TAGS-AT E JAVËS

Editorial20 Korrik 2025, 09:52

Shantazhi i Ramës ndaj Veliajt dhe planifikimi i frikës

Shkruar nga Pamfleti

 

Shantazhi i Ramës ndaj Veliajt dhe planifikimi i frikës
Veliaj dhe Rama /

Erion Veliaj po trajtohet si armik, jo si i paraburgosur. Dhe e gjitha kjo ngaqë ai nuk po i bindet lojës së Edi Ramës për të dhënë dorëheqje. Makineria e presionit është vënë në lëvizje…

Sjellja e egër, gati torturuese ndaj Erion Veliajt, ndërsa do kryente një ndërhyrje mjeksore, nuk ishte aspak një protokoll shoqërimi i të paraburgosurve, apo plan masash sigurie.

Ai ishte një shantazh i hapur mafioz, kërcënim që i drejtohej kryebashkiakut të Tiranës, i cili po prish planet e hartuara me kohë nga Kryeministri Edi Rama.

Protokollet e shoqërimit të personave të paraburgosur, apo regjimi i sigurisë, janë kthyer prej kohësh në llastik korrupsioni, i cili lirohet dhe shtrengohet në bazë të mëditjes që furnizon personi që vuan heqjen e lirisë.

Spektakli me Veliajn, i cili u shoqërua me një çetë forcash speciale prej 30 personash për një ndërhyrje në spital, nuk kishte të bënte as me rrezikun e një arratisjeje, as me shqetësimin për të takuar “persona të papërshtatshëm”. Mjaftonte një grup prej 3 policësh të burgjeve për ta mbikqyur dhe ruajtur kryebashkiakun.

E gjitha ka lidhje me sinjalin për ta thyer Veliajn, i cili ka shkatërruar nervat e Edi Ramës, duke prishur planin e tij që hartoi para zgjedhjeve. Kryeministri urdhëroi dorëheqjen e katër kryebashkiakëve, në mënyrë që zgjedhjet e Tiranës të mos bëhen të vetme.

Plani konsiston në një fushatë kombëtare, të drejtuar nga Edi Rama, si një provë gjenerale për zgjedhjet e vitit 2027.

Përqëndrimi i zgjedhjeve të Tiranës përballë një kandidati të opozitës, mund ta kthejë situatën në shkatërruese për kryeministrin. Sepse do ta vendosë atë përballë të gjithë opinionit, duke e kthyer në një test për qeverisjen e tij.

Në një kohë, kur pas shkarkimeve të mjaft zyrtarëve të PS-së, Rama do të përballet me një rebelim të brendshëm, me një bojkot nga militanca, që tashmë është lodhur nga lojrat bajate të Tij.

Ndaj Rama po synon të zhvillojë zgjedhje në 5 bashki, e të dalë në një minifushatë kombëtare ku të flasë në përgjithësi, si gjithmonë.

Por mos dhënia e dorëheqjes nga Erion Veliaj ja komplikon shumë gjërat, ndaj po lëviz në dy fronte; atë personal dhe politik.

Politikisht, me të ashtuquajturin aksion të prishjes së ndërtimeve, kërkon të godasë Veliajn si shkaktar të situatës, e nga ana tjetër duke i bërë presion në burg.

Nëse Veliaj do të flasë, ka shumë mundësi të dalë e vërteta e këtij teatri. Pasi shumica e objekteve të prishura kanë pasur leje legalizimi. Të cilat i ka shpërndarë Kadastra që e ka drejtuar Edi Rama nëpërmjet të ndjerit Artan Lame, i cili nuk jeton më. Kështu nuk ka se kush të flasë e ta hapë kutinë e pandorës së një institucioni ku dora e Kryeministrit është thuajse në çdo lëvizje ‘vip’. Rama kërkon të përdorë metodën; “të rreh, e nuk e lë të flasë”. Siç bëjnë të gjithë aparatet e dhunës, pasi e di se nëse flet Veliaj shpërthen bomba e madhe./Pamfleti

rama veliaj planifikimi i frikës shantazhi

Lini një Përgjigje

Editorial