TAGS-AT E JAVËS

Editorial20 Korrik 2025, 12:00

Miti i rrezikshëm i "botës serbe" në protestat e Beogradit

Shkruar nga Gjergj Zefi
Miti i rrezikshëm i "botës serbe" në protestat e
Nga protesta e studentëve në Beograd /

Në Beograd, më 28 qershor 2025, një ditë që përkon me mitin historik të Vidovdanit, mijëra studentë dhe qytetarë dolën në rrugë në emër të drejtësisë dhe demokracisë.

Në pamje të parë, gjithçka dukej si një shpërthim i shëndetshëm qytetar kundër korrupsionit dhe autoritarizmit. Por nën flamujt kombëtarë, sloganet për “trashëgiminë serbe” dhe gjuhën e mbushur me romantizëm etnik, protestës i rrëshqiti kuptimi; nga qytetare në etno-patriotike.

Ky fenomen nuk është as i ri, as i izoluar. Sociologu Aleksej Kišjuhas e quan nacionalizmin një ideologji “parazitare”, që zë vend aty ku mungojnë narrativat moderne për barazi, drejtësi dhe solidaritet shoqëror. Kur shoqëria është e dëshpëruar, nacionalizmi ofron përgjigje të lehta, fajtorë të jashtëm, krenari të trashëguar, një ndjenjë të rreme përkatësie.

Problemi?

Nacionalizmi nuk ndërton demokraci. Ai nuk sjell drejtësi. Ai vetëm e mbulon mungesën e tyre me flamuj.

Rreziku është edhe më i madh kur ai lind brenda lëvizjeve që supozohet të jenë përparimtare, si protesta e studentëve. Kur brezi i ri, që duhej të udhëhiqte drejt integrimit evropian dhe emancipimit shoqëror, fillon të riprodhojë mitologjitë nacionaliste të së kaluarës, atëherë jemi duke parë një përmbysje ideologjike të rrezikshme.

Kjo situatë në Serbi është një sinjal për gjithë rajonin. Edhe në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje, nacionalizmi tenton të rikthehet përmes retorikës së “rrezikut nga tjetri”, i veshur me petkun e krenarisë kombëtare, por shpesh duke minuar thelbin e qytetarisë moderne.

Rinia ballkanike nuk e ka luksin të përsërisë gabimet e gjeneratave të mëparshme. Sepse nëse marshimi fillon me thirrjet për barazi, por përfundon me himne për racën, atëherë nuk kemi përparim; kemi regres./Pamfleti

bota serbe protesta e studentëve në beograd gjergj zefi

Lini një Përgjigje

Editorial