TAGS-AT E JAVËS

Editorial11 Maj 2025, 16:03

Dy perandorët e vjetër që nuk ndahen nga froni

Shkruar nga Pamfleti

Dy perandorët e vjetër që nuk ndahen nga froni

Demokraci e bllokuar: Kur udhëheqësit nuk ikin, as shpresa nuk lëviz...

Nga jashtë duken si armiq. Njëri përbuz tjetrin në mitingje, ndërsa tjetri e akuzon si armik të demokracisë. Por në thelb, Edi Rama dhe Sali Berisha janë të njëjtë: dy figura që nuk e konceptojnë politikën pa vetveten, që nuk e imagjinojnë partinë pa emrin e tyre në krye dhe që nuk e pranojnë logjikën më elementare të demokracisë: rotacionin.

Për 34 vjet, Shqipëria ka parë vetëm fytyrat e tyre në qendër të çdo krize, pazari apo zhvillimi politik. Të dy kanë qenë kryeministra, njëri 8 vite, tjetri 12 vite. Të dy kanë qenë liderë partie për më shumë se dy dekada. Dhe të dy sot refuzojnë të ikin, pavarësisht moshës, dështimeve apo lodhjes kolektive që kanë shkaktuar.

Rama thotë se do të largohet kur të dojë vetë. Nuk pranon zgjedhje brenda partisë, nuk lejon garë reale për drejtuesit, nuk toleron asnjë strukturë që ta sfidojë. Ka hequr çdo rregull që e detyronte të japë dorëheqje pas humbjes së zgjedhjeve. Ka ndërtuar një sistem ku edhe kur PS fiton, ai është triumfatori absolut, poe dhe kur humbet, e kalon fajin diku tjetër: te “qarku”, “kandidatët” apo ….

Berisha, nga ana tjetër, është kthyer në versionin grotesk të vetvetes. Edhe pasi u shpall “non grata” nga SHBA dhe BE, edhe pas përçarjes së PD-së, edhe pas humbjeve të njëpasnjëshme, ai vazhdon të sillet si i përjetshëm. Çdo “zgjedhje” është një farsë, ku kandidon vetëm për të marrë 98% të votave. Dhe askush në PD nuk ka guximin t’i thotë se koha e tij ka mbaruar.

Në thelb, Rama dhe Berisha janë bashkë në këtë sistem, jo si aleatë politikë, por si garantë të një skeme ku rotacioni bëhet vetëm mes tyre dhe kastave që kanë ndërtuar. Asnjë risi, asnjë figurë e re, asnjë ide e ndryshme nuk ngrihet dot në PS apo PD pa bekimin e tyre.

Shqipëria sot është një vend ku pluralizmi është kthyer në një qark të mbyllur: voton të majtën apo të djathtën, por të qeverisin të njëjtët. Është një teatër me dy aktorë kryesorë që ndajnë gjithçka përveç mikrofonit. Dhe të gjithë aktorët e tjerë; deputetë, ministra, drejtues lokalë, janë veçse figurantë që pranojnë rolin, për të mos u nxjerrë jashtë skenës.

Ky nuk është thjesht problem partie. Është një dramë e përbashkët kombëtare, sepse nëse udhëheqësit janë përjetësisht të njëjtët, atëherë as historia nuk ka si të ndryshojë./Pamfleti

perandorët e vjetër nuk i ndahen fronit

Lini një Përgjigje