Asnjë fjalë, asnjë takim, asnjë shenjë bashkëpunimi; Greqia i kthen shpinën Edi Ramës në Samitin e BE-së, ndërsa përgatit një ofensivë të re politike në Tiranë...
Jo një zhvillim i minutës së fundit, por një përjashtim me qëllim. Greqia po i jep fund bashkëpunimit me Ramën dhe po përgatit një opozitë të re, të kontrolluar nga jashtë. Edi Rama e kupton, ndaj përkulet para Melonit.
Në Samitin e BE-së në Tiranë mungoi një njeri i rëndësishëm: kryeministri grek Kyriakos Micotaqis. Dhe mungesa e tij nuk ishte as teknike, as aksidentale. Ishte politikisht e qëllimshme. Por menjëherë pas kësaj mungese të dukshme, media pranë Edi Ramës, e drejtuar nga Baton Haxhiu, u mobilizua për një alibi të shpejtë, duke deklaruar se Micotaqis kishte një angazhim të minutës së fundit në OKB, si kreu i Këshillit të Sigurimit.
Por e vërteta është tjetër. Portali zyrtar i BE-së e kishte publikuar prej kohësh listën e përfaqësuesve të shteteve. Dhe për Greqinë nuk ishte planifikuar Micotaqis, por Presidenti i Republikës, Konstantinos Tasoulas, një figurë protokollare, që nuk zhvilloi asnjë takim politik real në Tiranë, e që në foton familjare u vendos në rreshtin e tretë, për të mos thënë në margjinë.
Kjo mungesë demonstrative nuk është thjesht ftohje. Është shenjë. Dhe sinjali është i qartë: Greqia nuk e njeh më Ramën si partner të besueshëm. Raporti i përkeqësuar pas arrestimit të Fredi Belerit, zhbërjes politike të Vangjel Dules dhe mbylljes së çdo dere për ndërmjetësim Athinë–Tiranë, ka kaluar në fazën e veprimeve.
Në sfond është një plan që tashmë ka dalë në sipërfaqe. Fredi Beleri, pas zgjedhjeve, ka bërë thirrje për largimin e Sali Berishës dhe riformatimin e opozitës. Por mesazhi ishte më i thellë: Athina po përgatitet të ndërtojë vetë opozitën shqiptare, për të kontrolluar çdo kundërpeshë ndaj Ramës.
Kjo nuk është vetëm retorikë. Në një nga mitingjet e fundit të PD-së, një mbështetëse e Belerit i dhuroi Chris La Civita-s një fanellë me flamurin grek dhe mbishkrimin “Shqipëria Madhështore”. Mesazhi ishte i qartë: La Civita nuk është këshilltar i Berishës, por produkt i lobit grek. Dhe nëse është kështu, atëherë nuk kemi më të bëjmë me një garë politike, por me një përplasje gjeopolitike të kontrolluar nga jashtë.
Burime diplomatike konfirmojnë se në skenë është futur një plan konkret për të prodhuar një lider të ri të opozitës, me mbështetje nga Greqia dhe Europa. Një emër që përmendet shpesh është Indrit Nina, një figurë e promovuar nga qarqe diplomatike dhe e lidhur me përfaqësimin e linjës greke në Shqipëri.
Nëse ky plan del në dritë, atëherë Berisha do të shpallet i konsumuar, dhe La Civita një lëvizje tranzitore. Ndërkohë, SPAK do të presionohet për të hapur një rast penal mbi Ramën, duke e vendosur vendin përballë një krize të menaxhuar nga jashtë, që do të justifikonte zgjedhje të parakohshme në vjeshtë.
Edhe deklarata e Ramës për “protektoratin italian” nuk ishte e pavetëdijshme. Ajo ishte një thumb kundër Greqisë dhe një përulje e hapur ndaj Giorgia Melonit, e vetmja që e ka mbrojtur Ramën në Bruksel pas sulmeve për çështjen Beleri.
Por kjo mbrojtje nga Meloni është e kufizuar, dhe Athina tashmë po luan planin B: ridizajnimin e opozitës, kapjen e kupolës së re drejtuese dhe krijimin e një fronti të jashtëm diplomatik për rrëzimin politik të Ramës.
Rasti është serioz, sepse Greqia ka më shumë instrumente se çdo aktor tjetër në rajon: ndikim në komunitetet minoritare, ndikim në media, akses në sistemin diplomatik të BE-së dhe, sipas informacioneve, lidhje të forta në segmente të caktuara të drejtësisë shqiptare.
Ndaj, mungesa e Micotaqisit në Samit ishte shpallje e heshtur e luftës politike ndaj Ramës. Nuk ishte mungesë agjende, por mungesë respekti. Dhe, ndoshta, fillimi i një ndërhyrjeje të re në strukturën e brendshme të opozitës shqiptare./Pamfleti
Lini një Përgjigje