Dosjet Epstein, loja me zjarrin që po e djeg edhe Trump-in
Nëse dikush mendonte se çështja Epstein kishte përfunduar me vetëvrasjen misterioze në burg, atëherë ose është shumë naiv, ose nuk po ndjek lajmet e muajit korrik 2025.
Në mesin e një verë të mbushur me skandale, kampi MAGA po përvëlohet nga brenda. Gjithçka nisi kur administrata e Trump-it, në një përpjekje për të rikthyer kontrollin narrativ, publikoi dosjet “The Epstein Files: Phase 1”.
Influencuesit konservatorë dolën nga Shtëpia e Bardhë me dosje në duar si fëmijët që sapo kishin marrë “biletën e artë” për te Willy Wonka. Por, sapo i hapën, kuptuan se aty s’kishte asgjë të re, veç dokumenteve që ishin bërë publike vite më parë. Skandal?
Jo, tragjikomedi!
Prokurorja Pam Bondi deklaroi muaj më parë se dosja e klientëve të Epstein ndodhej “në tavolinën e saj”. Mediat e djathta kërkuan hakmarrje dhe premtuan “zbulimin final”. Por në muajin korrik, Departamenti i Drejtësisë tha troç: “Nuk ekziston asnjë listë.” Gënjeshtra zyrtare, apo “tërheqje taktike”?
Brenda lëvizjes MAGA, kjo kthesë u përjetua si tradhti. Disa prej mbështetësve më besnikë të Trump kërkuan shkarkimin e Bondi-t, dhe disa të tjerë ngrenë zërin kundër vetë Trump-it: “A mos po mbron ndonjë emër të madh? Apo veten?”
Presidenti nuk vonoi: i quajti “idiotë të mashtruar”, duke sulmuar “ish-mbështetësit” e tij që po “hanë këtë bullshit demokratësh me lugë floriri”.
Në fakt, deri tani nuk ka asnjë provë që lidh drejtpërdrejt Trump-in me veprimtari kriminale në dosjet Epstein. Por ka diçka që nuk lë pa mend: pse administrata Biden nuk i publikon të gjitha materialet? Nëse ka diçka për Trump-in, është momenti i artë për të goditur rivalin e ardhshëm në zgjedhje. Nëse nuk ka asgjë, pse nuk i nxjerrin për t’i mbyllur gojën konspirativëve?
Mos vallë janë të gjithë të përlyer? Apo janë duke ruajtur balancën e frikshme të shantazhit të ndërsjelltë?
Lista e teorive sa vjen e zgjerohet: CIA, Mossad, Deep State, “listat e fshehta”, videot e hotelit të Epstein, përfshirja e Ehud Barak, Clintonëve, princëve arabë, shkencëtarëve të MIT… Por asgjë nuk jep përgjigje për pyetjen më të thjeshtë: Pse kaq shumë burra të pushtetshëm ishin kaq rehat pranë një pedofili të dënuar?
Në këtë rreth vicioz, publiku amerikan (dhe bota) nuk kërkon më dënime, por të paktën të vërtetën. Dhe kur as ajo nuk vjen, zemërimi fillon të gërryejë vetë themelet e sistemit.
Nëse ndonjëherë ekzistonte një çështje që t’i digjte të gjithë pa dallim partie, është kjo. Nga Clinton te Trump, nga Ehud Barak te princat e Dubait, ky është rasti që e bën të gjithë elitën të dridhet. Dhe sa më shumë që e shtypin, aq më shumë shpërthen.
Mbase, siç thotë Douglas Murray, nuk ka shumë mësime për të nxjerrë, përveç njërit: mos i ndiz zjarret e zemërimit publik nëse nuk je gati të digjesh bashkë me ta.
Në këtë lojë me të shkuarën e errët të Epsteinit, kushdo që fshihet pas pretekstit të “mbrojtjes së viktimave” në fakt po mbron pushtetin. Po e mbron veten. Dhe sa më shumë që vonojnë, aq më shumë publiku kupton: këta nuk kanë frikë nga e vërteta, por nga zbulimi i saj.
Mos u bëj shok me pedofilë. Dhe nëse ke qenë, mos na kërko më votën!/Pamfleti
Lini një Përgjigje