetar i Këshillit Kombëtar të Territorit. Firmat e tij janë mbi të gjitha kullat, edhe kur trupa e KKT-së nuk mblidhet fare.
Në qendër të Tiranës, një kullë me profilin e dyshimtë të një burri, për të cilin disa thonë Skënderbeu, të tjerë Edi Rama është simboli grotesk i një qyteti që po ndërtohet për lavdinë e një njeriu, jo për nevojat e qytetarëve. Brenda këtyre kullave gjen gjithçka, përveç standardit. Instalime elektrike dhe hidraulike skarco, dritare të lara me para kleringu dhe punime rifiniture të dorës së tretë.
Blerësit? Nuk janë investitorë ndërkombëtarë, por "borgjezia skarco" e Shqipërisë, ndërtues, koncesionarë, njerëz me para që duhen larë. Disa nga këta janë të njëjtët që ndihmuan në ndërtimin e periferive të degraduara të Tiranës vite më parë. Metoda? E njëjta: paguhen me klering, punojnë shkel e shko, ndërtojnë me beton dhe përfundojnë në kulla që nuk i do askush.
Raportet ndërkombëtare e kanë klasifikuar situatën si një “flluskë sapuni”, një “minë me sahat” në ekonominë urbane të Tiranës. Nuk është më thjesht çështje e estetikës së shemtuar, por e një katastrofe të ardhshme ekonomike e sociale. Po qëndrojnë bosh, sepse askush nuk do të jetojë në qytetin e shembur për të ndërtuar kulla.
Ndërkohë, ndërsa Italia bën hetime dhe kërkon përgjegjësi ndaj Boerit, Shqipëria e trajton si “artist nderi”, i cili bashkë me Ramën vendos se cilat ndërtesa duhen zhdukur për të vendosur një tjetër pemë betoni.
Kjo është drama. Dhe për këtë po shkruajnë edhe të huajt. Dhe kur flet Travaglio, heshtja e zyrtarëve shqiptarë është më shumë se e zhurmshme, është pranimi i fajit./Pamfleti
Lini një Përgjigje