TAGS-AT E JAVËS

Editorial 5 Maj 2025, 10:20

"Kali i Trojës" i Rusisë në zemër të Evropës

Shkruar nga Pamfleti
"Kali i Trojës" i Rusisë në zemër të
Viktor Orban /

Lidhjet publike por dhe të fshehta midis Budapestit dhe Moskës, bartin shumë rreziqe për Bashkimin Evropian dhe NATO-n. Ja çfarë mund të bëjë Perëndimi për ka kthyer Orban në vathën e saj, ose për ta rrëzuar regjimin e tij autokratik...

Hungaria nën drejtimin e Viktor Orbán, është bërë një pikë gjeopolitike kyçe, ku kryqëzohen paratë ruse nga nafta, investimet strategjike kineze dhe kapitali amerikan. Ky kombinim, paraqet rreziqe serioze si për Bashkimin Evropian ashtu edhe për NATO-n.  

Afrimi gjithnjë e më i madh i Orbán me Moskën - i maskuar si për qëllime biznesi - jo vetëm që po e dëmton unitetin e BE-së, por po i ofron Rusisë një kamerdare shpëtimi financiar në mesin e sanksioneve të gjera të vendosura perëndimore.

Pavarësisht anëtarësimit të Hungarisë në bllokun perëndimor, sjellja e saj i ngjan gjithnjë e më shumë një “Kali Troje” brenda aleancës. Ndaj SHBA duhet të mendojë vendosjen e sanksioneve të forta. Por vizita më 25 prill në Budapest e djalit të presidentit amerikan, Donald Trump Jr., shkaktoi alarm në kryeqytetet perëndimore.

Ai zhvilloi në dy takime me dyer të mbyllura në hotelin luksoz “New York Palace”. Pjesëmarrësit ishin kryeministri hungarez Viktor Orbán, Ministri i Jashtëm Péter Szijjártó, oligarku István Tiborcz (dhëndri i Orbán) dhe një i dërguar i Organizatës Trump që mbikëqyr një portofol prej 3.2 miliardë dollarë asete globale në pasuri të patundshme dhe energji.

Në qendër të diskutimit ishin 3 sektorë: sektori bankar (OTP Bank), sektori energjitik (MOL Group) dhe sektori farmaceutik (Richter Gedeon). Këto nuk janë marrëveshje të zakonshme. Ato formojnë një trekëndësh gjeopolitik, përmes të cilit përplasen paratë ruse të luftës, subvencionet kineze të infrastrukturës dhe kapitali amerikan. Dhe Hungaria ndihet rehat në këtë pozicion .

Banka OTP: Mjeti që shmang sanksionet ndaj Rusisë

Dega ruse e OTP Bank, shënoi vitin e kaluar një rritje marramendëse të fitimit prej 40 për qind, duke arritur në 372 milionë dollarë. Thuhet se këto fonde, janë përdorur për të financuar logjistikën ushtarake të Rusisë për pushtimin e Ukrainës.

Sanksionet e SHBA-së dhe BE-së ndaj Moskës, po anashkalohen përmes pagesave të maskuara si “logjistikë e rrugëve ujore të brendshme”. Këto flukse kalojnë përmes llogarive hungareze të OTP dhe kanalizohen në industri të mbështetura nga shteti rus.

Pavarësisht paralajmërimeve të vazhdueshme nga Brukseli, Budapesti nuk është distancuar nga operacionet ruse të OTP-së. Përkundrazi, fitimet e bankës përbëjnë tani shtyllën kurrizore të pavarësisë fiskale të Hungarisë nga fondet e ngrira të BE-së.

Tiborcz dhe Raiffeisen: Një Kalë Troje për Kremlinin

Oligarku István Tiborcz, po negocion blerjen e degës ruse të Raiffeisen Bank International në Austri. Thesari i SHBA-së e ka bllokuar 5 herë këtë marrëveshje, duke përmendur shkeljen e sanksioneve. Por Tiborcz që shihet si një figurë miqësore me Kremlinin, mund të shërbejë si një blerës sa për sy e faqe, duke i dhënë mundësi Rusisë të riatdhesojë fitimet nëpërmjet Hungarisë.

Sipas EU Today, marrëveshja vlen 1.3 miliardë euro dhe mbikëqyret drejtpërdrejt nga një ndihmës i lartë i presidentit Putin. Nëse përfundon me sukses, kjo blerje e fshehtë do ta lejonte Kremlinit të rihynte në sistemin financiar evropian nëpërmjet Budapestit.

Ndikimi në rritje i Kinës në Hungari

Ndërsa Uashingtoni po bën thirrje për shkëputje strategjike nga Pekini, Orbán po shtron tapetin e kuq për kinezët. Nga hekurudha Budapest-Beograd, tek një fabrikë e madhe baterish me një kosto 7 miliardë euro nga gjigandi kinez CATL pranë Debrecenit, Hungaria është bërë de fakto ura e Kinës drejt BE-së.

Pavarësisht paralajmërimeve të forta të SHBA-së në lidhje me politikën e “dyerve të fshehta” teknologjike dhe kërcënimeve ndaj sovranitetit dixhital, Hungaria ka premtuar mbi 2.4 miliardë euro stimuj tatimorë për kompanitë kineze.

Sipas burimeve diplomatike, vizita e Trump Jr në Budapest kishte 3 objektiva: ridrejtimin e eksporteve hungareze në tregjet amerikane, kanalizimin e investimeve të Organizatës Trump në pasuri të paluajtshme në Budapest dhe negocimin e një pakti të ri tatimor për të mbrojtur prodhuesit hungarezë të automjeteve nga tarifat amerikane.

Plani parashikon 3-4 miliardë dollarë investime të drejtpërdrejta amerikane gjatë 3 viteve të ardhshme. Por edhe pse në Hungari hyn kapitali amerikan, ndikimi rus dhe kinez vazhdon të dominojë arkitekturën themelore. Moska mbetet përfituesja kryesore së pari në para, ku kontratat ruse të mbrojtjes mbështesin OTP-në dhe potencialisht degën ruse të Raiffeisen.

Së dyti në aspektin politik, ku Orbán bllokon ndihmën e BE-së për Ukrainën, duke përmendur “interesin kombëtar”. Së treti në aspektin e narrativës, ku mediat e lidhura me Kremlinin e përdorin Hungarinë si një terren kryesor për propagandën kundër sanksioneve.

Inteligjenca e NATO-s, thekson se midis janarit dhe marsit të këtij viti, mbi 820 milionë euro të maskuara si “kredi” kaluan nga Hungaria në sektorët rus të ndërtimit të anijeve dhe IT-së. Pra për të çmontuar trekëndëshin gjithnjë e më problematik midis Hungarisë, Rusisë dhe Kinës, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre në BE dhe NATO mund të ndjekin një strategji të koordinuar në të gjitha fushat diplomatike, financiare, ligjore dhe strategjike.

Si mund të dobësohet regjimi i Orbán?

1. Përmes presionit financiar dhe ekonomik, ku përfshihen sanksionet e synuara të SHBA-së dhe BE-së ndaj rrethit të ngushtë të Orbán-it (p.sh, Tiborcz, Szijjártó), kufizimit të qasjes tek fondet e kohezionit të BE-së dhe në tregjet perëndimore të kapitalit apo rrjetet bankare amerikane.

2. Përmes mekanizmave ligjorë evropianë. Këtu mund të përdoret Neni 7 i Traktatit të BE-së për të pezulluar të drejtën e votës së Hungarisë në bllok. Edhe pse deri më tani është bllokuar nga Polonia, kjo bëhet më e zbatueshme nëse qeveria aktuale pro-perëndimore e Polonisë e ruan qëndrimin kritik ndaj Orban.

3. Mbështetjes për opozitën hungareze. Demokracitë perëndimore mund të  rrisin mbështetjen për shoqërinë civile, gazetarinë investigative dhe koalicionet e opozitës, veçanërisht përpara zgjedhjeve të vitit 2026. Po ashtu duhen ofruar fonde të veçanta për zhvillim për bashkitë e udhëhequra nga opozita, si Budapesti, duke anashkaluar kontrollin e qeverisë qendrore.

4. Ekspozimit të korrupsionit dhe ndikimit të huaj. Rrjedhjet e koordinuara të inteligjencës (nëpërmjet NATO-s ose partnerëve të Five Eyes) që zbulojnë ndikimin rus ose kinez mbi rrethin e ngushtë të Orbán,  mund të tronditin besimin e publikut.

Çfarë e bën të vështirë dobësimin e Orbán?

Së pari, kontrolli i fortë i rrënjosur mbi median dhe gjyqësorin. Ai kontrollon mbi 80 për qind të tregut mediatik dhe i ka mbushur gjykatat me besnikë të tij. Së dyti, manipulimi i bazës së votuesve. Orbán ka ndërtuar një grupim të madh votuesish ruralë, nacionalistë dhe të varur nga pensionet, dhe që është shumë rezistent ndaj retorikës liberale ose pro-BE-së.

Së treti, aftësia e balancimit gjeopolitik. Ai balancon me mjeshtëri raportet me Rusinë, Kinën dhe SHBA-në, duke siguruar lëshime nga të gjitha palët dhe shmangur izolimin.

Dhe së katërti, zbatimi i dobët i masave ndëshkimore nga BE. Blloku ka qenë i ngadaltë dhe i përçarë në zbatimin e standardeve të sundimit të ligjit, dhe Orbán përdor të drejtën e vetos për të imponuar mbrojtjen nga aleatët.

Çfarë mund ta prishë ekuilibrin?

Së pari, një skandal i madh korrupsioni, i lidhur me pagesat ushtarake ndaj Rusisë apo me ndërhyrjet kineze mund të shkaktojë trazira ose veprime ligjore nga BE-ja. Së dyti, një ndryshim në politikën polake (që tashmë është duke ndodhur) mund ta izolojë Hungarinë brenda Grupit të Vishegradit dhe t’i hapë derën veprimeve më të ashpra të

BE-së. Së treti rënia ekonomike e Hungarisë ose kriza energjitike, mund të dobësojë mbështetjen popullore, sidomos midis pensionistëve dhe ndërmarrjeve të vogla e të mesme./RLI

kali i trojës rusia evropa hungaria

Lini një Përgjigje