TAGS-AT E JAVËS

Editorial13 Korrik 2025, 13:28

Shqipëria e vogël mes elefantëve!

Shkruar nga Gjergj Zefi
Shqipëria e vogël mes elefantëve!
Ursula von der Leyen dhe Donald Trump /


Si lufta tregtare Trump-BE mund ta godasë ekonominë tonë...

Nëse dikush kishte nostalgji për periudhën ku diplomacia bëhej me letra kërcënuese dhe ekonomia drejtohej me tarifa doganore, Donald Trump sapo e risolli në skenë.
Letra e tij e fundit ndaj Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, më shumë se një mesazh diplomatik, ngjan me një ultimatum të shekullit të kaluar, një kujtesë brutale se politika globale është rikthyer edhe një herë tek ligji i "më të fortit".
Tarifa prej 30%, e vendosur për të gjitha importet evropiane, nuk është asgjë më pak sesa një tentativë e re për të kthyer globin në një arenë ku mbizotëron arroganca ekonomike amerikane. Një Trump i palodhur në stilin e tij të shantazhit diplomatik, ku çdo "deal" duhet bërë duke kërcënuar më parë, po provon edhe një herë të luajë kartën e tij të preferuar: nacionalizmin ekonomik.
Nëse e shikojmë me gjakftohtësi, Trump nuk është duke kërcënuar vetëm ekonominë evropiane. Ai po kërcënon vetë konceptin e tregtisë së lirë dhe stabilitetin ekonomik global, duke vënë në dyshim dekada të tëra negociatash dhe marrëveshjesh shumëpalëshe.
Dhe për ironi, e bën këtë pikërisht duke pretenduar se po mbron interesin kombëtar amerikan, një justifikim aq klasik sa edhe cinik në vetvete.
Në Bruksel, reagimi ishte i pritshëm: shqetësim i madh, por me pak hapësirë manovre për të vepruar ndryshe përveçse duke u përgjigjur simetrikisht. BE-ja, që aq shumë mburret me forcën e vet diplomatike dhe ekonomike, duket edhe një herë e pafuqishme dhe e zënë në befasi nga goditjet e një Presidenti që e ka bërë zakon rikthimin në pushtet përmes kaosit dhe konfliktit.
Ndërsa Trump kthehet në politikën e tij të preferuar, atë të marrëdhënieve ndërkombëtare me anë të tarifave, bota rrezikon të rikthehet në një gjendje ekonomike dhe diplomatike që dukej se e kishte lënë pas bashkë me shekullin XX. Cinikisht, mund të thuhet se historia nuk përsëritet, por Trump sigurohet që ajo të rimohet në mënyrën më absurde të mundshme.
Në këtë situatë, ajo që mbetet për vendet e vogla si Shqipëria, është të presin në kënd, duke shpresuar që përplasja e elefantëve të mos na gjejë në mes. Dhe ndërkohë, Trump po na kujton edhe një herë se "America First" vazhdon të nënkuptojë "të tjerët pas"./Pamfleti

shqipëria e vogël mes elefantëve gjergj zefi lufta trgtare trump-be

Lini një Përgjigje

Editorial