Srebrenica 1995; kur bota bëri sikur nuk pa, e Serbia vazhdon të bëjë sikur nuk ndodhi...
Më 11 korrik 1995, në një qytet të vogël në verilindje të Bosnjës, ndodhi ajo që historia moderne evropiane nuk mundi ta fshijë dot: gjenocidi në Srebrenicë.
Mbi 8 000 burra dhe djem myslimanë u ekzekutuan në mënyrë sistematike, nën urdhrat e strukturave ushtarake serbe, të drejtuara nga Ratko Mladić dhe me bekimin politik të Slobodan Miloševićit.
Për botën, ishte një masakër e dokumentuar. Për drejtësinë ndërkombëtare, ishte krim kundër njerëzimit. Por për Serbinë e sotme, është vetëm një “ngjarje tragjike”, e mohuar, e relativizuar, e trajtuar me gjuhën e rremë të nacionalizmit dhe manipulimit historik.
Tridhjetë vjet pas këtij krimi, mohimi nuk është më një shfaqje periferike e ekstremistëve, por është kthyer në doktrinë shtetërore.
Në Serbi dhe në Republikën Srpska, gjenocidi në Srebrenicë fshihet nga tekstet shkollore, glorifikohen kriminelët e luftës, mbahen parada për Mladićin dhe organizohen tubime që i quajnë viktimat “terroristë islamikë”. Kjo nuk është harresë, është strategji. Një strategji për të rikrijuar një identitet kombëtar serb mbi bazën e mohimit dhe për të shndërruar viktimën në agresor. Presidenti Aleksandar Vučić, njëherë ministër i propagandës së Millosheviqit, sot luan një lojë me dy fytyra: në Bruksel flet për dialog e paqe, ndërsa në vend glorifikon kriminelët dhe justifikon mohimin me fjalë të buta si “ndarje mendimesh historike”.
Në këtë teatër hipokrizie, Evropa nuk është vetëm spektatore, por bashkëfajtore. Ishin trupat holandeze ato që i lanë civilët e Srebrenicës në mëshirën e kasapëve. Ishte Perëndimi ai që i dha Serbisë 30 vjet kohë për t’u penduar, por nuk kërkoi asnjëherë me forcë ndëshkimin e mohimit. Sot, në emër të “stabilitetit rajonal”, BE mbyll sytë përballë glorifikimit të Mladićit dhe sulmeve ndaj vendimeve të Gjykatës së Hagës. Bile për të mos e “acaruar Serbinë”, shumë shtete hezituan edhe ta mbështesin rezolutën e OKB-së që shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë. Hipokrizia diplomatike nuk mund të bëjë paqe mbi gjakun e një populli.
Dhe në këtë mohim të institucionalizuar, në këtë heshtje të qëllimshme të kancelarive evropiane, Shqipëria nuk mund të rrijë neutrale. Nuk ka asnjë arsye politike, as diplomatike e aq më pak njerëzore, që Tirana zyrtare të mos jetë në rreshtin e parë të vendeve që denoncojnë mohimin e Srebrenicës. Sepse kush mohon Srebrenicën, do të mohojë edhe Reçakun. Sepse kur Beogradi e quan Mladićin “mbrojtës të kombit”, atëherë po e përgatit terrenin për të rilindur idenë e “tokave serbe” në Bosnje, në Kosovë dhe kudo ku gjenden serbë.
Shqipëria duhet të jetë zëri që kumbon në çdo forum ndërkombëtar për të kërkuar ndëshkimin e mohimit dhe edukimin e brezave të rinj me të vërtetën historike.
Srebrenica nuk është vetëm një faqe e errët e historisë, është testi i përhershëm i ndërgjegjes sonë. Të mos e emërtosh siç është, gjenocid; është të bëhesh pjesë e krimit. Të heshtësh përballë mohimit është të pranosh që e vërteta nuk ka më vlerë. Dhe të mos reagosh kur të vërtetën po e përdhosin çdo ditë, është të tradhtosh viktimat për herë të dytë. Serbia e ka zgjedhur rrugën e heshtjes kriminale. Evropa ka zgjedhur kompromisin moral. Shqipëria duhet të zgjedhë të vërtetën; pa asnjë kompromis. Sepse në këtë betejë nuk ka as “palë”, as “vuajtje të barabarta”. Ka viktima dhe kriminelë. Ka një histori që nuk do të falë askënd që e mohon./Pamfleti
Lini një Përgjigje