
Erdogani është gati të presë në negociata dy rivalët. Por ehe ekspertët po vënë bast mbi pretekstet e Putin për të mos u shfaqur në takimin e Stambollit...
Vladimir Putin dëshiron që t’ia nisë sërish nga Stambolli. Ditët e fundit, diplomacia midis Kievit dhe Moskës është shndërruar në një lojë ping-pongu, ku të dyja palët po konkurrojnë se sa shpejt mund ta hedhin topin në fushën e tjetrit.
Të shtunën, fronti i gjerë i ukrainasve, evropianëve dhe amerikanëve dukej se e shtyu në një cep shefin e Kremlinit, me propozimin për pranimin e një armëpushimi pa kushte që do të niste që të hënën. Disa orë më vonë, me një konferencë për shtyp në 1 të mëngjesit me orën lokale, Putin u përpoq ta shmangte kurthin, duke e hedhur poshtë armëpushimin dhe ofruar negociata pa kushte, të cilat mund të nisin më 15 maj në qytetin buzë Bosforit.
Volodymyr Zelensky nxitoi që ta hidhte topin sërish në fushën e Rusisë, duke e përshkallëzuar sfidën: në vend të një takimi tjetër me dyer të mbyllura midis delegacioneve diplomatike, ai njoftoi se do të shkojë personalisht në Stamboll për një takim ballazi me Putinin, duke shtuar se nuk donte të dëgjonte asnjë justifikim.
U duk si një sfidë për dueli, dhe tani është sërish radha e diktatorit rus, ndërsa në rrjetet sociale, kremlinologët po kryejnë sondazhe mbi pretekstet që do të përdorë Putin për të shmangur paraqitjen në takim. Mbetet për t’u parë me çfarë propozimi do të dojë Kremlini që të hyjë në negociata.
Duket se Stambolli është zgjedhur nga rusët jo vetëm si një destinacion i përshtatshëm nga pikëpamja logjistike, duke qenë qendra kryesore aeroportuale për pasagjerët që vijnë nga Rusia nën embargon perëndimore, por edhe për mallrat e destinuara për tregun rus (Turqia nuk i është bashkuar sanksioneve kundër Moskës).
Dhe nuk është vetëm çështje biznesi, midis gazit rus nga i cili Turqia varet shumë, dhe tregtisë dhe turizmit rus, që përfaqëson një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave të saj. Negociatat sponsorizohen sërish nga Rcep Tayyip Erdogan, një autokrat që e ka mbështetur gjithmonë Ukrainën, por edhe nga solidariteti me tatarët e Krimesë, një pakicë e lidhur gjuhësisht dhe fetarisht me trashëgiminë osmane.
Si kreu i një vendi anëtar të NATO-s, ai ka zhvilluar gjithashtu një dialog, ndonjëherë shumë të tensionuar, me Putinin për vite me radhë, me të cilin bashkohet në çështje me interesa të përbashkëta, dhe përplaset në çështje të tjera, siç është Siria.
Ai është një nga udhëheqësit e paktë botërorë që ka luksin ta lërë presidentin rus duke e pritur (të cilit vetë i pëlqen t’i lërë enkas në pritje shumë të gjata të ftuarit e tij), dhe ka mbikëqyrur dhe vepruar si garant në negociata të shumta gjysmë të fshehta midis rusëve dhe ukrainasve dhe rusëve dhe perëndimorëve, për shembull në shkëmbimet e të burgosurve.
Po ashtu Turqia zotëron hyrjen dhe daljen në Bosfor, ngushticën pa të cilën Flota e Detit të Zi e Rusisë nuk mund të hyjë në Mesdhe. Ndërkohë dronët e saj Bayraktar, ishin vendimtarë në sprapsjen e ofensivës ruse, veçanërisht në fillim të luftës, në vitin 2022.
Ajo ka ushtrinë më të madhe në Evropë pas Ukrainës, e cila mund të angazhohet si një garantuese e mundshme e armëpushimit. Në të njëjtën kohë, Erdogan nuk mund të quhet si pjesë e aleancës perëndimore, pasi ka një pakënaqësi të hapur ndaj Bashkimit Evropian që e ka mbajtur larg për vite me radhë, një ndjenjë që mund ta ndajnë shumë rusë.
Në shumë aspekte, ai është ndërmjetësi më i mirë në këtë situatë: larg të qenit një pro-rus - së fundmi mbështeti propozimin e SHBA-së dhe BE për të shpallur së pari një armëpushim dhe vetëm pastaj të nisin negociatat - por nga ana tjetër nuk është as edhe një aleat i Perëndimit.
Por mbi të gjitha, Stambolli nënkupton, të paktën për Putinin, rikthim tek marrëveshjet që rusët dhe ukrainasit diskutuan në qytetin turk në mars të vitit 2022, dhe të cilat kreu i Kremlinit vazhdon t’i konsiderojë si pikën nga e cila duhet të rinisë diplomacia.
Një pakt që përmban në thelb dorëzimin e Ukrainës, dhe që kishte dështuar edhe para se të nënshkruhej, sepse ndërkohë trupat ukrainase i kishin zmbrapsur pushtuesit rusë, duke zbuluar masakrat dhe torturat e civilëve në Bucha dhe qytete të tjera.
Që nga ajo kohë, Moska ka këmbëngulur në nënshkrimin e marrëveshjes së paqes me pak a shumë të njëjtat kushte - përfshirë çarmatimin e ukrainasve dhe nënshtrimin politik të tyre ndaj Kremlinit - të cilat i kishte diktuar në momentin më të favorshëm të pushtimit, kur tanket e saj ishin në portat e Kievit.
Këshilltari diplomatik i Putinit, Yuri Ushakov, tha dje se “negociatat e mundshme” duhet të fillojnë nga aty, por ato duhet të marrin gjithashtu në konsideratë “situatën në fushën e betejës”, pra territoret e pushtuara nga rusët.
Një negociatë që pikërisht për këtë arsye, nuk do të ishte aspak “pa kushte paraprake”, dhe shumë larg propozimeve të amerikanëve (për të mos përmendur evropianët dhe ukrainasit). Ekziston përshtypja se të gjitha përpjekjet diplomatike të Moskës, madje edhe para atyre të Kievit, synojnë në thelb të kenë një efekt mbi Uashingtonin (duke filluar që e orën e vonë të natës të zgjedhur nga Putin për deklaratën e tij, kur në SHBA ishte ditë).
Synimi nuk duket të jetë arritja e një marrëveshjeje, por më tepër paraqitja tek kampi kundërshtarit i një propozimi, të cilën ai nuk do të jetë në gjendje ta pranojë, dhe që më pas ta ekspozojë Zelenskyn në sytë e Donald Trumpit si përgjegjës për mungesën e marrëveshjes.
Ky i fundit mbetet i vetmi bashkëbisedues me të cilin Putini dëshiron të merret, siç mund të shihet edhe nga aludimet fyese kundër udhëheqësve evropianë të bëra nga zëdhënësja diplomatike ruse Maria Zakharova, e cila akuzoi së fundmi Macronin, Merzin dhe Starmerin se kanë “thithur kokainë” në trenin që po i çonte në Kiev (bazuar në një video ku presidenti francez fsheh nga kamerat një facoletë)./Pamfleti nga “La Stampa”
Lini një Përgjigje