TAGS-AT E JAVËS

Editorial16 Korrik 2025, 13:20

Një pakt me ujqërit?

Shkruar nga Nemanja Rujeviç
Një pakt me ujqërit?
Rama dhe Vuçiç /

A duhet bërë pakt me djallin për të rrëzuar autokratët? Kur kompromiset pragmatike janë të domosdoshme, dhe kur drejtësia bëhet kusht mbijetese...

Pozicioni i gazetarit, sidomos në kohë krizash politike, është i pazakontë dhe shpesh paradoksal. Gazetari duhet të qëndrojë mënjanë, të ruajë distancën dhe të analizojë ngjarjet pa u përfshirë emocionalisht apo personalisht. Megjithatë, një pozicion i tillë, që në teori duhet të sigurojë objektivitet, shpesh e çon atë në një kullë fildishi morale, prej nga çdo aktor politik gjykohet sipas standardeve pothuajse të pamundura për t'u plotësuar.

Këto reflektime nxiten nga analizat e sociologut Danilo Mandić, pedagog në Universitetin e Harvardit, gjatë një interviste për podcast-in "Agelast". Sipas Mandić-it, rrëzimi i autokratëve nuk vjen nga lëvizje idealiste apo revolucione morale të pastra, por nga kompromiset e dhimbshme dhe pragmatizmi politik.

Në rastin e Serbisë, shembulli i dhënë nga Mandić ishte ai i rrëzimit të regjimit të Millosheviçit më 5 tetor 2000. Ai tregoi se si Zoran Gjingjiç u detyrua të bënte kompromise të hidhura me figura kontroverse për të arritur fitoren politike. Po kështu, Mandić argumenton se asnjë autokrat nuk bie pa ndihmën e atyre që brenda sistemit të tij vendosin të "kalojnë në anën fituese".

A duhet, pra, shoqëria të bëjë marrëveshje me "vuçiçët" për të rrëzuar Vuçiçin? Pyetja mbetet e rëndë dhe e papëlqyeshme për këdo që kërkon drejtësi absolute. Por në politikën reale, drejtësia e vonuar dhe kompromiset pragmatike janë shpesh të pashmangshme.

Këtu lind nevoja e dallimit mes kompromisit të nevojshëm dhe padrejtësisë së papranueshme. Nëse kompromiset janë të pashmangshme, le të jenë sa më të vogla. Ndërkohë, ata që e kanë shfrytëzuar dhe abuzuar sistemin deri në ekstrem, duhet të përballen me përgjegjësinë. Drejtorët me diploma false, oligarkët e tenderëve, abuzuesit që kanë shtypur qytetarët, këta duhet të përballen me drejtësinë.

Në fund, lustracioni ideal, edhe pse asnjëherë i përsosur, duhet të jetë drejtësi minimale. Nëse kjo drejtësi mungon, kompromisi kthehet në një gëlltitje të padurueshme që rrezikon ta mbytë shoqërinë duke lënë vetëm "bretkosën" e padrejtësisë të mbijetojë.

Në këtë dilemë, gazetari mbetet gjithmonë mes moralit absolut dhe pragmatizmit politik, ndërsa lexuesi duhet të vendosë vetë se çfarë është i gatshëm të gëlltisë./Përgatiti në shqip: Pamfleti

pakt me ujqërit nemanja rujeviç

Lini një Përgjigje

Editorial