TAGS-AT E JAVËS

Editorial 9 Korrik 2025, 13:57

Swingers Politik: Rama-Berisha vs Vuçiç-Šešelj

Shkruar nga Gjergj Zefi

 Swingers Politik: Rama-Berisha vs Vuçiç-Šešelj

Nga Tirana në Beograd, si e luajnë të dy binomet politike kartën e nacionalizmit dhe të polaritetit për të siguruar pushtetin personal...

Nëse dikush mendon se Serbët dhe Shqiptarët nuk ngjajnë fare, gabon. Rama dhe Vuçiç, këta "burrështetas" ballkanas, duket se janë edukuar në të njëjtën shkollë: atë të hipokrizisë politike me një stil teatral nacionalizmi e polarizimi.

Në Beograd, Vuçiçi ruan në "kafazin" politik Vojislav Šešeljin, "bishën radikale" që e nxjerr në skenë sa herë që ka nevojë të luajë kartën e patriotizmit ekstrem, për të bindur popullin dhe ndërkombëtarët që zëri i tij është zëri i arsyes.

Në Tiranë, Rama mban "armikun" e tij të përjetshëm, Berishën, si "kërcënimin permanent të demokracisë", duke siguruar kështu që asnjë alternativë politike të mos guxojë të dalë mbi nivelin e "më pak të keqit".

Të dy janë mjeshtër të një loje të pistë, ku populli mban frymën pezull ndërsa "luftojnë" armiqtë imagjinarë, që në fakt janë thjesht partnerët më të mirë politikë që mund të kishin gjetur.

Populli voton, grindet, dhe mallkon, pa kuptuar që shfaqja është një bashkëpunim i shkëlqyer i aktorëve kryesorë.

Njëri luan rolin e udhëheqësit që "nuk lejon Serbinë të rrëshqasë në radikalizëm", tjetri pozon si lideri i vetëm që mund ta mbajë Shqipërinë "larg së kaluarës së errët".

Por në fund të ditës, teatri vazhdon, dhe bileta është gjithmonë e shtrenjtë për popujt. Të dy liderët dalin triumfues nga zgjedhjet, teksa "bishat politike" vazhdojnë të gjallojnë nën patronazhin e tyre. Mirësevini në Ballkan, ku demokracia është një shaka që liderët e përsërisin çdo katër vjet, dhe ku "armiku" më i mirë i pushtetit është gjithmonë ai më i rrezikshmi, sepse garanton që askush tjetër të mos afrohet./Pamfleti

swingers politik rama berisha vuçiç sheshel

Lini një Përgjigje

Editorial