TAGS-AT E JAVËS

Editorial28 Maj 2025, 12:20

Shpulla si “katastrofë gjeopolitike”

Shkruar nga Fadil Lepaja

 

Shpulla si “katastrofë gjeopolitike”
Emannuel Macron me të shoqen /

Quajeni si të doni: “flirt,” siç e quajti presidenca franceze, apo “katastrofë gjeoplanetare,” siç e ironizoi “viktima” Macron. Shpulla mbetet shpullë...

Mund të jetë vetëm mënyrë franceze, jo “perëndimore” do të thotë dikush me të drejtë. Femrat amerikane gjuajnë më furishëm. Ato ballkanike gjuajnë ndryshe, kur ju vjen rasti… dhe radha. Ato veriore, nordike? Këtë, nuk dua të komentoj për të mos e kosovarizuar temën. Femrat shqiptare, në përgjithësi, duket se në kohën e diktaturës së proletariatit kishin shtuar edhe elemente të matriarkatit, por… kjo quhej barazi asokohe. Barazia gjithsesi kishte dy anët e saj, apo më shumë?

Megjithatë, mos t’ju mashtrojë titulli apo hyrja për dhunën e femrave në familje. Është e kundërta. Kjo nuk ka të bëjë fare me këtë temë. Sot po flasim për “flirtin” në familjet e pushtetshme, apo thënë ndryshe po flasim për gjeopolitikën e shpullës. Quajeni si të doni: “flirt,” siç e quajti presidenca franceze, apo “katastrofë gjeoplanetare,” siç e ironizoi “viktima” Macron. Shpulla mbetet shpullë.

Por dallon shpulla nga shpulla. Kjo ishte një shpullë që, në të ardhmen, do të njihet si mënyra franceze e flirtit në çift.

Të kuptohemi, ky nuk është një shkrim për mediat rozë, as krejtësisht i lehtë për t’u lexuar. Mund edhe të mbajë shenjën paralajmëruese 39+, aq vite kishte zonja Macron kur e njohu dhe u mahnit nga gjenia e nxënësit të saj, që ishte asokohe vetëm 15 vjeç. Pra, tema është edhe …pedagogjike.

Kjo në fakt pretendon të jetë një analizë e thellë gjeopolitike, që ka të bëjë me identitetin kulturor e social perëndimor, përballë identiteteve të tjera globale, edhe pse dikush me të drejtë mund të pyesë nëse ekziston ajo që ne e quajmë kulturë perëndimore? A dallon vetëm në formë, apo edhe në përmbajtje?

Kur krahason civilizimet, gjuajnë më fort kinezet, hindutë, arabet, latinoamerikanet,…apo vetëm ndryshe? E quajnë flirt apo ndëshkim, shpullën?

Në perëndim, kur e gjuan burri gruan, është primitivizëm, egërsi. Kur gruaja e gjuan burrin, kjo është kulturë… edhe barazi. Fundja asnjëherë nuk do të mund të kthejë gjitha borxhet  që ishin grumbulluar që nga koha kur matriarkati u zëvendësua me …martesën para zotit dhe para ligjit.

Shpulla  mund të quhet edhe flirt. Apo edhe “katastrofë gjithëplanetare”. Së paku në Francë. Në Evropë, ka më shumë kolorit. Nuk gjuajnë njësoj të gjithë/a. Dallojnë shumë. Mesdheu, pjesa ish-sovjetike, veriorët, ballkanasit, të gjithë/a gjuajnë në mënyrën e vet.

Mos u mashtroni, askund nuk ka popull aq paqësor që nuk gjuan. Njëra anë gjithsesi gjuan, me raste. Rasti mund të jetë i përshtatshëm, ku gjuejtja edhe mund të shijojë, të duket e ëmbël, mund të jetë e dënueshme, por... mund të jetë edhe skandal diplomatik.

Ishte skandal diplomatik? Nuk e besoj. Kështu do të ishte nëse zonja Macron, në zemërim e sipër të kishte gjuajtur me të djathtën e saj, ndonjë vietnamez/e. Kur ka “flirt” brenda familjes, kjo mund të merret edhe si pasion. Pastaj, edhe pse u zhvillua para publikut vietnamez dhe global, ngjarja nuk ndodhi në territorin vietnamez. Aeroplani Presidencial është territor francez. Ska skandal. Ligjet vietnameze nuk janë kompetente.

Nga aspekti politik, demonstrimi i forces, e bënë zonjën Macron, një grua të fortë. Mund të llogaris në votat e grave dhe një pjese të burrave. Pastaj, duket se gjithnjë e më shumë francezë mendojnë se Francës i duhej një dorë e fortë… gruaje. Kjo e “rrënon” përfundimisht zonjën  Le Pen e cila deri vonë ishte dora më e forte, franceze. Por, një Gjykatë e Parisit e shpalli fajtore Marine Le Pen për përvetësim të fondeve të BE-së, duke e rrënuar kështu edhe politikisht.  Shpulla e zonjës Macron, e rrënoi edhe “imazhin “ e saj si gruaja më e forte në politikën franceze.

Pra, pas “flirtit” ekzotik në Vietnam, do të garojë ajo?

Të kthehemi në fund te Perëndimi dhe tema jonë: kultura perëndimore nuk është homogjene. Nuk ekziston një mënyrë e vetme e të menduarit, të jetuarit, apo të ndërtimit të marrëdhënieve ndërmjet çifteve...as e gjuajtjes me shpulla.

Evropianët nuk kanë një kod të njëtrajtshëm sjelljeje kur është në pyetje shpulla. E gjykojnë gjithsesi, nga cilado anë që të vijë edhe pse praktika dhe teoria shpesh gjuajnë njëra-tjetrën.

P.S: Në perëndim ka edhe familje moderne dhe post-identitare. Në këtë përzierje kulturore është sfidë ta dallosh kush gjuan kur më nuk ka burra, as gra në familje, nuk dihet kush vesh pantollona e kush mban mustaqe. Në raport me fëmijët, ka vetëm “prindi 1” dhe “prindi 2”? Ligji nuk merret me diskriminim, këtu. Thjesh, mos gjuaj shpulla …/Pamfleti

shpulla katastrofë gjeopolitike lepaja

Lini një Përgjigje