TAGS-AT E JAVËS

Editorial31 Korrik 2025, 12:17

Shqipëria, aty ku bullizohesh nëse je i ndershëm

Shkruar nga Pamfleti

 Shqipëria, aty ku bullizohesh nëse je i ndershëm

Nga fëmijët që krenohen me çantat me para të prindërve zyrtarë, te të rinjtë që hipin drejtpërdrejt në poste publike pa ditur ç’është ndershmëria, një shoqëri që po e bind veten se krimi është karrierë...

Në Shqipëri, nuk është më lajm që një i ri përfundon në kronikën e zezë. Ngjarjet e korrupsionit, drogës, trafikimit apo abuzimit me pushtetin, janë kthyer në një shfaqje të zakonshme. Por ajo që po na trondit çdo ditë nuk është thjesht fakti që ndodhin, por mosha e autorëve – të rinj, gjithnjë e më të rinj, që ngjiten shkallëve të krimit me të njëjtin ritëm me të cilin ngjiten shkallëve të pushtetit.

Jemi një popull i dalë nga varfëria, nga skutat e një diktature të gjatë që për dekada na mohoi çdo shpresë dhe mundësi. Dhe menjëherë sapo rënia e sistemit na ofroi “lirinë”, shumë prej nesh e kuptuan lirinë si një vrap drejt pasurisë – me çdo kusht. Me kronometër në dorë, shqiptarët filluan të garojnë, kush do pasurohej më shpejt. E ku kishte rrugë më të shkurtër se ajo që kalonte përmes kufirit të ligjit?

Ndërsa një pjesë e popullit u bë viktimë e këtij tranzicioni, një pjesë tjetër, përfshirë edhe të rinj, e përdorën si trampolinë. Disa prej tyre shkuan nëpër botë, u përballën me përbuzjen dhe racizmin, të tjerë u zhytën në rrjetat e krimit, në trafik, në vrasje. Sot, një pjesë e të rinjve shqiptarë janë më shumë një histori për kronikën se për historinë.

Një pyetje thelbësore që pak kush guxon ta bëjë me zë të lartë është: Pse kaq shumë të rinj shqiptarë zgjedhin krimin si rrugë jetese? Dhe pse familja, që duhej të ishte gardiani moral i tyre, shpesh bëhet bashkëpunëtore në heshtje, madje edhe krenare?

Shikoni rreth jush: një brez i ri me flokë të lyer, me rroba të markave më të shtrenjta, me makina luksoze, por që nuk kanë kaluar asnjë ditë pune reale. Me diploma të blera, me nota të paguara, me vende pune të dhëna si shpërblim politik. Ata janë pasqyra jonë më brutale. Janë reflektimi i një shoqërie që, në vend të përkrahë punën dhe ndershmërinë, promovon arrogancën dhe lidhjet.

Në një episod real, një fëmijë, i biri i një zyrtari të lartë, mburret para shokëve të kopshtit: “Babi im sjell çdo ditë një çantë me lekë në shtëpi.” Kjo nuk është më thjesht një frazë naive e një fëmije, por një sinjal alarmi që shoqëria po transmeton një model të gabuar: se paratë nuk fitohen me punë, por me pozicion.

Mësuesit nuk respektohen më, por blihen. Diplomimi është kthyer në një formalitet që zgjidhet në bankë, jo në bankat e shkollës. Drejtorët nuk ngjiten në karrierë, por nëpërmjet emërimeve partiake. Rinia nuk frymëzohet më nga mendja e hapur dhe ndershmëria, por nga idhuj të rremë që i shohim në ballinat e mediave si "sukses".

Kemi ndërtuar një shoqëri ku ndershmëria përçmohet, ku të ndershmit bullizohen dhe ku morali është zëvendësuar me spektaklin. Edhe objektet e kultit, edhe predikimet e klerikëve nuk mjaftojnë më për të ndalur këtë epidemi që po gërryen moralin tonë kolektiv.

Sot, shoqëria shqiptare nuk i fton më të rinjtë që të punojnë, të mësojnë, të sakrifikojnë – por të duken. Dhe më e rënda: kur këta të rinj bien në rrjetat e drejtësisë, familja nuk i qorton, por i justifikon. Kurse politika, shpeshherë i përdor. Reforma në drejtësi nuk mjafton. Ne kemi nevojë për një reformë në shpirt.

Pa një reformë arsimore të thellë, që nis nga kopshtet dhe vijon në çdo hallkë të sistemit, çdo përpjekje për t’u dukur si "evropianë" do të mbetet thjesht fasadë. Shqipëria nuk ka nevojë për më shumë grada e tituj. Ka nevojë për më shumë ndershmëri, për më shumë përulësi, për më shumë edukatë.

Sepse nëse ndershmëria nuk bëhet normë, krimi do të mbetet ambicie. Dhe nëse kështu do jetë, të rinjtë tanë do vazhdojnë të mësojnë më shpejt se si të vjedhin sesa si të ndërtojnë një jetë./Pamfleti

shqipëria aty ku bullizohesh nëse je i ndershëm

Lini një Përgjigje

Editorial