TAGS-AT E JAVËS

Editorial21 Korrik 2025, 16:30

Dullë Dardhaxhiu...

Shkruar nga Gjergj Zefi
Dullë Dardhaxhiu...
Dullë Dardhaxhiu /

 “I heq kapelën, uroj t’i nxjerrin ujin e zi” – Po ky ku ishte këto 13 vite?!

Në një tjetër deklaratë me stilin e zakonshëm teatral, Edi Rama shfaqet në publik për të komentuar hetimin mbi kompaninë Bankers Petroleum, e cila sipas tij i detyrohet shtetit shqiptar 240 milionë euro.

Me një buzëqeshje të kontrolluar dhe me një urim që më shumë tingëllon si ironi e butë ndaj vetvetes, Kryeministri thotë: “I heq kapelën Prokurorisë së Fierit, uroj t’i nxjerrin ujin e zi.”

Por pyetja që lind menjëherë është kjo: Po ky ku ishte këto 13 vite?

Për më shumë se një dekadë në pushtet, Edi Rama ka firmosur, udhëhequr, promovuar dhe mbrojtur të gjitha projektet strategjike, koncesionet dhe marrëveshjet energjetike, përfshirë edhe ato që lidhen me Bankers. Ka qenë kryeministër në çdo tryezë ku janë vendosur termat, lejet, përfitimet dhe klauzolat. Ka qenë mbi çdo ministri dhe mbi çdo Agjenci të Zhvillimit të Investimeve.

Tani që Prokuroria po heton, ai thotë: "Bravo, uroj t’ia dalin.”

Kjo është hipokrizi e pastër. Jo më e fshehur pas frazave teknike, por e paketuar në formën më absurde: një Kryeministër që sillet si komentator i jashtëm, sikur të mos kishte qenë për 13 vite njeriu që komandon çdo qelizë të shtetit.

Dhe këtu nuk jemi thjesht përballë një papërgjegjshmërie; por përballë një qasjeje të rrezikshme: Rama e trajton drejtësinë si një spektakël ku uron, brohorit, apo fërshëllen sipas rastit.

Kur godet ndonjë armik të tij, thërret: "Ja drejtësia në veprim!" Kur ndonjë dosje afron pranë miqve të tij, deklaron: "Republika e prokurorëve”

Ndaj Kryeministri më ngjan me personazhin e fabulës së mjeshtrit Ferit Lamaj: Dullë Dardhaxhiu:

Dullë Dardhaxhiut
Majmunë buzëbardhët
Tinëz, prapa shpine
Ia firuan dardhat.

Dullë Dardhaxhiu
Numëron me gishta:
Ata llupën dardhat,
Këtij i lanë bishta...

Në versionin e Ramës, ai numëron me gishta dhe thotë: "Ata i hëngrën mollët pas shpine, mua më lane bishtat."

Ndërsa realiteti i hidhur është se pemën e kanë rrëzuar bashkë, ai dhe gjithë zinxhiri i përfituesve të heshtjes institucionale.

Sepse nuk ka Bankers pa dakordësi politike. 240 milionë euro nuk dalin nga hiçi.

Nëse ky është “Rama që s’dinte gjë”, atëherë kjo është Shqipëria që ka 13 vite që nuk di se ç’do të thotë llogaridhënie./ Pamfleti

dullë dardhaxhiu edi rama

Lini një Përgjigje