Nëse kjo nuk është diktaturë; atëherë është parodia më e shtrenjtë e demokracisë që Europa ka financuar ndonjëherë...
Në Serbi, ka një Aleksandar Vuçiç që kontrollon gjithçka. Në Shqipëri kemi një artist që jo vetëm i jep ngjyra, por pikturon gjithë tablonë e pushtetit. Tashmë nuk jemi më në fazën e kapjes së institucioneve. Ajo ka ndodhur. Ne jemi në epokën e performancës së kontrollit total, ku gjithçka ka formën e demokracisë por përmbajtjen e një autokracie të rafinuar, me ngjyra rozë.
Në këtë republikë të re, të ngjizur në mendjen e një njeriu, Parlamenti është kthyer në një galeri arti ku deputetët ekspozohen si instalacione të heshtura. Qeveria është kabineti i një autori të vetëm që i shkruan vetë rolet dhe vetë i interpreton në Instagram. Ministrat janë kukulla pa tela, ndërsa opozita është një recidiv moral që ofendon edhe konceptin e opozitarizmit.
Edi Rama nuk është më thjesht kryeministër. Ai është arkitekt, kurator, kryeredaktor, gjykatës suprem dhe drejtor artistik i realitetit shqiptar. Ai nuk ka më nevojë të bindë, sepse gjithçka tashmë është konsensuale në heshtje. Një heshtje që buron nga frika, servilizmi dhe rehatia.
Çdo vendim merret nga lart. Nuk konsultohet, nuk debatohet, nuk vihet në dyshim. Është si një dekret hyjnor me nënshkrim elektoral. Roli i institucioneve është i qartë: të mbulojnë me legalitet një vullnet personal që komandon qeverinë, parlamentin, drejtësinë, median, shoqërinë civile dhe ndërkohë e shet veten si reformator ndërkombëtar.
Kjo nuk është më një demokraci e deformuar. Është një diktaturë estetike, e veshur me buzëqeshje ironike dhe batuta gazmore. Është një realitet ku cinizmi është bërë metodë qeverisëse dhe ironia është zëvendësuar me auto-censurë kolektive.
E ndërkohë që qytetarët kanë rënë në gjumin e gjatë të mpirjes morale, e vetmja gjë që lulëzon është propaganda. Me shfaqje të bukura, evente me dronë, fjalime për klimën, për Europën, për artin. Sepse kur realiteti është i trishtë, spektakli duhet të jetë i hareshëm.
Kështu funksionon autokracia shqiptare e vitit 2025: me syze të zeza, me buzëqeshje televizive dhe me censurë elegante. Dhe mbi të gjitha, me një popull që është mësuar të duartrokasë ndërkohë që i pritet zëri.
Nëse kjo nuk është diktaturë; atëherë është parodia më e shtrenjtë e demokracisë që Europa ka financuar ndonjëherë./Pamfleti
Lini një Përgjigje