TAGS-AT E JAVËS

Editorial19 Korrik 2025, 20:16

Amerika po tërhiqet, autoritarët po ngjiten: Shqipëria në mëshirë të fatit politik

Shkruar nga Pamfleti
Amerika po tërhiqet, autoritarët po ngjiten: Shqipëria në
Rama-Trump-Berisha

Në mandatin e dytë të Trump, SHBA po heq dorë nga roli udhëheqës në Ballkan, vakumi po mbushet nga pushteti arbitrar dhe liderë të paprekshëm...

Prej më shumë se tre dekadash, roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka qenë kyç në mbështetjen e reformave demokratike në Shqipëri dhe më gjerë në Ballkan.

Nëse Shqipëria ka bërë hapa përpara drejt shtetit të së drejtës, kjo nuk ka ndodhur falë vetëdijes së klasës politike vendase, por nën presionin dhe ndërhyrjen aktive të diplomacisë amerikane. Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka qenë tradicionalisht institucioni më influent në vend, shpeshherë më shumë se çdo organ vendor apo institucion kushtetues. Reforma në drejtësi, votimi i ndryshimeve kushtetuese në Kuvend, dekriminalizimi, reforma zgjedhore apo zhbllokimi i krizave politike, të gjitha këto janë realizuar vetëm kur SHBA ndërhynte drejtpërdrejt dhe kërkonte llogari.

Por me rikthimin e Donald Trump në pushtet dhe fillimin e mandatit të tij të dytë presidencial, është bërë e dukshme një zhvendosje e qëllimshme në politikën e jashtme amerikane, larg ndërhyrjeve të drejtpërdrejta në vendet aleate, drejt një qasjeje më të tërhequr dhe selektive. Ndalimi i financimeve ishte sinjali i parë.

Sinjali i dytë u dha dje në kabllogramin e sekretarit Marco Rubio, i cili u kërkon ambasadave amerikane të mos japin deklarata publike për proceset zgjedhore në vendet e huaja. Në kontekstin shqiptar, ky është një sinjal i fortë se SHBA po zhvendos rolin e saj nga “kujdestare” e demokracisë shqiptare në një vëzhguese periferike.

Ky boshllëk i krijuar është ndjerë menjëherë në terren. Që prej zgjedhjeve të fundit, ku Edi Rama konsolidoi kontrollin e plotë politik me 83 mandate, nuk ka pasur asnjë reagim serioz nga Ambasada Amerikane për fenomenin e kapjes së shtetit. Në të kaluarën, një rezultat i tillë do të shoqërohej me shqetësim për mungesën e balancës politike, për keqpërdorimin e burimeve shtetërore dhe për dominimin e një force të vetme. Sot, kjo heshtje i jep Ramës sinjalin se ka territor të lirë për të çuar më tej agjendën e tij autoritare.

Në krahun tjetër, Sali Berisha, një figurë politikisht e konsumuar dhe shpallur “non grata” nga vetë Departamenti Amerikan i Shtetit, vijon të mbajë peng opozitën shqiptare. Në një kontekst tjetër, presioni diplomatik do ta kishte detyruar të largohej nga skena politike. Sot, jo vetëm që nuk ka një thirrje të re për reflektim, por asnjë sinjal të qartë që t’i kërkojë llogari për pasojat e rolit të tij në krizën e përfaqësimit opozitar. Madje Berisha po hedh para të madhe për të marrë mbështetjen e SHBA.

Por heshtja e SHBA ndaj të dyja palëve, Ramës që sundon dhe Berishës që bllokon, po i lë qytetarët shqiptarë pa mbrojtje demokratike.

Kjo mungesë ndikimi real tregon se epoka e ndërhyrjes aktive të SHBA në Ballkan, të paktën nën filozofinë Trump, është drejt perëndimit. Dhe kjo nuk është e vërtetë vetëm për Shqipërinë. Në Serbi, protestat masive kundër Vuçiçit nuk kanë sjellë asnjë qendrim të fortë nga diplomacia amerikane. Në Kosovë, mungesa e një angazhimi të qartë ka sjellë bllokim të dialogut dhe kriza të përsëritura institucionale.

Në thelb, kur SHBA tërhiqet nga rajoni, zbrazëtira mbushet nga autoritarë lokalë, që e shfrytëzojnë mungesën e presionit ndërkombëtar për të forcuar kontrollin e tyre. Demokracia nuk funksionon në vakum, ajo kërkon mbikëqyrje, partneritet dhe garantë të jashtëm, veçanërisht në vende ku institucione të pavarura janë të brishta. Ndaj sa më shumë që SHBA të tërhiqet, aq më shumë qytetarët e Shqipërisë dhe Ballkanit e ndjejnë mungesën e drejtësisë, lirisë dhe shpresës. /Pamfleti

Lini një Përgjigje

Editorial