TAGS-AT E JAVËS

Editorial30 Korrik 2025, 08:29

Djalli që fshihet në komedinë mbi ndryshimin e Kodit Penal

Shkruar nga Pamfleti

Djalli që fshihet në komedinë mbi ndryshimin e Kodit Penal

Ndërsa mazhoranca flet për modernizim të legjislacionit penal, prapa perdeve po përgatitet amnistia e heshtur për shpërdorimin e detyrës dhe aferat me prokurimet publike...

Në mes të korrikut të nxehtë, kur vendi përballet me zjarre, tensione sociale dhe mungesë të qetësisë publike, një mbledhje e papritur dhe një draft i shpërndarë me zell nga Kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale, sollën në qendër të vëmendjes një temë të ndjeshme: ndryshimet në Kodin Penal. I quajtur nga qeveria një "diskutim akademik", aktiviteti përfshiu disa figura që në të vërtetë janë më shumë të njohura për lidhjet e tyre me pushtetin sesa për pavarësinë profesionale.

Pavarësisht se mbledhja u prezantua si tryezë ekspertësh, nuk pati as transparencë mbi origjinën e draftit, as diskutim real mbi pasojat e ndryshimeve. Me fjalë të tjera, ajo që u servir si proces konsultimi nuk ishte gjë tjetër veçse një preludë për një nismë politike të paramenduar.

Ndërkohë, qëndrimi i prokurorit të përgjithshëm, i cili foli për një "norvegjizim të drejtësisë" dhe kundërshtoi ashpër idenë e shtrëngimit të masave për krime të caktuara, ngre pikëpyetje për rolin e tij në këtë debat. Në vend që të kërkonte një përforcim të dënimeve për korrupsion dhe shpërdorim detyre, ai u pozicionua si zë kritik ndaj nismës, por duke shmangur thelbin real të saj.

Pas kësaj fasade po përgatitet një lëvizje shumë më e rëndësishme. Burime të besueshme pohojnë se pjesa më e ndjeshme e ndryshimeve në Kodin Penal nuk është publikuar ende. Pritet që në "versionin e dytë" të projektit të dalë neni kyç: dekriminalizimi i veprës penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe depenalizimi i shkeljeve në prokurimet publike.

Ky ndryshim nuk është i rastësishëm. Nëse ndodh, do të shërbejë si një “amnisti e heshtur” për shumë funksionarë të përfshirë në dosje të rënda të drejtësisë, përfshirë hetime të hapura nga SPAK. Në këtë mënyrë, do të hiqen nga radari i ndëshkimit penal një pjesë e mirë e personazheve që sot janë në qendër të hetimeve për abuzime me fondet publike apo për shkelje flagrante të ligjit.

Ndryshimet që po përgatiten mund të shiten si përputhje me standardet e BE, duke përmendur se disa vende evropiane nuk e përfshijnë shpërdorimin e detyrës në Kodin Penal. Por ky është vetëm një justifikim formal. Në realitet, vendet e Europës Qendrore dhe Veriore nuk kanë të njëjtin nivel të përhapur të korrupsionit dhe përdorin mekanizma të tjerë për ndëshkim. Ndërsa në vendet mesdhetare dhe në Ballkan, shpërdorimi i detyrës mbetet një nga mjetet më efektive për të hetuar dhe ndëshkuar korrupsionin publik.

Me këtë nismë, mazhoranca pritet të kryejë një manovër të dyfishtë: në publik do të shfaqet si forca që përmirëson Kodin Penal në përputhje me rekomandimet evropiane, ndërsa në realitet do të ndërtojë një rrugë shpëtimi për funksionarët e saj të komprometuar.

Nëse ky skenar realizohet, pritet që jo vetëm të ndërpriten procese hetimore të rëndësishme, por edhe të dëmtohet në themel besueshmëria e reformës në Drejtësi dhe e vetë shtetit ligjor.

Për këtë arsye, është e domosdoshme që kjo nismë të dalë në dritën e debatit të hapur publik dhe të përballet me transparencë. Sepse çdo ndryshim që ndikon direkt te mënyra se si ndëshkohet korrupsioni në vend, nuk mund të bëhet në heshtje, nëpër korridoret e pushtetit apo në zyrat e financuara nga fondacione./Pamfleti

komedia e ndryshimit të kodit penal

Lini një Përgjigje

Editorial