
Askush nuk e lexon Kushtetutën. Po ta lexonim, do dinim se e drejta për ujë është një e drejtë kushtetuese. Neni 59 është aty, i qartë: shteti duhet të garantojë ujin për qytetarët. Të paktën një curril…
Në këto ditë të nxehta korriku, do t’i shkonte për shtat një rikthim i “Legjendës së misrit” të Migjenit, shkrimtarit tonë të madh të mjerimit shqiptar. Edhe pse jemi në epokën e magjisë teknologjike, me akses të menjëhershëm në gjithçka, kur shoh sesi vendet fqinjë vendosin çezma publike me ujë falas nëpër qendra urbane për të ndihmuar qytetarët në këtë vapë përvëluese, kuptoj sa thellë jemi zhytur në pashpirtësinë tonë kombëtare.
Në Shqipëri, jo vetëm që uji është privatizuar me njëqind ligje e marifete, por në vend që të ulet çmimi në kohë festash apo vështirësish, siç ndodh në çdo vend të qytetëruar, këtu ndodh e kundërta: çmimi rritet. Po kujtojmë pak më tutje... një reportazh i televizionit francez “Arte”, para afro 15 vitesh, e titullonte me sarkazëm: “Tregtarët e pashpirt shqiptarë në kohë festash”.
Në ditët kur vendi ishte në rrokopujë, përhapet fjala se “kish rënë kolera”. Çfarë ndodhi? U pasuruan menjëherë disa tregtarë me etiketa “VIP” duke shpërndarë në treg një markë uji italian. Madje, për të bindur mendjet e lodhura nga firmat piramidale, u publikua një reklamë ku shfaqej një thes i mbyllur deri në grykë. Çfarë kishte brenda? Shpëtimin? Naivët shqiptarë prisnin me shpresë... dhe blinin.
Në një vend ku nuk dimë të kërkojmë të drejtat tona, çdo gjë që thotë i pari i qeverisë pranohet si urdhër perëndie. Askush nuk e lexon Kushtetutën. Po ta lexonim, do dinim se e drejta për ujë është një e drejtë kushtetuese. Neni 59 është aty, i qartë: shteti duhet të garantojë ujin për qytetarët. Të paktën një curril.
Por jo. Ne ende e kemi me orar. Rubineti rri thatë. Çdo fushatë premton mrekullinë: “Uji 24 orë”, “Sigurimi i banesave nga tërmeti”, “Monitorimi i hapësirave publike me satelitë”. Po ujin, or vëllezër, ujin kur do e rregulloni? E para e jetës, më bazikja.
Nuk ka qytet europian pa çezma publike me ujë të pijshëm. Pse nuk mund të ketë dhe Tirana, Berati, Shkodra apo Korça? Nuk duhen miliona për t’i ngritur, por duhet një minimum përgjegjshmërie. E nëse qeveria është shumë e zënë me satelitë dhe tendera, po këta biznesmenët e ujit, a kanë ndopak ndërgjegje njerëzore?
Në gjithë botën, në ditë vapë, bizneset shpërndajnë ujë falas. Në Shqipëri, përkundrazi: jo vetëm që nuk japin falas, por e shtojnë çmimin. Këtu, jo vetëm ujin e shesin, por edhe ajrin do ta matnin po të mundnin. Edhe të përgërën, veç ta kenë të tyren.
Është herët për të pritur biznesmenë të qytetëruar, thonë. Duhet të kalojnë dekada. Mirë, të presim... ndërkohë le të piqemi në vapa, sepse nuk kemi çfarë bëjmë. Me këtë ritëm, në vitin 2050 do të kemi gjysmën e popullsisë dhe ndoshta një curril uji falas, si trofe civilizimi. Deri atëherë, uji do të mbetet luks. Dhe ne, qytetarë të tharë, të heshtur, pa zë dhe pa pikë uji./Pamfleti
Lini një Përgjigje