
Rënia e Ilir Metës!
Sot pakica qan dhe shumica qesh. Nesër mund të ndodhë e kundërta – të qajë shumica e të qeshë pakica. Por kjo ka pak rëndësi. Lotët e shqiptarëve nuk janë kurrë lajm. Shakllabanët e pushtetit ua njohin mirë huqet votuesve: i qeshin kur votojnë, i shajnë kur humbasin, i harrojnë kur fitojnë.
Demokracia në këtë vend ende është foshnjë në djep. Bulëzat e lotëve nuk bëjnë jehonë – avullojnë, ngjiten në qiell dhe i thithim të gjithë, si dënim i heshtur për verbërinë tonë kolektive.
As këto zgjedhje nuk e zgjidhën lëmshin. As kjo fushatë nuk shpoi asnjë nga tullumbacet e mashtrimit që fryhen çdo katër vjet. Populli, i lodhur e i përdorur, nuk kërkon më ndryshim – kërkon lëmoshë. Dhe kushdo që i jep një copë iluzion, e merr edhe votën.
Po ç’faj ka populli? Lëvorja që mbështjell dy partitë – të Edit dhe të Saliut – nuk qërohet me thonj të palarë e as me veglat e armikut. I kanë bërë lëkurën prej çeliku, të papërshkueshme nga drejtësia. Se nuk kanë vetëm vota: kanë pasuri, dosje dhe krime... të përbashkëta.
Njerëzit e zakonshëm, të zhytur në grindje pa thelb, zihen për atë që e kanë hajdutin më të ndershëm. Ndërsa majorët e propagandës shkojnë vetëm “përpara”, se kështu u kanë dhënë urdhrin; e madhështorët e “doktorit” bëjnë “hap rreshtor, mbrapa-marsh”, se kështu u thotë komandanti nga ballkoni i izolimit.
Në këtë vend, skizofrenia është bërë sistem besimi. Rama dhe Berisha janë bërë si dy djaj që i kemi mitizuar, sepse jemi mësuar të adhurojmë atë që na dëmton. Nuk është çudi që skuadra besnike e Bablokut është ose në burg, ose në listat e atyre që presin radhën për të hyrë brenda. Por kjo nuk është më lajm.
Lajmi është ai që nuk e priste askush. Rënia e Ilir Metës.
Po, ai që gjatë gjithë tranzicionit u notua mes partive si peshk pa thekër. Ai që doli gjithmonë mbi ujë, pavarësisht se ku u hodh gurra. Sot, Ilir Meta mbeti i vetëm. I shtrydhur. I braktisur. I humbur.
I besoi verbërisht Saliut, me iluzionin se do ta kthente në deputet nga burgu. E hëngri si i verbëri që i jep dorën krimit për të kaluar rrugën. U mbështet tek një njeri që e ka përdorur, poshtëruar, zhytur dhe nxjerrë si leckë nga historia politike sa herë i ka dashur loja.
Sot, Like është i vetmi hajdut i madh që mbeti pa popull. Pa parti. Pa timon. Pa timonier.
E, s’ke ç’bën më, o Ilir. Nuk je i pari. Por po, ndoshta je i fundit. Dhe për ty ka mbetur vetëm një rresht për t’u gdhendur në epitafin e tranzicionit shqiptar:
"Ç’i bëre vetes o Ilir Meta… si i besove Sali Berishës?"/Pamfleti
Lini një Përgjigje