TAGS-AT E JAVËS

Editorial29 Korrik 2025, 10:36

SPAK, Edi Rama dhe sindroma e Zelensky-t

Shkruar nga Gjergj Zefi
SPAK, Edi Rama dhe sindroma e Zelensky-t
Edi Rama dhe Volodymir Zelensky /

Kur liderët i tremben Drejtësisë: Nga Zelensky në Ukrainë, te Rama në Shqipëri, dhe modeli global i sabotimit institucional...

Në çdo cep të botës ku drejtësia fillon të funksionojë realisht, politikanët fillojnë të tmerrohen. Nga Kievi në Tiranë, nga Jerusalemi në Varshavë, e deri në Ankaranë e Budapestin autoritar, po vërehet një skemë e njëjtë: kur drejtësia afron tek pushteti, pushteti shkon kundër drejtësisë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, i lavdëruar në Perëndim si hero i rezistencës ndaj agresionit rus, tronditi mbështetësit më të fortë kur vendosi të firmosë një ligj që i hiqte pavarësinë agjencive anti‑korrupsion të vendit të tij.

Prej 22 korrikut 2025, NABU dhe SAPO u vendosën nën kontrollin e Prokurorit të Përgjithshëm, duke hapur rrugë për ndërhyrje politike në hetimet që preknin edhe rrethin e afërt të vetë presidentit. Ishte një veprim që ngjalli revoltë masive në Ukrainë, protestat më të mëdha që prej shpërthimit të luftës, dhe kritikë të forta nga BE, G7 dhe organizatat ndërkombëtare që po financojnë rindërtimin e vendit.

Në Shqipëri, paralelizmat janë të frikshme. Edi Rama, në mandatin e katërt dhe me një kontroll absolut në pushtet, ka ndërmarrë një fushatë sistematike kundër SPAK-ut, të vetmit institucion që ende gëzon një grimcë besimi qytetar. Me tone përçmuese, tallëse apo kërcënuese, kryeministri nuk kursen asnjë rast pa e delegjitimuar punën e prokurorëve që guxojnë të hetojnë ministrat, bashkëpunëtorët apo kontratat e qeverisë së tij.

Ndërkohë, ndërhyrjet e vazhdueshme politike dhe përpjekjet për të ngarkuar institucionin me raste të “porositura” kanë filluar të shfaqin simptomat e kapjes edhe aty ku dikur shiheshin shpresat e drejtësisë së re.

Ky nuk është fenomen i izoluar. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, për t’i shpëtuar ndjekjes penale për korrupsion, nisi një fushatë për të dobësuar Gjykatën e Lartë dhe për të ndryshuar sistemin e emërimit të gjyqtarëve.

Në Hungari, Viktor Orban ka ndërtuar një sistem gjyqësor të nënshtuar ndaj pushtetit që prej 2011-ës. Në Turqi, pas grushtit të shtetit të dështuar në 2016, Erdogani shkarkoi mijëra gjyqtarë dhe prokurorë dhe e kthyen drejtësinë në vegël politike.

Edhe në Poloni, Partia e Ligjit dhe Drejtësisë (PiS) i dha vetes kontroll mbi sistemin gjyqësor duke shkelur standardet e BE-së.

Në thelb, të gjitha këto raste shpalosin të njëjtën formulë: sa më afër afrohet drejtësia tek qendra e pushtetit, aq më shumë pushteti tenton ta kontrollojë, ta frikësojë ose ta asgjësojë. Nuk ka rëndësi ideologjia, flamuri apo retorika zyrtare, të gjithë autoritarët potencialë bëhen “reformatorë” vetëm përsa kohë drejtësia nuk prek pushtetin e tyre.

Dhe pikërisht këtu del në pah sfida më e madhe për vendet në tranzicion: si të ndërtosh institucione të forta kur ke liderë që i shohin si kërcënim? Në Ukrainë, protestat e qytetarëve dhe reagimi i ashpër ndërkombëtar detyruan Zelensky-n të bëjë një kthesë të fortë dhe të propozojë një ligj të ri që rikthen pavarësinë e agjencive anti-korrupsion.

SPAK, Edi Rama dhe sindroma e Zelensky-t
Protesta në Kiev /

Në Shqipëri, për fat të keq, nuk ka as protesta dhe as reagim të qartë nga partnerët strategjikë, një heshtje që shkon përtej shqetësimit.

Nëse SPAK rrëzohet, nuk do të jetë vetëm një dështim institucional, por një fund simbolik i një shprese që nisi me reformën në drejtësi. Dhe nëse Zelensky, në kushtet e një lufte ekzistenciale, u detyrua të tërhiqet përpara protestës qytetare dhe presionit ndërkombëtar, çfarë justifikimi ka Tirana për të heshtur?

Kjo është koha për të ndarë burrat e shtetit nga uzurpatorët institucionalë. Sepse drejtësia nuk është rrezik për demokracinë por frikë për të korruptuarit. Dhe sa herë që një lider trembet nga drejtësia, është koha që populli të mos trembet më nga ai./Pamfleti

spak edi rama sindroma e zelenskyt gjergj zefi

Lini një Përgjigje

Editorial