TAGS-AT E JAVËS

Editorial23 Maj 2025, 13:59

Historia do na mallkojë!

Shkruar nga Pamfleti

 Historia do na mallkojë!

 Në emër të Zotit (nëse ekziston) a të njerëzimit: Kush do ta ndalë këtë kasaphanë?

Në një botë që shpenzon miliarda për bomba dhe hesht për fëmijët që vdesin nga uria, njerëzimi ka dështuar

Bota po sheh, por nuk po sheh. Gaza digjet dhe civilët theren, ndërsa diplomacia hesht, si një noter që firmos certifikatën e vdekjes së ndërgjegjes njerëzore. Në emër të sigurisë, Izraeli ushtron terror shtetëror mbi një popullsi të izoluar dhe të uritur. Në emër të paqes, fëmijët e Gazës vdesin nga uria. Në emër të drejtësisë, civilët groposen nën rrënoja.

Çfarë fshihet pas kësaj masakre?

Vetëm paranoja e një shteti? Jo! Është më shumë: është një sistem botëror që e ka kthyer vuajtjen njerëzore në mjet për kontroll, për fitim, për pushtet. Një sistem që financon armë më shumë se ilaçe, që shet naftë dhe blen ndërgjegje. Janë të pasurit që po shkruajnë fatin e të varfërve me raketa dhe uri. Gaza është sot laboratori i një barbarie të re: një gjenocid me leje ndërkombëtare.

Historia do na mallkojë. Jo vetëm ata që shtypën butonin e bombava, por edhe ata që zgjodhën të heshtin. Kombet që fshehën krimin nën fjalët boshe të “të drejtës për vetëmbrojtje”. Liderët që e përdorën gjenocidin si kartë zgjedhore. Akademikët që rregulluan gjuhën, por jo zemrën.

Sot nuk ka më neutralitet. O je me viktimat, o je me xhelatët. O je me njerëzimin, o me egërsinë. Gaza është prova jonë. Dhe po dështojmë./Pamfleti

gaza historia mallkimi

Lini një Përgjigje