
Në Shqipërinë e 2025-ës, drejtësia kërcënohet me një kuti hekuri, ndërsa abuzimet me miliona kalojnë pa zhurmë, sepse propaganda ka më shumë peshë se ligji...
Nëse do të shkruhej një tragjikomedi shqiptare për vitin 2025, skena e parë do të hapej me një kryeministër që i bën thirrje drejtësisë nga ‘lartësia’ e moralit të tij, ndërsa shkel mbi çdo parim të ndarjes së pushteteve.
Dhe në sfond, një kontejner i vendosur mbi pllaka guri në Theth. Ky është objekti i përplasjes mes Kryeministrit të Republikës dhe Prokurorisë së Shkodrës. Kaq u desh për të ndezur një zjarr të ri politik: një kuti hekuri në një zonë të mbrojtur dhe një refuzim i ftohtë nga një prokurore.
Edi Rama, i cili shpesh sillet si kryeprokuror, kryegjykatës dhe kryekameraman i Shqipërisë, vendosi të ngjitet në skenë për të rrëzuar “krimin mjedisor” të radhës. Jo ndonjë koncesion dhjetëra milionësh. Jo një incenerator me aroma politike. Por një kontejner. Dhe për këtë, kërcënoi, akuzoi dhe paralajmëroi prokuroren Elsa Gjeli, duke harruar se Kushtetuta nuk është një skicë vizatimi në murin e Kryeministrisë.
Por le të mos jemi naivë. Kjo nuk ka të bëjë me dashurinë e papërmbajtur të Edi Ramës për natyrën. As për fshatin piktoresk të Thethit. Kjo është një betejë e radhës për dominim institucional. Një tjetër akt në teatrin e gjatë ku skenari është i njëjtë: goditje ndaj kujtdo që guxon të ketë një mendim të pavarur.
Prokuroria e Shkodrës tha që ndërtimet pa themele, mbi pllaka, nuk përbëjnë vepër penale sipas ligjit. Por në Shqipërinë e betonit, themelet ligjore nuk kanë rëndësi, vetëm betoni i urdhrave nga lart.
Dhe ja ku vjen Gonzato, ambasadori i Bashkimit Europian, me zërin e arsyes që tingëllon si fishkëllimë në një stacion treni bosh: “Të ndalet presioni ndaj drejtësisë.”
Po kush e dëgjon ambasadorin në një vend ku drejtësia duhet të jetë në gjendje gatishmërie për çdo status të Ramës?
Në vend të ndëshkimit të koncesioneve mafioze, ne shembim kontejnerë. Në vend të ndalimit të ndotjes së Vjosës me naftë, ne bëjmë video në Theth. Në vend të hetimit të korrupsionit, ne kërkojmë kokën e një prokuroreje. Dhe e gjithë kjo, e mbështjellë me flamurin e "moralit mjedisor", si një pemë plastike në mes të një pylli të sakatuar.
Në këtë vend, kontejnerët janë më të rrezikshëm se oligarkia e betonit. Dhe nëse drejtësia nuk e shemb dot një kuti hekuri me tre dërrasa, atëherë kryeministri e shemb vetë, bashkë me çdo iluzion për ndarjen e pushteteve. Kjo është Shqipëria 2025: një vend ku betoni ngrihet mbi ligjin dhe arroganca mbi themelet e Republikës./Pamfleti
Lini një Përgjigje